Kujtim Shala, kryetar i Kuvendit të Kosovës?
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka nisur t’i ndajë hiset brenda partisë, para arritjes së marrëveshjes për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Gazeta Blic” nga burime brenda LDK-së merr vesh se anëtari i Kryesisë, Kujtim Shala, është propozuar për kryetar të Kuvendit të Kosovës. “Në takimet mes anëtarëve të Kryesisë është përmendur emri i z. Kujtim Shala, si Kryetar i Kuvendit, i cili sipas të gjitha gjasave pritet ta ketë përkrahjen e gjithë Kryesisë së LDK-së”, pohojnë burimet brenda LDK-së.
Shala në mandatin e fundit ka qenë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Marrëveshja për koalicion mes LVV-së dhe LDK-së pritet që të arrihet pas certifikimit të rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Gjatë ditës së sotme përfaqësues të dy partive kanë zhvilluar një takim. Numri dy i LDK-së Agim Veliu, dhe i angazhuari rishtazi në LVV Agim Bahtiri, kanë diskutuar gjerë e gjatë lidhur me marrëveshjen për koalicion qeverisës.