Kujtim Shala: LV-ja të heqë dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit
Anëtari i kryesisë së LDK-së Kujtim Shala, tha në emisionin Blic InterView me Astrit Gashin se Lëvizja Vetëvendosje ka gabuar me votimin për kryetar të Kuvendit.
Sipas tij, LV-ja është dashur të presë edhe disa ditë, pasi që ajo pozitë është dashur t’i jepet LDK-së, në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje, transmeton Klan Kosova.
“Ne jemi të propozimi i parë, ne po kërkojmë që të reflektohet vullneti i popullit. Ai ka qenë një hap i Vetëvendosjes dhe ne e kemi mbështetur. Kandidati i Vetëvendosjes u votua pa marrëveshje, por ne kishim një zotim që të votohet kandidati nëse propozohet nga ta. Lëvizja Vetëvendosje nuk është dashur ta propozonte kandidatin, është dashur të pres”.
Disa javë pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar Kuvendi, Shala tani thotë se e gjithë situata është bllokuar tek ky funksion, nga i cili pret që LV-ja të heq dorë, ndryshe është e pa kuptimtë që të mos arrihet marrëveshja pas tre muajsh negociatash.
“Heqja dorë nga mandatari i Kuvendit po qëndron në mes. Nuk ka kuptim të negociosh për muaj të terë dhe të mos arrish të përmbyllësh marrëveshje”.
Tutje, i pyetur për komunikimin e tij me nënkryetarin e LV-së Besnik Bislimi, Shala ka mohuar se i ka thënë se do ta detyrojnë të arrihet marrëveshja.
“Nuk kam qenë pjesë e ekipit negociues të LDK-së dhe nuk i njoh të gjitha detajet brenda negocimit dhe mendoj se detajet se kanë asnjë kuptim nëse nuk finalizohet marrëveshja. Rrëfimet po duken si tip karikature e atij procesi. Duke dhënë detaje qoftë edhe të sakta e dëmtojnë procesin. Një marrëveshje e finalizuar i zhbën të gjitha detajet e negocimit”.