‘Kujtime 1885-1925‘ nga Eqrem bej Vlora

24 shtator 2022 | 20:27

Shkruan: Musa Gashi

Para disa vitesh, bashkë me disa kolegë të punës, ishim në një vizitë studimore disa ditë në Helsinki të Finlandës, dhe siç veprojë zakonisht kur shkoj në një vend të ri, hulumtova në internet dhe lexova pak më shumë për Finlandën dhe finlandezët.

Atje patëm disa prezentime profesionale nga kolegët tanë finlandezë. Ndërsa në një moment derisa po bisedonim e pyeta njërin nga ata nëse ka mundësi të na tregonte pak më shumë për Finlandën dhe historinë e saj. Ai vetëm pohoi me kokë dhe nuk foli më shumë, mendova mos bëra një pyetje të tepërt, por kur vazhduam, në vend të vazhdimit të prezentimit ai e vendosi një film që e kishte në USB dhe ku tregohej me pak pamje historia e Finlandës, lufta e saj me BRSS-në, lufta e të ‘bardhëve’ (finlandezëve) me të ‘kuqtë’ (rusët) etj. Dhe kështu për pak minuta ne arritëm të kuptojmë aq shumë për Finlandën dhe historinë e saj, arritëm të kuptojmë për luftën heroike të finlandezëve përballë agresionit rus të Stalinit, humbjen e Karelias, një territor në jug-lindje të Finlandës, me madhësi afërsisht sa Kosova e Shqipëria, dhe shpërnguljen e afërsisht gjysmë milioni finlandezëve nga aty, arritëm të kuptojmë se finlandezët kishin bërë një nga luftërat më heroike në evropë, të kuptojmë dhimbjen e madhe të tyre për humbjen e këtij vendi ndër më të begatshmit në Finlandë, dhe papajtueshmërinë e tyre me këtë humbje.

Dhe, në mendjen time u sollën disa ngjarje që ndërlidheshin me këtë. Nga kjo arrita të kuptoj pse pikërisht mjeko ligjorja finlandeze Helena Ranta ishte caktuar si shefe e ekipit të BE-së për monitorimin e autopsive të rasteve nga Masakra e Reçakut, nga i cili rast më pas u inicuan sulmet e NATO-s dhe çlirimi i Kosovës, dhe më vonë pse pikërisht ish presidenti finlandez Marti Ahtisari u caktua nga OKB për përgatitjen e marrëveshjes që solli më pas shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Nuk është asgjë e rastësishme në këtë botë, vetëm varet se sa vonë do ta kuptojmë

Pasi dolëm i pyeta kolegët e mi, se a ka dikush nga ne në USB ndonjë film të tillë për historinë tonë, për rezistencën e popullit tonë dhe luftën e lavdishme të UÇK-së, jo asnjëri nga ne nuk kishte një gjë të tillë me vete, dhe kjo ishte për keqardhje.

Kjo më shtyri të mendoj më shumë në këtë drejtim, dhe tani mendoj se pa marrë parasysh profesionin ne duhet të kemi njohuri për historinë e vendit tone dhe të dijmë ta prezentojmë atë, të dijmë se ç’ka hequr ky popull i joni për të arritur deri këtu, dhe këtë duhet ta trasojmë tek fëmijët tanë të cilët do ta qojnë përpara këtë vend.

E bëra këtë hyrje këtu me qëllim për të theksuar se sa është e rëndësishme njohja e historisë.

Ndërsa kur flasim për historinë shpesh dëgjoj se ne nuk duhet të humbasim kohë në këtë drejtim, dhe se duhet të fokusohemi në të tashmen e të ardhmen, madje shkohet deri aty sa që thuhet edhe të mos përfshihet as si lëndë në shkollë.

Por për të ecur drejtë tani dhe në të ardhmen ne duhet ta njohim historinë tonë dhe pse jo edhe të krenohemi me të. Të krenohemi për paraardhësit tanë, për luftën dhe përpjekjet e tyre për të ruajtuar qenien tonë kombëtare.

Mirëpo, ajo që dua të theksoj këtu është se ne kemi nevojë ta dijmë atë që ka ndodhur në këto troje, në pamjen më reale të mundshme, ashtu siç ka ndodhur, pa ngjyra dhe pa diktate. Në të kundërtën, nëse ne harrojmë apo nuk e dijmë të vërtetën që ka ndodhur, rrezikojmë që kjo të na përseritet. Fëmijët tanë duhet të dijnë për të kaluarën në mënyrë që të jenë të suksesshëm në të ardhmen

M’u kujtua kjo ngjarje derisa po mendoja të shënoja pak për librin ‘Kujtime 1885-1925’ të Eqrem bej Vlorës, jo pa shkas, ngase ky libër më bëri të kthehem prapa në kohë dhe të peshoj edhe një herë disa personalitete e ngjarje historike.

‘Kujtime’

Nëse doni të dini më shumë për jetën se si kanë jetuar shqiptarët para një shekulli, se si e kishin të organizuar jetën ata në atë kohë nën Perandorinë Osmane, për familjet e mëdha shqiptare dhe me emër të asaj kohe, për përpjekjet për shpëtimin e tokave shqiptare nën Perandorinë Osmane e cila kishte filluar të rrënohej në atë kohë, dhe për kohën e aspiratave të shprehura ekspansioniste të vendeve ballkanike fqinje me Shqipërinë, si Serbia, Mali i Zi e Greqia, për të marrur toka shqiptare, për angazhimin e atdhetarëve për bërjen e Shqipërisë në kohën kur ballkani dhe trojet shqiptare ishin arenë e luftërave ballkanike por edhe nën ndikimin e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.

Nëse doni të dini më shumë për emrat e mëdhenj të historisë sonë që jetuan në kohën për të cilën autori rrëfen kujtimet e jetës së tij, nëse doni të dini pak më shumë dhe më ndryshe për figurat emblematike shqiptare të asaj kohe, si; Ismail Qemali, Faik Konica, Fan Noli, Esat Pasha, Ahmet Zogu, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Bajram Curri, Avni Rrustemi dhe figura të tjera, por edhe për emra të të huajve që lanë gjurmë në historinë tonë, si Princ Vidi e të tjerë.

Nëse doni të dini më shumë për historinë tonë, jashtë kontestit të asaj që na është servuar nëpër shkolla dhe nga sistemi i kaluar ‘socialist’ e ‘demokratik’, në Shqipëri e Kosovë. Por edhe shumë e shumë më tepër, atëherë duhet lexuar librin ‘Kujtime 1885-1925’ nga Eqrem bej Vlora.

Mua ma preferoi një shok i imi, Safeti, një lexues i rregullt dhe i apasionuar, teksa një ditë po pinim kafe bashkë me të dhe shokë të tjerë dhe po bisedonim si zakonisht, dhe teksa biseda ra për përditshmërinë dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova në fillimet e shtetësisë së saj, duke bërë një krahasim me fillimet e shtetësisë së Shqipërisë mëmë.

Dhe derisa e dëgjoja atë me vëmendje, në vetën time ndava mendjen që sapo të kem mundësi do ta siguroj e lexoj këtë libër. Dhe mundësia erdhi, librin e sigurova në panairin e vjetëm të librit dhe sapo pata një rastin dhe pak kohë të lirë e fillova duke pasur parasysh angazhimin profesional dhe kohën e paktë të lirë në dispozicion.

E fillova dhe nuk munda të ndahem nga ‘Kujtimet’ derisa e përfundova, dhe si zakonisht në shumë faqe të librit nënvizova fjali të tëra, ashtu siç veproj zakonisht kur lexoj, dhe pastaj këtyre fjalive të nënvizuara u kthehem prapë ndërkohë më vonë

Përshtypja ime e parë ishte jashtëzakonisht impresionuese, dhe teksa e lexoja për mua sikur hapej një kaptinë e re dhe e panjohur e historisë sonë kombëtare.

Aq shumë ngjarje kishin ndodhur në fillim e shekullit të kaluar për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe sado që isha munduar të lexoj, disi nuk kisha arritur asnjëherë të kap thelbin e atyre ngjarjeve.

Për mua kishin mbetur të paqarta gjithë ato ndryshime brenda një kohe të shkurtër në atë kohë, nuk arrija të kuptoja se ku mbeti Ismail Qemali pas shpalljes së Pavarësisë, pse u zhduk papritmas dhe nuk u përmend më, pse erdhi Princ Vidi si princ në Shqipëri dhe si shkoi aq shpejtë, çfarë ndodhi me Esat Pashë Toptanin, kush ishte Avni Rrustemi, pse ndodhi lëvizja e Fan Nolit dhe pse shkoi aq shpejt qeverisja e tij, kush ishte Ahmet Zogu dhe si ishte koha e qeverisjes se tij, pse, e pse, e pse?

Dhe derisa po lexoja ‘Kujtimet’, po mundohesha të bëja edhe krahasime me historinë që kisha lexuar më përpara, por edhe me filmat që bënin fjalë për këtë periudhë, si; ‘Nentori i Dytë’, ‘Liri a Vdekje’, ‘Udha e shkronjave’ e plot filma të tjerë nga Kinostudio Shqipëria e Lirë, që mund t’i shihnim tek RTSH, të cilët i shoh me ëndje edhe sot prapë e prapë kur më jepet rasti, por sikur nuk me ngjan historia e këtyre filmave dhe atyre librave të historisë me ‘Kujtimet’ e Eqrem bej Vlorës. Tani sikur më del ajo kohë shumë më e zymtë dhe me plot prapaskena që ne nuk i kemi njohur dhe sikur na del historia e mësuar deri tani si ‘e kurdisur’ dhe ‘e stolisur’ sipas qejfeve të atyre që e shkruan dhe atyre që urdhëruan të shkruhej kështu.

Une po ngrij vetëm pikëpyetje këtu dhe po ju inkurajoj ta lexoni edhe Ju, dhe më pas të keni edhe Ju një mendim tuajin të pavarur për krejt këto ngjarje historike.

Në anën tjetër vetë jeta e Eqrem bej Vlores del të jetë si një film interesant por pa ngjyra. Pasi lexova ‘Kujtimet’, hyra në internet, hulumtova dhe mësova më shumë për Eqrem bej Vlorën.

Ai kishte lindur në një nga familjet e mëdha siç ishte ajo e ‘Vlorajve’ dhe ishte i biri i Syrja bej Vlorës (i cili ishte djali i xhaxhait të Ismail Qemalit), një personalitet me emër në atë kohë i cili ishte edhe deputet i Vlorës në Stamboll.

Ai ishte shkolluar në Vjenë, dhe kishte pasur fatin të punonte si nëpunës në Stamboll. Gjithashtu ai kishte vizituar shumë vende në Lindjen e Afërt, Afrikë dhe Evropë. Kishte pozita të shumta dhe me përgjegjësi në fillimet e shtetit shqiptar, ishte sekretar i përgjithshëm i Princ Vidit, ministër, deputet dhe diplomat. Ai gjithashtu ishte një studiues, dhe njohës i shumë gjuhëve të huaja.

Ai kaloi sfidat jetësore me sukses nga kalimi prej Stambolli në Vlorë kur po ndodhte revolucioni i Turqve të Rinj, nga Vlora ne Itali në Luftën e Parë Botërore, internimi  dhe kthimi prapë në atdhe më pas, pastaj sfidat që kishin të bënin me luftërat politike në kohën e ndërrimit të qeverive në vitet 20-ta në Shqiperi. Por ajo që nuk e kaloi dot ishte sfida e përballjes me komunistët, kur në fundin e gushtit të vitin 1944 derisa ishte Minister i Jashtëm duke parë se si po rrjedhnin ngjarjet me partizanët e Enver Hoxhës, ai vendosi të largohej përkohësisht nga vendi, duke lënë në Shqipëri gruan dhe dy vajzat. Por ky largim i përkohshëm u bë i përhershëm për të dhe Eqrem bej Vlora nuk i pa me kurrë Shqipërinë dhe familjen e tij. Familja e tij u persekutua, ndërsa pasuria e tij u shkatërrua.

Ai vdiq në Vjenë në vitin 1964 derisa ishte duke u përpjekur te shënonte ‘Kujtimet’’ e tij, të cilat mbetën pa u përfunduar.

E tillë është jeta, askush nuk i tejkalon të gjitha sfidat.

Musa Gashi është ekspert mjeko ligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra e Studentëve në Prishtinë, më datën 26.09.2022, ditë e…