Kujtime egotiste

04 gusht 2021 | 13:30

MARI HENRI BEL (STENDAL)

Kapitulli i tretë

(përktheu nga origjinali (nga frëngjishtja) Verjon Fasho)

[për herë të parë në gjuhën shqipe]

(kapitujt e mëparshëm, në numrat pararendës të revistës)

21 qershor 1832.

Dashuria, më 1821, më dha një virtyt aq qesharak: dëlirësinë.

Me gjithë përpjekjet e mia, në gusht 1821, Lysinzhi, Baroi dhe Puatvëja, duke më parë ashtu të brengosur, ujdisën një mbrëmje të këndshme me disa vajza nga ato. Baro, aq sa kuptova më pas, ishte një ndër talentet e hershme të Parisit për këtë lloj kënaqësie fort të zgjedhur. Një vajzë për të nuk është vajzë veçse një herë kur është e para. Ai shpenzon tridhjetë mijë franga nga tetëdhjetë mijtë të tijat dhe, nga këto tridhjetë mijë, të paktën njëzet mijë me vajza rruge.

Baroi, pra, organizoi një mbrëmje me zonjën Pëti, dashnorja e tij e hershme, së cilës, besoj, sapo i kishte huajtur para për të marrë një banesë (to raise a brothel[1]), në rrugën Kadran, në cep të rrugës Montmartrë, në kat të katërt.

Duhej ta takonim Aleksandrinën e cila gjashtë muaj më pas do të rronte në luks të madh me paratë e dashnorëve të pasur anglezë, asokohe një fillestare prej dy muajsh. Aty rreth orës tetë të darkës bujtëm në një sallon aq tërheqës, megjithëse në kat të katërt, me verë shampanje të ftohur me akull, me ponc të ngrohtë… Më në fund u shfaq Aleksandrina, e drejtuar nga një shërbyese e ngarkuar për ta vëzhguar por, se nga kush, s’më kujtohet. Por kjo femër duhej të kishte një autoritet të lartë, pasi pashë që nga kjo mesele e kurdisur kishte shtënë në xhep tashmë nja njëzet franga. Aleksandrina u shfaq dhe i tejkaloi të gjitha pritshmëritë tona. Ishte një vajzë me shtat të derdhur, nja shtatëmbëdhjetë a tetëmbëdhjetë vjeçe, jo më shumë, e formuar plotësisht tanimë, me dy sy të zinj që, më pas, i hasa në portretin e dukeshës de Urbino, të Ticianit, në galerinë e Firencës[2]. Përpos ngjyrës së flokëve, Ticiani bëri dhe portretin e saj. Ajo kishte shtat të derdhur, çehre pak të ndrojtur, por e buzëqeshur; me një fjalë, për t’u pirë në kupë. Sytë e shokëve të mi u magjepsën nga kjo pamje. Lysinzhi i ofroi një gotë me shampanjë që ajo e refuzoi dhe të dy u zhdukën në një tjetër kthinë. Zonja Pëti na paraqiti dy vajza të tjera të hirshme, por i thamë se ajo vetë ishte më e pashme. Kishte këmbë të admirueshme, Puatvë ia zbuloi. Pas një intervali kohe të gjatë që të ngjallte frikë, Lysinzhi u rikthye krejt i zbehtë.

“Për ju, Bejli (sic[3]). Nderime për të sapoardhurin!” – thirrën njëzëri.

E gjej Aleksandrinën mbi një shtrat, paska të lodhur, pjesërisht të veshur, dhe saktësisht në pozicionin e dukeshës Urbini, në tablonë e Ticianit.

“Le të bisedojmë nja dhjetë minuta”, më tha ajo si me të qeshur. “Jam pak e lodhur. Shpejt do ta rigjej zjarrminë e rinisë që na gëlon”.

Ajo ishte e adhurueshme. Mbase kurrë në jetë s’kam parë bukuri të tillë. Përjashtuar sytë, të cilët pak nga pak xixëllonin çmenduri dhe pasion, shthurja nuk binte në sy. Por e gjithë situata po më shkiste si rëra ndër gishta; një fiasko e plotë nga ana ime. Kërkova ndonjë mënyrë kompensimi. Ajo pranoi. Duke mos ditur realisht se ç’të bëja, desha t’i rikthehem lojës me duar të cilën ajo e refuzoi. Ajo dukej e trembur. I thashë nja-dy tri fjalë, mjaft të ëmbla për pozitën ku ndodhesha, dhe u largova.

Baroi më zëvendësoi në çast, e sakaq u dëgjuan shpërthime të qeshurash aq të forta sa i përshkuan të tria dhomat deri në veshin tonë. Papritur, zonja Pëti i lejoi vajzat e tjera të largoheshin dhe Baro na e solli Aleksandrinën pothuajse krejt të zhveshur.

Një bukuri që sapo ua kishte rrëmbyer kthetrave të gjumit.

“Admirimi im për Bejlin, – tha ai duke u zgërdhirë si i çartur, – do të bëjë që ta imitoj tani. Po fortifikohem me ca shampanjë së pari”.

Të qeshurat zgjatën nja dhjetë minuta. Puatvë rrokullisej mbi qilim. Habia e tepruar e Aleksandrinës dukej shumë komike. Ishte hera e parë që vajza e gjorë e kishte humbur toruan asisoj.

Këta zotërinj donin të më bindnin se do të vdisja nga turpi dhe se ai ishte çasti më fatkeq i jetës sime. Isha i befasuar, asgjë më tepër. Nuk e di pse më kishte kapluar mendimi për Metildën duke hyrë në atë dhomë ku Aleksandrina përbënte stolinë më të bukur.

Përfundimisht, gjatë dhjetë vjetëve nuk kam shkuar as tri herë bashkë me vajza të kësaj sëre. Dhe, pas Aleksandrinës grishëse, ajo e radhës më qe në tetor apo nëntor 1827, në një gjendje të rënduar dëshpërimi.

Nja dhjetë herë e kam parë Aleksandrinën në karrocën e saj të shkëlqyer që e bleu një muaj më pas dhe gjithnjë e sodisja me ëndje. Më pas, në krye të pesë a gjashtë vjetëve, ashtu si shoqet e saj, ajo mori një çehre të rëndomtë.

Që nga ajo mesele, në praninë e tre shokëve të jetës, që rastësia m’i kishte bërë peshqesh, unë isha Impotenti plakaruq[4]. Ky palo reputacion m’u përhap gjithandej dhe, pak apo shumë, zgjati deri kur zonja Azyr, pas performancës sime me të, raportoi të kundërtën. Ajo mbrëmje e forcoi ndjeshëm lidhjen time me Baroin, të cilin ende e kam dhe më ka përzemër. Ai është, mbase, francezi i vetëm në kështjellën e të cilit më kënaqësi do t’i kaloja një dy javë. Është zemra më e çiltër, karakteri më i panjollë, njeriu më pak mendjemprehtë dhe më pak i arsimuar që njoh. Por në këto dy cilësi: ajo e fitimit të parave para, pa luajtur kurrë në Bursë, dhe ajo e njohjes me një vajzë që e has gjatë një shëtitjeje ose në teatër, ai s’e ka shokun, sidomos në të dytën. Kjo gjë u bë nevojë. Çdo vajzë që më herët ka ushqyer ndjenja për të i bëhet si të ishte burrë.

Një natë Metilda më foli për zonjën Binjami, mikeshën e saj. Ajo më rrëfeu një histori dashurie fort të bujshme të saj, pastaj shtoi: “Gjykojeni dhe vetë se ç’fat të zi që ka: çdo mbrëmje, dashnori i vet, me të dalë prej shtëpisë së saj, shkonte te një tjetër çupkë”. Mirëpo, kur u largova nga Milano, kuptova se kjo frazë morale nuk i përkiste aspak historisë së zonjës Binjami, por qe paralajmërim moral për mua.

Në fakt, çdo mbrëmje, pasi shoqëroja Metildën te kushërira e saj, zonja Traversi, tek e cila si në gjendje limontie kisha refuzuar të paraqitesha, shkoja ta përfundoja mbrëmjen te fort e hirshmja dhe hyjnorja konteshë Kasera. Dhe nga një tjetër marrëzi e imja, ngjashëm me atë që bëra me Aleksandrimën, një herë refuzova të isha dashnori i kësaj gruaje ende të re, ndoshta më e dashura që kam njohur në jetë, dhe e gjithë kjo për të merituar, përpara Zotit, dashurinë e Metildës. Me të njëjtin zell dhe për të njëjtën arsye, refuzova të famshmen Vigano e cila, një ditë, ndërsa gjithë të ftuarit e saj po zbrisnin shkallëve, – dhe midis dashnorëve ishte ai burrë mendjehollë, konti de Sorin, – i la njerëzit të shkonin para dhe më tha:

“Bejl, ka zëra që thonë se jeni i dashuruar pas meje!”.

“Epo gabohen”, – ia ktheva gjakftohtë, madje pa ia puthur as dorën në të ikur. Ky veprim i pahujshëm, ndaj kësaj gruaje me karakter aq të fortë, më bëri të urrehem për vdekje. Ajo, në një nga ato rrugët e ngushta të Milanos, kur haseshim ballë për ballë, nuk denjonte më të më përshëndeste as me kokë.

Ja tri marrëzitë e mëdha. Kurrë nuk do t’ia fal vetes rastin e konteshës Kasera (sot njihet si femra më e mençur e që gëzon namin më të mirë në mbarë vendin).

(Marrë nga numri i 11-të i revistës “Akademia”)

[1]Për të ngritur një bordello ang.

[2]La Tribuna.

[3]Sic” është fjalë latine që nënkupton “pikërisht” ose “ashtu siç duhet”.

[4] Shih Armance-n (Babillan).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
LIRAK KARJAGDIU (Rreth romanit “1984” të Xhorxh Oruellit) Xhorxh Oruelli…