Kujtime nga 11 marsi i vitit 1981
Izet Abdyli
Ishte një nga ditët e zakonshme të vitit. Ende ftohtësia e acarit të dimrit ishte e pranishme. Me cimerët në konviktin nr. 4 po pinim qaj mali dhe po dëgjonim këngë patriotike nga kasetofoni që e kisha sjellë nga shtëpia. Po bisedonim për çështje të zakonshme të aktualitetit, për gjendjen e rëndë në Kosovë si pasojë e papunësisë, për ngritjen e çmimeve, për problemet sociale, për kushtet e studentëve etj. Ishin biseda të zakonshme që bënim pothuaj çdo natë.
Kishte rastisur që atë natë kishim mysafirë dhëndrin tim, Jonuzin, i cili rreth orës 20.00 kërkoi leje ngaqë do të udhëtonte për shtëpi dhe kishte autobusin e fundit. Si e do trendi, dola ta përcjell deri te Mensa e Studentëve. Sapo dolëm u dëgjua një zhurmë jo e zakonshme, lëvizje e studentëve në grupe dhe pa pritur takoi Ismail Sylën (shok i gjeneratës së gjimnazit) i cili më thotë: Izet, u kall. Dhe menjëherë kuptova nëntekstin e kësaj fjale, se kishte shpërthyer demonstrata e cila, të thuash, ishte e pritur, ngaqë kishte kohë që ndër studentë vlonin pakënaqësitë dhe pritej vetëm momenti kur të shpërthenin me ndonjë revoltë. Shpejt përshëndetemi me mikun duke sugjeruar të ketë kujdes gjatë rrugës dhe kthehem në konvikt për t’i njoftuar cimerët që të dalin se diçka po vlonte në oborrin e konvikteve. Nisem drejt barakës 3, ku takoi shokun tim të gjeneratës nga shkolla fillore, Ramë Prenkun, dhe aty mësojmë se në mensë ka shpërthyer revolta e studentëve të cilët kanë mësyrë drejt qytetit me kërkesat për kushte më të mira për studentë.
Turma sa vjen e rritet dhe kërkesat, përveç kushteve më të mira, rriten edhe kërkesat politike për status politik të Kosovës, për grabitjen që i bëhej ekonomisë së Kosovës, për shqiptarët që mbaheshin në burgje. Pasi që turma veç filloi të rritej, doli kërkesa nga organizatoret që të niseshim drejt qytetit (kishte kaluar ora 21.00), por nën Mensën e Studentëve na priti kordoni i policëve, të cilët kishin bllokuar rrugën. Një ndjenjë e papërshkrueshme në ato çaste kur sheh tërë turmën e gatshme për t’u sakrifikuar pavarësisht prej masave represive. Vijnë një sërë politikanësh për, kinse, ta qetësuar turmën dhe për të biseduar, madje edhe me taktizim për t’u tërhequr në brendi të qendrës, por vendosmëria e studentëve është të marshojnë drejt qytetit.
Në trafon e vogël që gjendej nën mensë shquhet një djalosh me mjekër (Ali Lajçi ishte, mësuam më vonë), i cili i drejtohet turmës me një fjalim atdhedashurie dhe turma ndezet edhe më shumë. Fillojnë brohoritjet: Duam kushte. Lironi shokët. Trepça punon, Beogradi ndërton. Duam liri etj. Te kota janë përpjekjet e disa politikanëve për t’iu drejtuar turmës. Ata refuzohen kategorikisht. Kalon dhe mesnata dhe studentët janë të vendosur për të marshuar drejt qytetit. Rreth orës 3.00 të mëngjesit bëhet përpjekje për shpërthim të kordonit të policisë, por aty pason gjuajtja me gaz lotsjellës nga policia dhe u detyruam të tërhiqemi lart drejt palestrës së sporteve. Ishte përvoja e parë me gazin lotsjellës e ndonjëri “hëngri” edhe ndonjë shkop gome e kishte edhe të lënduar.
Të stërlodhur pas një qëndrimi disaorësh në rrugë, rreth orës 4.00 të mëngjesit u kthyem në konvikte. Të nesërmen shkuam si zakonisht në ligjërata, ku mungonin shumë studentë, ndërsa ata që i njoftonim për ndodhinë e mbrëmjes së kaluar, shprehnin habi ngaqë asnjë informatë nuk ishte dhënë në media, madje as shtypi ditor nuk dha asnjë lajm. Sidoqoftë, sinjali i parë i pakënaqësisë ishte dhënë dhe revolta e popullit do të shpërthej edhe më fuqishëm më 26 mars në Prishtinë dhe më 1 e 2 prill në të gjitha qytetet e Kosovës. Këto demonstrata ishin goditja e parë që i tundi themelet e krijesës artificiale të quajtur Jugosllavi dhe ngjarjet e mëpastajme që rrodhën dëshmuan se ato demonstrata ishin të drejta dhe në vitet ’90 kulmuan me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.
Autori i këtij shkrimi ishte pjesëmarrës i këtyre demonstratave.