Por, jo çdo gjë ishte në duart e vetë përvojës ushtarake dhe nuhatjes politike të Smileyt. Shtabi britanik kishte vendosur të mbështeste forcat e Enver Hoxhës dhe një ushtarak si Smiley, që kishte ndihmuar antikomunistët, mund të vazhdonte të qëndronte sërish në Shqipëri. “U larguam të indinjuar. Shtabi ynë kishte vendosur t’ia kalonte të gjitha ndihmat komunistëve dhe të tërhiqte oficerët britanikë nga trupat e Abaz Kupit dhe Ballit Kombëtar”, kujton Smiley.
Derisa misioni britanik shumëfishoi ndihmën për komunistët, David Smiley, i pari ushtarak aleat i hedhur nga Shtabi i Operacionit SOE në Shqipëri, u largua i zhgënjyer dhe plot indinjatë.
Në kolltukët e dhomës së tij të ndenjës, kolonel Smiley pranoi se vendimi i shtabit të tij, mund të ketë qenë i imponuar nga rrethanat. “Ballistët e zogistët nuk i luftuan shumë gjermanët, sepse ndoshta pritën të shihnin se çfarë drejtimi do te merrte lufta”.
Por, edhe 60 vjet pas përfundimit të luftës, Smiley nuk ka ndërruar mendje për krahun e djathtë të luftës në Shqipëri. Një qylaf i bardhë me shkabë, është ndër sendet e para që të kap syri, në hyrje të apartamentit të tij.
“Janë të shumtë ata që nuk janë dakord me mua, por ka plot të tjerë që mendojnë si unë. Sikur gjatë luftës të kishim përkrahur të djathtët, ata do të kishin luftuar, gjë që nuk e bënë. Ata ishin mjaft të stërvitur dhe kishin oficerë nga xhandarmëria. Mendoj se me të vërtetë do të kishin pasur sukses, sikur britanikët të mos kishin vendosur, papritur, t’ia kalonin gjithë ndihmat Enver Hoxhës”.
Por, a pajtohej kolonel Smiley me mendimin, se pjesa më e madhe e rreth 30 mijë shqiptarëve të vrarë gjatë luftës ishin në krahun e komunistëve dhe jo të kundërshtarëve të tyre të djathtë? Pyetja e bëri të heshtte, për një moment. Nuk u përgjigj menjëherë, por ka dëgjuar.
“Mendoj se Enver Hoxha, ishte fare i pashpirt në luftën për eliminimin e kundërshtarëve politikë, edhe kur akoma nuk i kishte marrë frenat e vendit në dorë”, filloi të përgjigjej ish-kapiteni i kohës së Luftës dhe vazhdon: “Partizanët vranë shumë ballistë e zogistë dhe, kur u larguam ne, vendi ishte në luftë civile. Mua më vjen keq ta pohoj, por komunistët fituan. Ata fituan, sepse kishin armë më të mira, ishin stërvitur më mirë dhe kishin më shumë përvojë në male. Ata ishin të pajisur më mirë, falë ndihmës që morën nga britanikët.”
Pse nuk patën sukses përpjekjet për të larguar nga pushteti udhëheqësin komunist. Kush tradhtoi dhe roli i Abaz Ermenjit dhe Abaz Kupit?!
Matanë perdes së hekurt
Hyrja e partizanëve në Tiranë, mund të dukej vërtetë si një togë festive në marshimin e madh të aleatëve fitimtarë. Por, parada e kuqe, që niste nga brigjet e Baltikut, kishte mbërritur në Adriatik. Në vitin 1946, Winston Churchill diagnostikon në këtë mënyrë gjendjen e Evropës së pasluftës: “Një perde e hekurt ka rënë përmes kontinentit”!
Kur e kuptuan se çfarë po ndodhte në Shqipëri, krerët e Smileyt në Londër hapën sërish hartat e vjetra të luftës. Enver Hoxha duhet të hiqej, nga vetë njerëzit e vet. Operacioni kishte nevojë për bazë politike dhe ushtarake. Në fushë u sollën sërish lojtarët me përvojë. Ishte pikërisht vjeshta e vitit 1949, kur emri i ish-misionarit, David Smiley, u lidh sërish me Shqipërinë. Ai u emërua komandant ushtarak i kampit stërvitor të diversantëve në Maltë.
“Ishte operacion i përbashkët anglo-amerikan. Asokohe ishte formuar Komiteti ‘Shqipëria e Lirë’, kryesisht me njerëz të Abaz Ermenjit dhe Abaz Kupit. Ata kishin vendosur dërgimin e disa shqiptarëve të larguar pas luftës në Shqipëri, për të parë mundësitë e minimit të regjimit të Enver Hoxhës. Mua më ngarkuan detyrën e stërvitjes së këtyre shqiptarëve, në Maltë. Pas ca kohe, ata u hodhën në Shqipëri nga deti. Fatkeqësisht, shumica e tyre u kapën, vetëm pak shpëtuan. U kuptua se, në shumicën e rasteve, atyre u zinin pritë. Arsyet do të merreshin vesh më vonë. Meqenëse ne bashkëpunonim me amerikanët, duhet t’u tregonim atyre se çfarë po bënim. Vetë amerikanët kishin filluar parashutimin e desantëve në veri të Shqipërisë, ndërsa unë operoja në jug duke i dërguar desantët e mi nga deti. Ndodhi që personi që mbante lidhjet mes britanikëve dhe amerikanëve, në Uashington, ishte një agjent, më emrin Kim Philby. Ai ua dërgonte gjithë informacionet rusëve, të cilët më tej, ia kalonin Enver Hoxhës. Prandaj, Hoxha i njihte veprimet tona me saktësi. Ne na preu në besë një tradhtar britanik”!
Kolonel Smiley, nuk harroi të theksojë, edhe njëherë, cilësitë e shqiptarëve që stërviti për shumë vjet në kampin e Maltës. “Të gjithë njerëzit që hidheshin në Shqipëri, ishin patriotë dhe shumë guximtarë. Mua më erdhi jashtëzakonisht keq kur mësova për fatin e tyre. Ata ishin rekrutuar nga Abaz Ermenji dhe një pjesë nga Abaz Kupi. Rekrutimi ishte bërë mbi baza vullnetare, kryesisht nga kampet e refugjatëve në Gjermani, ku ishin përqendruar shumë shqiptarë. Më pas ata erdhën tek unë në Maltë, për t’u stërvitur si guerilë. U ndjeva thellësisht i zhgënjyer, kur mësova se i kishin kapur. Ata që kishin arritur të shpëtojnë, erdhën në Greqi dhe na treguan se si kishin rënë në prita. Sipas tyre, kjo kishte ndodhur ose për shkak të shkeljes së masave të sigurisë, ose ngaqë dikush i kishte tradhtuar. Unë nuk dija ç’t’ju thosha. E vërteta u mësua vetëm më vonë, kur fillimisht dy agjentë (Guy Burghes dhe Donald Maclain) e më vonë Philby, u arratisën në Moskë. Ne na kishin tradhtuar”.
Britanikët ishin të parët që pranuan se operacioni kishte dështuar dhe përpjekjet për të shkaktuar trazira në Shqipëri, duheshin ndërprerë. Organizatorëve nuk u kishte ndihmuar as përvoja e vetë dhe as modelet në vendet fqinjë:
“Të njëjtat probleme, kishin ekzistuar edhe në Greqi e Jugosllavi. Në të dy rastet, kishte pasur përballë dy kundërshtarë të ashpër politikë, të djathtët dhe komunistët. Në të dy rastet, pati luftë civile. Në Jugosllavi ne mbështetëm Titon, kundër Mihajloviqit që unë mendoj se ishte vendim i gabuar … Fatmirësisht, përkundër këshillave të amerikanëve, në Greqi ne dërguam trupa të cilat ua bllokuan komunistëve rrugën drejt marrjes së pushtetit. Kjo është arsyeja se pse Greqia nuk mbeti matanë perdes së hekurt, si Shqipëria e Jugosllavia”.
Nga një ishull grek në anën tjetër të perdes së hekurt, kolonel Smiley dhe operativë të shërbimeve të kundërzbulimit, regjistronin dëmet e tradhtisë që solli dështimin e operacionit shqiptar. Disa dhjetëra të vrarë, banorë e diversantë. Të dyja palët shqiptare! A ia vlente? Dhe a nuk u lanë në baltë vetë shqiptarët diversantë, nga mjeshtrit e tyre të huaj?
“Mund të them, madje, se ata u lanë në balte edhe nga unë vetë. Në fund të fundit, isha unë ai që, në mirëbesim, i nisa në Shqipëri duke mos e ditur se ishim të tradhtuar. Ata ishin burra shumë guximtarë dhe nuk i gjej dot fjalët, për të shprehur keqardhjen për fatin e tyre … Grupet e desantëve, zakonisht prej katër vetash, binin në pritë. Ata kapeshin, torturoheshin dhe pushkatoheshin. Operacioni ynë synonte të shihte reagimin e njerëzve ndaj regjimit të Hoxhës. Por, doli se ata ishin aq të frikësuar, sa nuk mund t’i ndihmonin njerëzit që zbarkonin. Përgjigjja, pra, ishte se nuk ia vlente dërgimi i forcave të tjera, sepse Enver Hoxha e kishte vendin nën kontroll të plotë dhe njerëzit ishin tmerrësisht të frikësuar prej tij. Disa nga desantët që shpëtuan, i takova më vonë në Greqi dhe asnjëri nuk e kishte inatin me mua. Dua të sqaroj se operacioni ishte konceptuar si rikonjicion, për matjen e pulsit të njerëzve. Nuk ishte operacion për minimin e regjimit të Enver Hoxhës. Ishte thjesht një përpjekje paraprake njohëse, për të parë nëse ia vlente ndërmarrja e një operacioni me të madh. Dhe përgjigjja ishte: jo”!
Smiley u kthye në bazën e regjimentit britanik në Gjermani, ku pas dy vjetësh merr vesh hollësitë e plota të arsyeve që sollën dështimin. Më tej, për operacionin shqiptar u fol e u shkrua nga të dy krahët. U përshkrua si “Radiolojë”, “Tradhti e Madhe” dhe u llogarit “Kostoja e një tradhtie”. Operacioni mund të ketë qenë hartuar që prej fillimit, vetëm si “një episod beteje në luftën kundër komunizmit”, por ekzekutuesve të tij u janë dashur vite të pajtohen me dështimin.
Kolonel Smiley, duket se i ka pjekur shumë herë, me qetësinë e duhur, këto suksese e disfata gjatë viteve të kaluara në shtëpinë e tij, në lagjen e qetë në perëndim të Londrës. Tashmë, kur po prek 90 vjetët, e ndjente se dashur pa dashur, është i lidhur me historinë e këtij vendi, edhe pse aventurat me ballistë e partizanë, tashmë janë shumë të largëta.
Ndërsa ngre me fund gotën e rakisë së ardhur nga disa miq shqiptarë, kolonel David Smiley, tregoi se ka komunikuar lirisht me të njohurit në Shqipëri, madje se ka qenë disa herë atje. “Tani Shqipëria është transformuar krejtësisht. Por, u desh kaq shumë kohë”, thotë, duke kujtuar se çfarë vlere merr koha në moshën e tij. /Memorie.al/
David Smiley (majtas) dhe “Billy” McLean në Shqipëri më 1944