Kujtimet e Vuçiqit: Kisha bisedë të pakëndshme me Thaçin në Bruksel – fjeta në dysheme
Edhe sot, dhjetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, ai insiston që kjo dhe marrëveshjet e tjera duhet të realizohen dhe të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, qëndrimi dhe kujtimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me atë marrëveshje të parë për parimet e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duket se ndryshon.
Kur i konvenonte, ritregimi i gjallë i ngjarjeve të negociatave disamujore e bëri atë hero në opinion dhe më merituesin për arritjen e marrëveshjes së nevojshme, edhe pse nuk e nënshkroi ai, por kryeministri i atëhershëm Ivica Daçiq.
Dhe kur nuk i shkon, siç duket në shkurt në seancën e Kuvendit të Serbisë, atëherë nuk e ka të vështirë t’i kujtojë publikut nënshkruesin, madje edhe t’i kërcënojë partnerët e koalicionit të SPS (Partisë Socialiste të Serbisë) me zgjedhje, sepse ata nuk e mbrojtën sa duhet, shkruan gazeta serbe “Danas“.
Ai ka sqaruar zemërimin e tij ndaj socialistëve duke thënë se marrëveshja e Brukselit është përmendur 190 herë negativisht në Parlament dhe ai si fajtor.
“Asnjëherë nuk u përmend se kush e nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit”, tha Vuçiq, duke shtuar se ajo dëmtoi ndjeshëm marrëdhëniet mes SNS-së (partisë së Vuçiqit) dhe SPS-së.
Kur bëhet fjalë për kujtimet e gjalla të Vuçiqit për, siç tha ai, natën më të vështirë në Bruksel, të cilës i kthehej herë pas here gjatë këtyre dhjetë viteve në daljet publike, disa muaj pas nënshkrimit për Globusin e Zagrebit, ai përshkroi situatën para nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, për të cilën mediat vendase raportuan menjëherë.
Vuçiq tha se në një moment në Bruksel ai ka fjetur në dysheme.
Siç tha ai, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka pranuar të vazhdojë bisedën me të pas konfliktit verbal që kanë pasur dhe ka kërkuar që të vazhdojë komunikimi me Daçiqin.
“Më parë unë dhe Thaçi kemi pasur një bisedë shumë të pakëndshme. I thashë Daçiqit: ‘Shko atje, kjo është punë e kryeministrit, por mos prano se është e papranueshme për ne”, ka thënë Vuçiq, siç kanë raportuar mediat.
Ai tha se u detyrua të shtrihej në dysheme dhe të flinte në mantelin e tij, pasi në dhomë nuk kishte “as kolltukë, as karrige të rregullta, asgjë”.
“E dija që do ta mbanin të paktën dy orë dhe se ai nuk mund të pranonte asgjë, kështu që vendosa mantelin në dysheme dhe i lodhur siç isha, pas 10-12 orësh negociata u shtriva mbi të dhe fjeta dy orë të plota. E dija që asgjë e keqe nuk mund të ndodhte. Dhe vërtet kam fjetur mirë”, tha Vuçiq.
Përveç mungesës së mobileve, ai u ankua edhe për ushqimet modeste që u servireshin negociatorëve.
“Ata ju sjellin disa sanduiçe, por kush i gjallë do t’i hajë ato. Për ne që vijnë nga Ballkani, buxheti i BE-së siguron para të pakta, kështu që këto sanduiçe janë të cilësisë më të ulët. U thashë këtë tanëve: ‘Ja paratë tuaja, shkoni blini diçka të mirë që të ndihemi të gjithë si njerëz’. Dhe pastaj ata shkojnë dhe blejnë ton (peshk), salmon dhe gjithçka. Unë hëngra ton. Ndërsa Thaçi porositi një picë nga piceria”, tha Vuçiq.
Kujtojmë se Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar më 19 prill 2013. Ajo është nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm të Serbisë dhe Kosovës, Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi, si dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.