Kujtohen dëshmorët dhe martirët e Kaçanikut
Në nderim të rënies së dëshmorëve Kemal Thaçi e Ekrem Gudaqi, si dhe martirëve të rënë më 21 maj 1999 në komunën e Kaçanikut të martën është mbajtur akademi përkujtimore.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se pas dy dekadave, kërkojnë drejtësi për të gjithë martirët e dëshmorët e rënë.
“Sot po na bashkon edhe një 20-vjetor, përvjetor malli dhe krenarie për veprën dhe sakrificën, për lirinë e vendit. Me dhembje të madhe kujtojmë figurat emblematike të Thaçit e Gudaqit. Ata vulosën me gjakun e tyre, lirinë e brezave. Po në këtë ditë të pranverës së përgjakur, dora e armikut ishte e pamëshirshme. E 20 vite pas çka na mbetet është të kërkojmë drejtësi. Në këto qaste të dhembjes jemi krenar për historinë tonë. Në themelet e saj janë dëshmorët e martirët”, ka thënë Ilazi.
Ndërsa, veterani dhe mjeku i luftës, Bejtush Jaha, ka kujtuar 21 majin e vitit 1999, duke thënë se kjo masakër tregon barbarinë serbe.
“Vendosja e njësive të UÇK-së në këto fshatra kishte përgjegjësi të madhe në mënyrë që të mbrohet popullata civile. Me 21 maj 1999, ndihet një qetësi para stuhisë, në orën 6 forcat serbe ndërmorën një sulm. Edhe pas granatimeve, njësitet e UÇK-së arritën të përballojnë. Kjo masakër tregon qyqarinë dhe barbarinë serbe. Nga pamundësia për t’u përballur me forcat serbe, ata dëshmuan barbarinë e tyre. Stagova e Agim Bajramit u djeg dhe persekutua, por nuk ka asgjë më me vlerë dhe më afër Zotit se satë jesh afër popullit”, ka theksuar Jaha.
Në emër te organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Dega në Kaçanik, Hajrush Kurtaj, ka thënë se duke kujtuar këtë 20-vjetor, kujtohet qëndresa e popullit të Kosovës, sakrifica dhe heroizmi i martirëve të rënë për liri. /KosovaPress/