Kujtohet çlirimi i Podujevës, përurohet një shqiponjë gjigante
Podujeva festoi Ditën e Çlirimit, mungon Agim Veliu, feston opozita, raporton T7
Po i dëbonin forcat e fundit serbe. Të rinj e të moshuar kishin dalë më 19 qershor të 99`tës që të shohin momentin e çlirimit, daljen e atyre që u shkaktuan shumë vuajtje e dëme dhe hyrjen e atyre që i konsideronin si forcat e shpëtimit.
Gëzimi i madh për hyrjen trupave të NATO-s, i kishte shtyrë llapjanët atë ditë ta rrezikojnë edhe jetën e tyre.
Kjo pasi në qytet kishte ende forca policore serbe.
E njëri nga ata që ishte në mesin e njerëzve atë ditë, ishte Hamit Lushaku. Ai thotë që kjo ishte dita më e mirë e jetës së tij.
Lushaku thotë që pas kësaj, ata e bën një veprim, që e shënoi çlirimin e Podujevës.
Lushaku, shprehet se qyteti që e mbanë mend nga ajo kohë, nuk ka ndryshuar shumë ani pse pritshmëritë i kishte me të larta.
Por, e rëndësishme është për të, si dhe për shumë të tjerë që tash shëtisin lirshëm nëpër të.
E për nder të Ditës së Çlirimit, në hyrje të qytetit të Podujevës, u përurua edhe një shqiponjë gjigante.
Këtë ditë, llapjanët e shënuan në mënyra të ndryshme.
E këtu nuk mungoi as fotografia e Shaban Polluzhës..
Por vëmendja ishte tek shqiponja. Ideatori i saj tha se atij e qytetareve të Podujevës iu realizua një ëndërr e kamotshme.
E ai që e punoi këtë shqiponjë, thotë që këtë ia dedikon gjithë popullit të Kosovës.
Ndërkohë, shton se të gjithën e bëri me mjete vetanake.
Kjo ngjarje, i kishte mbledhur llapjanët. Të pranishëm në këtë përurim, ishin komandantë të luftës dhe familjarë të dëshmorëve.
Megjithatë organizimi kryesor për të shënuar këtë ditë të rëndësishme u bë nga opozita e kësaj komune.
Aty nuk u pa edhe kryetari i Podujevës, Agim Veliu.