Kuka: Koha të udhëheqin njerëzit e duhur në sport
Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, ka thënë se Kosova duhet të bëhet me Këshillin Kombëtar të Sportit. Trajneri Kuka ka thënë se në shumë federata po udhëheqin njerëz jo të duhur pa ndonjë kontribut.
Sipas tij tani ka ardhur koha që të udhëheqin meritorët. Kuka theksoi se rezultatet e garave ndërkombëtare po manipulohen nga shumë federata, duke pretenduar për thyerje të rekordit. Ai bëri thirrje që të mos lajthitet opinioni publik.
“Kosova ka ardhur koha të ketë Këshillin Kombëtar të Sportit, Por jo ai të ndërtohet me vota, po me kritere. Sporti s’është politikë e as klub sportiv me bë tifo! Këshilli Kombëtar i Sportit domosdoshmëri! Me njerëz me kredibilitet të lartë personal, me bagazh të sportistit e jo turistit. Organizatat Sportive janë mbushur me njerëz që askush si njeh për kontribut në sport dhe kjo është bë trend. A ka krizë në sportin e shtetit tonë, patjetër që po. A ka analizë të performansës së federatave shumë pak ose aspak”, ka thënë Kuka.
“Disa garues shkojnë në Kampionate Evropiane e Botërore e raportohet se janë thyer rekordet e Kosovës. Pse ky fenomen, atje shkohet të garohet me shtete tjera e jo e kundërta. Mos të lajthitet opinioni! Nëse shikohet numri i federatave e shohim një numër të madh të tyre, por sa prej tyre janë serioze në prezantim dinjitoz ndërkombëtar? Shumë numër i vogël! Sa sporte kanë fituar medalje elitare prej përfundimit të luftës e këndej? Të analizohet pse?”, ka shtuar ai.
Driton Kuka theksoi se fokusi kryesor është tek paraja dhe jo tek suksesi. “Kur flitet për buxhet krejt gjejnë arsyetime e kërkojnë modele për me marr ndonjë euro ma shumë, por sa nga mjetet nëpër federata investohen seriozisht në sportistë e trajner?”, ka deklaruar Kuka.