Kuka pret medalje nga Evropiani i xhudos në Prishtinë
Kanë mbetur edhe tri ditë deri te zhvillimi i ngjarjes më të madhe sportive të deritanishme në vend, ku xhudistë elitar nga mbarë bota do të zbarkojnë në Prishtinë.
Më 16 dhjetor (e shtune) do të zhvillohen finalet e Kampionatit Evropian të xhudos “Prishtina 2023”, raporton KosovaPress.
Trajneri i ekipit kosovar të xhudos, Driton Kuka ka thënë për KosovaPress se përgatitjet për këtë Evropian kanë shkuar mirë, ndërsa beson se edhe nga kjo garë do të ketë medalje për Kosovën.
“Përgatitjet kanë shkuar mirë, po besoj shumë që edhe nga kjo garë të kemi medalje për Kosovën. Ky është caku. Në kategorinë e meshkujve po zbresin më të mirët e Botë, njëjtë edhe te femrat”, tha Kuka.
Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova e Dardan Cena do të ndeshën për herë të parë në Kampionat Evropian në shtëpinë e tyre, në Kosovë.