Kuka pret përkrahje për kampionët e xhudos në Evropian

06 dhjetor 2023 | 14:56

Kampionati Evropian i Xhudos “Prishtina 2023” po afron. Kanë mbetur edhe 10 ditë deri te dita kur yje të shumtë të xhudos nga e gjithë bota do të zbarkojnë në Kosovë. E për Evropianin e Xhudos “Prishtina 2023”, trajneri i ekipit të Kosovës, Driton Kuka, ka thënë se kjo është hera e parë që kemi një nivel kaq të lartë të një gare në Kosovë.

“Evropiani absolut po vjen në Kosovë! Në kryeqytetin tonë javën tjetër po zbarkojnë elita e xhudos botërore. Kampionati Evropian absolut deri 73 kg për meshkuj dhe deri 57 kg për femra mbahet më 16 dhjetor në Prishtinë! Hera parë të kemi nivel kaq të lartë në shtetin tonë”, ka shkruar Kuka në “Facebook”, i cili më pas ka bërë me dije edhe emra të njohur si Azeri Hajdarov (i pari i ranglistës botërore të xhudos) që do të vijnë në Kosovë.

“I pari i ranglistës botërore Azeri Hajdarov, legjenda e xhudos, Kampion Olimpik Shavdatuashvili, nënkampioni olimpik, italiani Lombardo, do të vijnë në Kosovë e për ne garojnë Akil Gjakova dhe Dardan Cena që do të jenë të motivuar si kurrë më parë. Kategoria e femrave deri 57 kg, përveç dy kampioneve tona olimpike, do të marrin pjesë nga elita botërore edhe shumë medaliste botërore e evropiane!”, ka shtuar Kuka.

Trajneri i ekipit të xhudos së Kosovës ka thënë se pret përkrahje nga tribunat për kampionët e Kosovës. “Pallati i Rinisë me datë 16 dhjetor do t’i shohë yjet e sportit të xhudos. Presim përkrahje nga tribunat për kampionët tanë! Foto nga përgatitjet finale për evropianin absolut!”, ka shtuar Kuka.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar katër e-maile, prej…