Kukaj kritikon qasjen e Kryeministrit Kurti ndaj çështjeve të grave në Kosovë
Diellza Kukaj, Kryetare e Aleancës së Gruas dhe anëtare e Kryesisë së AAK, ka ngritur zërin kundër qeverisë së Kryeministrit Kurti, duke theuar mungesën e veprimeve konkrete për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e grave në Kosovë. Në një postim të fundit në Facebook, Kukaj kritikoi fjalimet e Kurtit si përpjekje për të maskuar dështimet e tij në adresimin e çështjeve gjinore.
Kukaj vuri në dukje problemet në tregun e punës, ku gratë janë një nga grupet më të diskriminuara. Vetëm 18% e tyre janë aktive në tregun e punës, ndërsaa tjetër mbetet e margjinalizuar dhe e përjashtuar nga mundësitë ekonomike. “Shkalla e papunësisë është alarmante, dhe nuk ka përpjekje të mjaftueshme për të krijuar politika që nxisin pjesëmarrjen e grave,” tha Kukaj. Ajo theksoi se mbi 65% e tregut joformal përbëhet nga gratë, të cilat përballen me shkelje të të drejtave të punës dhe paga të ulëta.
Gjithashtu, Kukaj ngriti shqetësime të mëdha për mbrojtjen e grave nga dhuna, duke treguar se në katër vitet e fundit të qeverisjes së Kurtit janë vrarë mbi 20 gra. “Këto gra, të pambrojtura nga sistemi, u vranë nga partnerët apo familjarët e tyre. Qeveria nuk ka ndërmarrë masa të forta për të ndalur këtë dhunë sistematike,” deklaroi ajo, duke kritikuar mbingarkimin e shtëpive të strehimit dhe faktin që politika për barazinë gjinore mbetet vetëm në letër.
Duke ilustruar përkushtimin më të madh të disa komunave si Rahoveci, Kukaj sugjeroi që qeveria qendrore mund të bëjë më shumë për të ndihmuar gratë, duke paraqitur si shembull shtesat deri në 500 euro për lehonat që e ofron komuna e Rahovecit. “A nuk besoni se qeveria mund të bënte më shumë?” pyet Kukaj.
Kukaj përfundoi duke kritikuar përfaqësimin e grave në politikë, duke theksuar se sa prej tyre trajtojnë realisht çështjet e grave në mënyrë efektive. “Ajo që mungon është një përkushtim real për t’i bërë gratë të ndihen të sigurta, të barabarta dhe me mundësi të vërteta për përparim,” u shpreh ajo. Për Kukaj, pabarazia gjinore në Kosovë është e rrënjosur thellë dhe kërkon më shumë se fjalë për t’u zhbërë.