Kukësi fiton ndaj Partizanit, Egnatia mposhti Bylisin
Kukësi rikthehet në rrugën e fitoreve në Kategorinë Superiore, duke marrë një sukses 1-0 ndaj partizanit. Skuadra verilindore siguroi tri pikë të arta përballë “Demave”. Dueli i luajtur në stadiumin “Kukës Arena” u vendos nga një eurogol i Gjelbrim Taipit.
Kapiteni realizoi një gol shumë të bukur me roveshatë në mesin e pjesës së parë. Me suksesin e sotëm, Kukësi është ngjitur në kuotën e 28 pikëve, ndërsa Partizani mbetet me 37 pikë.
Egnatia fitoi 2-3 në Ballsh përballë Bylisit vendas, duke u ngjitur e vetme në vendin e katërt me 34 pikë. Golat u realizuan në pjesën e dytë të sfidës.
Xhonathan Lajthia shënoi me kokë dhe kaloi vendasit në avantazh. Më pas ndodhi përmbysja. VAR-i akordoi penallti për Egnatian dhe karton të kuq për Damcevskin e Bylisit.
Jackson u tregua i saktë dhe vendosi baraspeshën. Egnatia kaloi në avantazh me golin e Raphael Dwamena. Sotiq Atanda realizoi golin e tretë për skuadrën nga Rrogozhina. Goli i Aleksander Trumcit në minutat e fundit shërbeu vetëm për statistika për Bylisin.