Kukësi, fitues i Kupës në Shqipëri
Finalja e 67 e Kupës së Shqipërisë i ka buzëqeshur Kukësit, që ka siguruar trofeun e dytë të këtij lloji në histori pasi fitoi me rezultatin 2-1 ndaj Tiranës.
Bardheblutë kanë dështuar të hipotekojnë trofeun e tyre të 17-të, duke konfirmuar formën inferiore të shfaqur gjatë të gjithë sezonit edhe në kampionat.
Golat e Shkurtaj dhe Reginaldo i kanë dhënë suksesin verilindorëve në këtë finale të katërt të Kupës së Shqipërisë, në një ndeshje totalisht të dominuar prej Kukësit. Në anën tjetër, Ngoo, në ditën e tij jo më të mirë, ka ngjallur për pak kohë shpresat për një përmbysje të bardhebluve, por rezultoi një iluzion provizor.
Raste pa fund të shpërdoruara nga Kukësi që kanë irrituar jo pak trajnerin e verilindorëve, Ernest Gjoka, skuadra e të cilit ka qenë superiore e padiskutuar përballë bardhebluve në pjesën e parë. Një pjesë e parë për tu harruar për Tiranën, tërësisht e shthurur në fushë.
Në të dytën, 24-herë kampionët e Shqipërisë kanë tentuar të reagojnë për disa momente, favorizuar edhe nga ulja e ritmit të verilindorëve, por pa ndryshuar asgjë në rezultatin përfundimtar që i buzëqeshi Kukësit.