Kukësi kërkon futbollistin e Prishtinës
Kukësi ka nisur që tani “gjuetinë” për afatin kalimtar të verës. Jo pa qëllim Nderim Nexhipi udhëtoi në Kosovë dhe ndoqi nga afër ndeshjen Feronikeli-Prishtina. Drejtuesit po kërkojnë të afrojnë 3-4 lojtarë që të bëjnë diferencën, duke filluar nga Kupat e Evropës.
Gazeta “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se verilindorët i janë rikthyer sërish pistës së Armend Thaqit. Ai ka qenë në fokusin e verilindorëve dhe një vit më parë kur ekipi drejtohej nga Peter Pakult, por zgjodhi që të transferohej nga Gjilani te Prishtina. Në atë kohë marrëveshja nuk u konkretizua edhe për shkak të pretendimeve të larta ekonomike të ish-mbrojtësit të Përfaqësues së Kosovës.
Drejtori sportiv e ka takuar sërish 26-vjeçarin. Duke parë që përfundimi i sezonit është në prag dhe Kupat e Evropës nisin vetëm një muaj më pas, nuk ka shumë kohë për t’u menduar. Kukësi do qëndrojë rreth 10 ditë pushim pasi të mbyllë sezonin dhe rreth datës 12-15 qershor do nisin fazën përgatitore.
Duke parë afatet, drejtuesit do veprojnë shpejt edhe me merkaton. Thaqi është nën kontratë me Prishtinën, por kjo s’do të thotë se nuk mund të marr oferta. Nëse ai pranon apo jo, mbetet për t’u parë. Kukësi ka probleme në krahun e djathtë të mbrojtjes, pasi Maliqit i duhet kohë që të rikuperohet. Sakaq, Melo është duke dhënë shumë si mesfushor me tipare sulmuese, duke shënuar edhe 5 gola.