Kukësi shkarkon Cungun
Armando Cungu nuk do të jetë më trajner i Kukësit. Nëpërmjet një postimi në faqen e klubit njoftohet ndërprerja e bashkëpunimit me shkodranin, për shkak të rezultateve të dobëta.
Për presidentin Safet Gjici “kupa e mbush” me humbjen në Korçë, që ndoshta ka nxjerrë përfundimisht jashtë garës për titull ekipin verilindor (Partizani kryeson me 9 pikë më shumë). Drejtimin e ekipit e ka marrë përsipër Ramadan Ndreu, që mban edhe detyrën e drejtorit sportiv.
“Futboll Klub Kukësi njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Armando Cungu. Si pasojë e rezultateve negative te javëve të fundit, drejtuesit e Klubit dhe Armando Cungu kanë arritur me mirëkuptim përfundimin e bashkëpunimit. Falënderojmë trajnerin Cungu për kontributin e dhënë në drejtimin e skuadrës sonë dhe i urojmë suksese në karrierë. Që nga dita e sotme në krye të bankinës sonë do të jetë Ramazan Ndreu, i cili mbante detyrën e drejtorit të menaxhimit te klubi ynë”, thuhet në njoftimin e Kukësit.