Kukësi tentoi Ferhan Hasanin, por kërkoi 20 mijë euro në muaj
Drejtori sportiv, Nderim Nexhipi, tentoi të bashkonte te Kukësi dy prej lojtarëve më të mirë të Shkëndijës së Tetovës në sezonin e fundit, Ardian Cuculi dhe Ferhan Hasani. Me të parin arriti marrëveshjen pas disa ditësh negociata, ndërsa me fantazistin, që në Maqedoni ka nofkën “Buba”, duket gati e pamundur.
Mediet shqiptare në Maqedoni, më konkretisht portali “infosport.mk”, shkruanin dje se Hasani është parë në Tiranë bashkë me ish-lojtarin e Shkëndijës, Nebi Mustafi, ndërsa nuk dihet nëse ka pasur ndonjë takim me presidentin Safet Gjici. Te tetovarët Hasani përfitonte 24 mijë euro në muaj, duke qenë lojtari më i paguar në kampionatin maqedonas.
Mirëpo, një shifër e tillë duket e papërballueshme për klubin e Kukësit. Në këto kushte, pavarësisht se Nexhipi ka bërë të pamundurën për ta bindur Hasanin, gazeta mëson se lojtari ka kërkuar të paktën 20 mijë euro në muaj.
Fantazisti që ka luajtur edhe me Wolfsburg në Bundesligë po shikon të tjera alternativa për karrierën, teksa më e mundshme është transferimi në kampionatin turk, aty ku ka disa oferta. Në dy sezone me Shkëndijën, Hasani fitoi gjithçka, teksa bashkë me mbrojtësin Cuculi e pa dyshim sulmuesit Besart Ibraimi, ishin lojtarët më të mirë të kampionatit.