Kulti i Dionisit dhe përfaqësimi i tij në kohët moderne
Edhe pse kulti i Dionisit e ka origjinën në Greqinë e lashtë, ai është ende simbolikisht aktiv në shoqërinë tonë moderne. Ja se si shfaqen karakteristikat dionisiane në jetën tonë të përditshme
Kulti i Dionisit lidhet shpesh me dehjen, festën dhe mungesën e kufijve, edhe pse shoqërohet gjithashtu me kaos dhe dhunë. Kulti i tij ndikoi tek të korrat dhe pjelloria. Por a ka rëndësi sot përfaqësimi dionisian? Si ndikon shprehja e kësaj perëndie të lashtë greke në botën moderne?
Adhuruesit e Dionisit synonin që të lidheshin me perëndinë përmes euforisë dhe ekstazës së prodhuar nga muzika dhe vallëzimi. Siç vuri në dukje Niçe, në Greqinë e lashtë kulti i këtij zoti ishte në kontrast me atë të Apollonit, që përfaqësonte proporcionin, rendin dhe racionalitetin. Megjithatë, figura e Dionisit përfaqëson një element të psikikës që nuk duhet ta lëmë mënjanë nëse synojmë, siç propozon Karl Jung, të pranojmë dhe shkrijmë të gjitha aspektet e ekzistencës sonë.
Shpërbërja e kufijve të vetvetes
Ritet dionisiane zhvilloheshin në vende larg qytetit kryesor. Ato përbëheshin nga valle dhe këngë, dhe kryheshin kryesisht në pyje dhe shpella. Pjesëmarrësit frymëzoheshin nga misteret e zotit dhe zhyteshin në një përvojë mistike përmes vallëzimit, muzikës dhe dehjes me verë ose ndonjë substance tjetër psikoaktive.
E gjithë përvoja synonte shpërbërjen e individit dhe bashkimin ekstazik me grupin. Megjithatë, ndikimi i Dionisit nuk u kufizua vetëm në botën antike. Ai përfaqësohet tek disa aspekte festive të shoqërisë sonë aktuale. Frenimi dhe shkelja karakteristike e mitit dionisian, vazhdojnë të rrjedhin ende sot në ndërgjegjen e qenies njerëzore.
Pavarësisht përpjekjes për të frenuar pasionet nën mbikëqyrjen e arsyes, shumë herë ne vazhdojmë të kërkojmë shpërbërjen e individualitetit tonë në ato që mund të quajmë rituale bashkëkohore. Shumë njerëzish argëtohen në diskoteka, në festa me muzikë elektronike apo recitale, duke u përzier mes djersës, dehjes dhe kërcimeve të egra. Pra ne kërkojmë sërish shpërbërjen, duke gjeneruar një masë uniforme së bashku me ata që ndajnë hapësirën, dhe duke u përpjekur të kapërcejmë për disa orë ndarjen midis trupave.
Kulti i Dionisit dhe shpërbërja e kufijve sot
Diçka e ngjashme ndodh edhe në ndeshjet e futbollit: tifozët, pjesërisht të unifikuar dhe të identifikuar me ekipin, e shprehin këtë gjë me kërcime, britma e brohoritje, duke shfryrë lloj-lloj emocionesh të forta të mbërthyera në thellësi të psikikës së tyre. Edhe sot karnavalet paraqiten si shprehje e Dionisit. Për disa ditë në vit, njerëzit kanë mundësinë të harrojnë moderimin dhe t’i përkushtohen argëtimit. Maskat dhe kostumet i ndihmojnë ata të thyejnë frenimet e tyre dhe të dalin nga vetja.
Kulti i Dionisit dhe teatri
Shumë njerëz e konsiderojnë Dionisin një hyjni periferike të panteonit grek, pasi kulti i tij kremtohej në periferi të qytetit. Megjithatë, ai u integrua në jetën civile edhe nëpërmjet Dionizisë, një festival i financuar nga shteti athinas, në qendër të të cilit ishte një garë midis shfaqjeve teatrale.
Zhanri i tragjedisë ka pasur një rëndësi të rëndësishme në këto festa. Tragjedia e lashtë greke karakterizohej nga tema shumë të thella, si etika, drejtësia, fati, çmenduria, dashuria, fuqia dhe vdekja. Ato u shprehën përmes pasionit të personazheve, dhunës së konflikteve, ironisë së dialogëve dhe emocioneve që gjeneronin fundet e veprave teatrale.
Për Aristotelin, tragjedia kishte elemente të katarsisit, të cilat ndihmuan në pastrimin e emocioneve negative. Sipas teorisë së tij, katarsisi është pastrimi ose çlirimi i emocioneve negative si frika ose trishtimi. Spektatori identifikohet me personazhet e tragjedisë, përmes të cilave i përjeton këto ndjesi. Në fund të tragjedisë, ai përjeton një ndjenjë lehtësimi, edhe nëse ndjenjat negative nuk i janë zhdukur plotësisht. Në këtë mënyrë, spektatori mund të përjetojnë ndjenja si frika dhe trishtimi, pa pasur nevojë t’i përjetojnë ato në jetën reale.
Diçka e ngjashme na ndodh edhe sot, kur shohim një serial apo film që na ngjall emocione të forta, kur zhytemi duke lexuar një roman tërheqës apo edhe në një videolojë. E gjithë kjo na bën të ndjejmë një sërë emocionesh që mund të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë ndjenjat tona.
Rëndësia e kultit të Dionisit dhe dioniziakes në shoqëri
Ndonëse shumë njerëz kanë frikë nga manifestimi i furishëm i Dionisit, shprehja e tij e kontrolluar paraqitet si një valvul shkarkimi për pasionet më të errëta të njeriut. Është e vërtetë që mungesa e kontrollit të një përvoje të tillë është gjithmonë e fshehtë; rreziku i kaosit dhe dhunës mund të sjellë pasoja të padëshiruara në shoqëri.
Megjithatë, nuk duhet të injorojmë faktin se ekspozimi katartik, bart cilësi terapeutike që priren ta qetësojnë shpirtin e njeriut. Të mohosh natyrën e Dionisit për shkak të tejmbushjes së tij të mundshme emocionale do të nënkuptonte mohimin e një hapësire të sigurt shprehjeje ndaj disa pasioneve, të cilat, përndryshe do të përpiqeshin të depërtonin në çdo situatë të përditshme.
Sot përvoja e Dionisit përfaqëson kërkimin e shpërbërjes, heqjen e kufijve midis vetes dhe tjetrit, kalimin nga e shumëfishta në një e vetme, përmes një bashkimi festiv. Përvoja plot liri dhe braktisje që na paraqitet, mund të jetë një mënyrë për të arritur plotësinë, edhe nëse duhet të jemi të kujdesshëm që të mos degradojmë në teprime.
Për të shmangur këtë gjë, është e nevojshme ta përmbajmë këtë përvojë në kuadrin e disa ngjarjeve të ritualizuara, me kujdesin e nevojshëm, në mënyrë që të kanalizojmë në mënyrë të shëndetshme pasionet tona më të thella. / bota.al