“KULTURA E DENONCIMIT” PO NDJEK KURBËN E NJË PANDEMIE   

03 maj 2022 | 21:34

-Ana tjetër e lirisë së cënuar

Besimtarët monoteistë e dinë që Zoti na ka njoftuar në Shpallje se njeriu është i ngutshëm dhe gabon. Por, Zoti ia ka lënë njeriut mundësinë të pendohet e të përmirësohet. Pra, Zoti falë. Kur Zoti falë, me çfarë të drejte disa njerëz marrin përsipër të gjykojnë pa mëshirë, kur edhe vetë mund të jenë gabimtarë?

Milazim KRASNIQI

Para disa vitesh (2016) jam marrë pak më detajisht me problemin e “kulturës së denoncimit” dhe më specifikisht të bullizmit në mesin e fëmijëve. Në tekstin“ DHUNA MES FËMIJËVE KA QENË PREZENTE GJITHMONË, PSE TASH ËSHTË BËRË KAQ E RREZIKSHME?”, pata skicuar dukurinë e bullizmit në fëmijërinë time dhe format edhe më të rrezikshme që ka marrë në kohën e sotme. Ndërsa në tekstin me synime akademike, “DEGRADIMI I VLERAVE KULTURORE SI PRODHUES I DEFORMIMIT NË  KOMUNIKIMIN MEDIAL“, pata trajtuar edhe disa aspekte sociale  e psikologjike që kishin ndikim mbi komunikimin e dhunshëm në rrjete sociale e në mediet e reja. Në planet e mia të punës nuk ishte që të rikthehesha në këtë temë, por u ktheva pa dashje edhe shkaku i fyerjeve që më bënë këto ditë një lukuni huliganësh në rrjete sociale e në disa portale. Pra, deshe nuk deshe, me këtë problem duhet të mirresh gjashtë ditë në javë, si me një lloj pandemie! Pse? Sepse situata ka dalë jashtë kontrollit të mendjes normale të shumë njerëzve.

“Kultura e denoncimit” si kryqëzatë kundër individit

Fatkeqësisht, dhuna dhe krimi me anën e medieve dhe veçmas të rrjeteve sociale tashmë është një fakt dhe përditë po bëhet më traumatik. Vetëm nëpër shkolla fillore janë me mijëra raste në ditë, të fëmijeve që janë viktima të bullizmit. Ata janë viktima të bullizmit të moshatarëve, por ka raste kur janë viktima edhe të bullizmit të mësuesve. Bullizmi po ndjek kurbën e një pandemie, po përhapet anëkend botës dhe po godet të gjithë. Prandaj edhe ka filluar të studiohet si dukuri. Disa po e quajnë “kultura e denoncimit”, ose edhe “kultura e zhvlerësimit.” Sidoqoftë, kjo është bërë një dukuri e prodhuar nga rrjetet sociale dhe mediet e reja, nëpërmjet së cilës persona të ndryshëm bëhen objekt denoncimi, sulmesh, shpifjesh dhe linçimi total. Mjafton një fjalë, një fjali, një postim, që të nxitet orteku i denoncimeve ndaj personit, duke e shndërruar në person në një krijesë të urrejtur, person që duhet të izolohet, të nënçmohet, të shkatërrohet. Edhe në shoqërinë tonë, “kultura e denoncimit” tashmë ka fituar shumë terren dhe ka viktimat e saj në baza ditore.

Në këtë tekst të shkurtër, me të cilin vetëm sa dua ta inicoj diskutimin intelektual, profesional e moral të këtij problemi, nuk do t’u referohem rasteve të tjera, të cilat tashmë nuk janë të pakta. Do t’i refererohem rastit tim, vetëm sa për ilustrim, në asnjë mënyrë për protagonizëm, por ky është rast të cilin e njoh më së miri, ku e di saktë se si mund të ndihen viktimat e sulmeve egërshane  të “kulturës së denoncimit” Në fakt, disa herë kam qenë objekt i “kulturës së denoncimit”, a “kulturës  së zhvlerësimit” në medie e në rrjete sociale. Rasti më brutal ka qenë në vitin 2014, në kuadër të polemikave rreth protestave të studentëve të UP. Atëherë u përfshiva në vlerësimin e asaj që po ndodhte në Universitet, duke pasur informata kredibile për disa nga organizatorët dhe motivet e tyre, për rreziqet që sillnin ato trazira. Në njërën nga postimet vërtet përdora një sintagmë joprecize. Sintagma u adresohej disa personave konkretë, por unë  kisha bërë gabim që nuk i kisha emërtuar ata horra. Duke e lënë një shprehje përgjithësuese, kisha lënë mundësinë që ata ta devijonin, ta instrumentalizonin, ta kthenin masën protestuese kundër meje. Ata e eksploduan një urrejtje masive kundër meje, e cila mori përmasat e një kryqëzate. Mund të bëjë një libër me ato denoncime, por nuk e di a ia vlen. Denoncimet, sharjet, akuzat, kërcënimet shkuan deri aty sa nxitën edhe një tentim për sulm fizik ndaj meje në sallën e ligjëratës/provimit, para më shumë se shtatëdhjetë studentëve, të cilët ishin në provim. Meqë sulmuesit ishin nga grupi i protestueve, skena ishte e ngjashme me aktivitetet në kohën e Revolucionit Kulturor Kinez, në kuadër të të cilit studentët rrihnin dhe poshtëronin profesorët e tyre. Përveç portaleve e rrjeteve sociale, që më trajtuan me fyerjet më të rënda, në rastin tim u inkuadruan edhe disa televizione. KTV përcolli grupin që po vinte të më sulmonte në sallën e ligjëratës, me kamerë. Pati edhe një emision special kontaktues me shikues në një televizion tjetër, ku shikuesit më fyenin në mënyrën më barbare. Pasoja e gjithë asaj kryqëzate ishte jo vetëm mërzia që më shkaktoi, po edhe izolimi. Kurrë nuk kam arrritur ta kuptoj atë sjellje të shumë njerëzve. Bile shpejt pata hequr dorë nga përpjekja që ta kuptoja, meqë e pata të qartë se shumë njerëz gjatë tërë jetës së tyre qëndrimet i modelojnë dhe i modifikojnë varësisht nga mesazhet që i marrin nga mediet, nga partitë, nga instanca të ndryshme të dizajnimit të opinioneve. Më është dukur e padobishme t’u arsyetohem njerëzve me të cilët ai problem nuk kishte të bënte, ose edhe njerëzve që mua më kanë njohur më shumë se sa bullizuesit. Por që nga ajo kohë e kam edhe më të qartë rrezikun që paraqesin fushatat linçuese. Ajo që është poashtu indikative në këtë përvojë timen është se nga gjithë ajo hordhi e tërbuar, jo vetëm në rrjete sociale e medie, po edhe në jetën reale, vetëm një person më ka kërkuar falje. Kjo tregon se bullizuesit nuk ndiejnë vrasje të ndërgjegjes. Meqë ndodhë në internet, sikur u duket argëtuese edhe shkatërrimi i jetëve të njërëzve.

Një rast tjetër të sulmeve  të orkestruara denoncuese e kam pasur nga një grup studentësh që kishin studiuar a studionin  universitetet e Turqisë dhe bashkëmendimtarët e tyre që ishin aktivistë politikë në një parti anarkiste në Kosovë. Për dallim prej rastit me atë sintagmën joprecize, sulmet e tyre ishin pa asnjë shkak. Ishin vetëm si planifikim për eliminim të ndikimit nga sfera publike, në bazë të një rekomandimi që u kishte dhënë një funksionar i lartë i një partie, e cila në taktikat e saj për të ardhë në pushtet, krahas dhunës, kishte përfshirë edhe rekrutimin e ithtarëve të islamit politik. Unë isha deklaruar shumë prerë kundër përdorimit të Islamit në sferën politike. Prandaj, ai aaktivisti i lartë u kishte thënë se unë isha pengesë për të mobilizuar atë pjesë të elektoratit. Ata e kishin marrë të mirëqenë atë vlerësim dhe m’u turrën me një egërsi të çuditshme. Ishte ndjenjë e rëndë të shihje distancim dhe fyerje prej atyre djemve shkollarë e besimtarë, shumë nga të cilët i njihja personalisht, disave madje u kisha ndihmuar ndonjë gjë, që nga formulimi a konceptimi i tezave të masterit e deri te botimi i ndonjë libri. Zhvlerësimet dhe etiketimet e disave prej tyre kanë qenë më të ndyra se sa të anarkistëve e islamofobëve, të marra së bashku. As sot nuk e kam të qartë nga e morën atë pashpirtësi ata djem që në dukje ishin të edukuar e të mençëm. Kur e shoh njërin prej tyre në karrigen e deputetit, thjesht më vjen të vjellë. Kam qenë objekt fushatash denoncuese e zhvlerësuese edhe nga ana e islamofobëve disa herë. Ndërsa para do ditësh isha objekt sulmesh nga një grup shumë primitiv, por i padiferencuar qartë. Ata por mbronin dikend që nuk e kisha sulmuar fare, shqiptarët e Malit të Zi. Por denoncimet dhe fyerjet e këtyre grupeve më kanë lënduar më pak se sa ato të atyre djemve plangprishës, që i kujtoja si bashkëmendimtarë. Prandaj e kam të qartë se më së shumti njerëzit mund të lëndohen kur bëhen viktima të bullizmit nga grupet e referimit, pra nga moshatarët, nga bashkëmendimtarët, nga komuniteti të cilit i takojnë. Lëndimi prej atyre që i ndjen si më të afërt, definitivisht është më me pasoja për viktimat e goditjes nga bullizmi. E kuptueshme, sepse prej atyre që i ka më të afërt, njeriu pret mirëkuptim, mbështetje, empati e jo distancim, denoncim, zhvlerësim dhe kërcënim. Pra, edhe në rastin e fëmijëve e të rinjve, theksi duhet të jetë, që të lufohet bullizmi brenda grupeve të referimit, sepse aty ka më shumë pasoja.

Për fund: besimtarët e dinë që Zoti na ka njoftuar në Shpallje se njeriu është i ngutshëm dhe gabon. Por, Zoti ia ka lënë njeriut mundësinë të pendohet e të përmirësohet. Pra, Zoti falë. Kur Zoti falë, me çfarë të drejte disa njerëz marrin përsipër të gjykojnë pa mëshirë, kur edhe vetë mund të jenë gabimtarë? Duke jetuar në këtë shtjellë komunikimi të dhunshëm, ka raste kur më kujtohet titulli i një filmi të cilin besoj që kam shikuar në vitet shtatëdhjetë, “Zoti falë, unë jo.” Protagonisti (aktori Lee Van Kleef) ndërmerr një fushatë hakmarrjeje të planifikuar dhe sadiste. Në kundërshtim me mesazhin e atij filmi, njeriu duhet ta ketë aktive ndjenjën e faljes edhe ndaj atyre që që i ka kundërshtarë. Nëse përbrendësohet kjo vlerë, mund të minimizohet gjuha e urrejtjes dhe e dhunës, mund të frenohet “kultura e denoncimit.” Pra edhe në rrjete sociale e në portale mund të zhvillohet një komunikim më tolerant dhe më i moralshëm. Pra, nëse… Deri atëherë jemi viktima të një komunikimi të dhunshëm e shpesh herë të pamëshirshëm. Deri kur? Deri sa ta mposhtim çmoralizimin postkomunist dhe derisa të bëhet funksionale drejtësia. (3 maj 2022)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti francez Emanuel Macron i ka kërkuar Vladimir Putinit të…