KULTURA POLITIKE SI FUNDAMENT DHE KTHESË CILËSORE NË SHTETNDËRTIM E PROSPERITET

15 dhjetor 2023 | 12:56

Prof. ass. dr. Hajdin Abazi

Politologen Elife Luzha e njoh që nga organizimet atdhetare të viteve të ’80-ta, ku ajo ishte shumë e angazhuar. Më pas e kam pasur studente që nga viti i parë në nivelin bachelor në “Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Diplomacia”, si dhe në studimet e masterit. I kam ligjëruar në katër semestra Shkrimin akademik, kurse në dy semestra edhe Metodologjinë e kërkimit shkencor. Elifja gjithnjë ka pasur një artikulim të qartë, të rrjedhshëm dhe me konsistencë logjike. Është një nga studentet e rralla, e cila që nga fillimi ishte jashtëzakonisht e përkushtuar në studime dhe një lexuese tepër e pasionuar. Këto vlera intelektuale i ka ruajtur, i ka kultivuar dhe tashmë i ka ngritur në nivelin shkencor, gjë që e dëshmon studimi i saj “Sfidat e ndërtimit të kulturës politike demokratike në Kosovë”, i sapodalë nga botimi.
Kjo vepër është një studim i spikatur si për nga tematika, ashtu edhe për nga mënyra e qasjes. Karakteristikë është qasja me diapazon të gjerë e autores. Në këtë studim, në mënyrë të pashmangshme bie në sy përkushtimi gjuhësor, stili dhe rrjedhshmëria e gjuhës, gjë që e bën të këndshëm leximin.
Të shprehësh një mendim për një libër nuk domethënë të pajtohesh me çdo element të tij, madje mund edhe të ndash mendim të kundërt për ndonjë gjë, por këtu qëndron madhështia e mendjes së hapur, në kuptimin që vlerësohet tërësia e kontributit edhe objektivi kryesor i autores.
Sikurse e thekson edhe vetë titulli i këtij libri, Kosova në shtetndërtimin e saj ka shumë sfida, të cilat listohen mjaft qartë në këtë botim. Mesazhi është i qartë: sfida kryesore është ajo e kulturës politike, një binom ky i dy kuptimeve shumë të gjera e që përmbledhtas i parashtron autorja, ku interferohet edukimi, tradita, interesat klanorë e partiakë, si dhe ndikimet nga jashtë, posaçërisht nga gjeopolitikat konfrontuese ndërkombëtare.

Nga këndvështrimi im, shoh se autorja Luzha e konsideron si fundamental për zhvillim, emancipim dhe prosperitet të shoqërisë pikërisht kulturën politike, dhe kjo është sfida kryesore e Kosovës. Dhe ka të drejtë. Sepse mungesa e kulturës politike demokratike ka krijuar predispozita, që qëndrimet autoritare, ademokratike, arroganca e pushtetarëve, kapja e shtetit, abuzimet, përvetësimet, korrupsioni e nepotizmi, që veprojnë si gangrena përthithëse të shëndetit të demokracisë, edhe sot e kësaj dite vetëm janë përkeqësuar dhe manifestohen pafrenueshëm. Kjo gjendje tregon shkallën e ulët të demokracisë te ne dhe rreziqet reale ndaj saj, pasi deformimet e metamorfozimet kamuflohen e paraqiten në mënyrë megalomane si shembull i demokracisë, madje edhe kur Kosova kritikohet për këto nga vendet e QUINT-it.

No description available.
Zëri i autores është zëri i ndërgjegjes së saj, si thirrje për ta adresuar këtë mungesë të madhe, duke e ilustruar me disa shembuj, ku spikat akultura politike dhe pasojat e saj. Ndonëse shtjellimi kufizohet deri në vitin 2020, aspektet që trajtohen në këtë studim prekin fuqishëm edhe realitetin aktual politik. Mungesa e transparencës, ardhja në pushtet me premtime të tjera e bërja krejt të kundërtën, gënjeshtrat publike dhe kapja e shtetit, vetëm sa riciklohen dhe këto kontrabandohen si gjoja arritje të demokracisë.
Autorja, megjithatë, sheh perspektivën. Duke apeluar te kultura politike, kryesisht perëndimore, ajo u bie këmbanave, se vetëm duke e ushqyer kulturën politike mbi bazat demokratike, mund dhe do të instalohet institucioni i përgjegjësisë, si kusht themelor politik për shtet ligjor. Kemi lexuar se një ministër ose kryeministër në një vend perëndimor ka dhënë dorëheqje për një skandal, që në realitetin shqiptar duket fare i vogël, ose për dështimin në përmbushjen e ndonjë premtimi elektoral që e ka theksuar si vendimtar. Kjo tregon standardin e kulturës politike në demokraci, që bazohet në përgjegjësi. Kultura e mirëfilltë politike do të ishte një realitet cilësor i përgjegjësisë për fjalën publike, për premtimet elektorale, që të mos kthehen në makineri manipulimi e mashtrimi, po të jenë parametra për të vlerësuar konsistencën dhe besueshmërinë. Pushtetarët mund të emancipohen vetëm përmes kulturës politike, kur ajo mishërohet si ndërgjegje. Duket qartë se autorja mëton një model të këtillë për Kosovën – perëndimorizimin e saj real. Kjo, madje, mbetet kondita fondamentale, që vendi ynë ta bëjë kthesën e madhe cilësore në shtetndërtim dhe të ecë në rrugën e prosperitetit të mirëfilltë.
Si përfundim, duhet theksuar se vepra “Sfidat e ndërtimit të kulturës politike demokratike në Kosovë”, përveçse është një studim me vlerë në këtë fushë, shërben edhe si edukuese e lexuesve në frymën e një kulture të mirëfilltë demokratike, për çka ka nevojë secili nga ne, por posaçërisht politikanët dhe shtetarët tanë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lista Serbe ka përvetësuar rreth një miliard euro para buxhetore…