Kumbulla: Ëndërroj të bëhet kapiten i Shqipërisë

24 prill 2020 | 23:10

Marash Kumbulla është njëri prej futbollistëve të rinj të kampionatit italian, i cili vlerësohet maksimalisht për sezonin e kryer me Veronën.

Mbrojtësi 20-vjeçar i Shqipërisë u është përgjigjur disa pyetjeve nga tifozët e Veronës në profilin e tij në “Instagram”. Mes Messit dhe Ronaldos, ai zgjedh yllin e Barcelonës si lojtarin më të mirë në botë. Ndër mbrojtësit më të fortë në botë, ai rendit Chiellinin, Van Dijkin dhe Ramosin. Kumbulla shtoi se fitorja 2-1 ndaj Juventusit dhe goli i tij i parë në karrierën si lojtar profesionist kundër Sampdorias janë dy momentet më të bukura të jetës së tij si lojtar. Ai shton se ëndërron të bëhet një ditë kapiteni i Shqipërisë.

Pavarësisht gjithçkaje, mbetesh një djalë normal.
Nuk ka asnjë sekret, secili ka personalitetin e tij. Prindërit e mi m’i kanë mësuar këto vlera, të qenit serioz dhe respektues. Jam ky tip, mendoj se jam shumë punëtor.

Çfarë mban mend nga mbrëmja kundër Juventusit?
Nuk kam fjetur gjumë. Ishte ditëlindja ime. E festova në mënyrën më të mirë duke luajtur mirë kundër skuadrës më të fortë në Itali. Nuk mund të shkonte më mirë. E pashë disa herë ndeshjen. Lexova komentet e tifozëve.

Na trego diçka për afrimitetin me Rrahmanin.
Menjëherë fola me të kur mbërriti te Verona. Ai di të flasë kroatisht, kështu që nuk e pati të vështirë të komunikonte me trajnerin Juriç. Është djalë i mirë, jemi miq jashtë fushe. Është inteligjent. E ka mësuar italishten shpejt.

Tre mbrojtësit më të fortë në botë?
Van Dijk, Chiellini, por padiskutim Ramos.

A të ka ndjekur babai kur ke luajtur me kombëtaren?
Po, ai erdhi në Shqipëri dhe Moldavi. Më ndjek kudo, në çdo ndeshje që luaj. E falënderoj shumë për mundësinë që më ka dhënë të luaj futboll. Nuk ka luajtur kurrë futboll, por më ka transmetuar pasionin për futbollin dhe fatmirësisht e ndoqa këtë rrugë.

Do të doje të gradohesh kapiten i Shqipërisë?
Është një ëndërr që dua ta realizoj.

Përse zgjodhe Shqipërinë?
Ndihem 50-50: familja ime është shqiptare, por unë kam lindur në Peskera del Garda. Është një zgjedhje që e bëra me zemër. Ndihem më tepër shqiptar brenda vetes.

Mbrojtja me 3 apo me 4 është më e mirë?
Mendoj se me 3.

Sulmuesi më i fortë që je përballur?
Dybala është më i vështiri për t’u markuar. Ka një teknikë të pabesueshme. Është shumë i shpejtë.

Messi apo Ronaldo?
Gjithmonë Messi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prishtina këtë të premte, në iftarin e parë të muajit…