Kumbulla: Krenar që luaj për Shqipërinë

03 shkurt 2025 | 13:33

Mbrojtësi i kombëtares kuqezi, Marash Kumbulla, ka dhënë një intervistë për gazetën “Marca”, ku ka treguar të gjithë “historinë” e mbërritjes së tij tek Espanyoli. Mbrojtësi iu bashkua Espanyolit verën e kaluar dhe është bërë një shtyllë për Manolo Gonzalez. Mbrojtësi, i huazuar nga Roma deri në fund të sezonit, ka arritur vazhdimësinë e nevojshme në klubin “periquito” për të rifituar formën e tij më të mirë pas dëmtimit të rëndë që pësoi në vitin 2023 dhe që e mbajti jashtë fushës për gati një vit. Ishte një dëmtim që e ndryshoi atë si futbollist. Ai pësoi një çarje të ligamentit të kryqëzuar të përparmë në gjurin e djathtë. Por ai dëmtim ngjan me një ëndërr të keqe e lënë pas. Sepse mbrojtësi kuqezi po paraqitet sërish në një nivel të lartë te Espanyoli.

Ju mbërritët tek Espanyoli në verë (2024) dhe u përshtatët shumë shpejt me skuadrën bardheblu. Cili ishte çelësi?
Kumbulla: Pa dyshim ishte trajneri Manolo (Gonzalez) dhe shokët e mi që më ndihmuan shumë në fillim me gjuhën dhe më ndihmuan të përshtatesha shpejt. Gjithsesi, gjithçka ishte shumë e natyrshme.

Në vitin 2023 keni pasur një dëmtim të rëndë në gju. A ju ka ndryshuar ky dëmtim si futbollist?
Kumbulla: Po, çdo dëmtim të ndryshon pak. Aq më shumë kur bëhet fjalë për një dëmtim të rëndë. Tani jam më i pjekur dhe duhet të punoj edhe më shumë. Ishte diçka që më shtyu të përmirësohem. Në fillim ishte e vështirë, sepse të gjithë lojtarëve u pëlqen të jenë në fushë dhe muajin e parë nuk munda të bëja absolutisht asgjë. Mendërisht ishte shumë e ndërlikuar.

A kishit nevojë për ndihmë psikologjike?
Kumbulla: Po, por unë mendoj se është normale. Të gjithë duhet të punojnë në aspektin psikologjik, sidomos ne, për të përballuar të gjithë presionin e jashtëm që kemi.

Tani e keni lënë pas dëmtimin dhe jeni një lojtar shumë i rëndësishëm për Espanyolin. A ju duhej një sezon si ky për t’u rikthyer në formë?
Kumbulla: Po, prandaj doja të vija tek Espanyoli. Më duhej një fushatë ku të mund të isha i qëndrueshëm, të ndihesha sërish futbollist. Kjo është ajo që doja.

Keni lindur në Itali, por luani për Shqipërinë…
Kumbulla: Babait tim iu desh të largohej nga Shqipëria 25 apo 30 vjet më parë për të gjetur një jetë më të mirë. Unë kam lindur në Itali, në Verona. Por e gjithë familja ime është shqiptare dhe prandaj luaj për kombëtaren shqiptare dhe është gjithmonë kënaqësi.

Pikërisht, në ekipin shqiptar janë dy ekspertë, Pablo Zabaleta dhe Keidi Bare. A ju folën për Espanyolin kur nënshkruat?
Kumbulla: Po, fëmijët e Pablo Zabaletës janë tifozë të thekur të Espanyolit dhe më thotë gjithmonë se një prej tyre i thotë tjetrit se ka një qendërmbrojtës që i pëlqen shumë, që është Kumbulla (qesh). E di që ai luajti shumë sezone shumë të mira këtu. Keidi Bare më ka folur gjithashtu shumë mirë për ekipin.

Ju u drejtuat nga Mourinho, një ish-trajner i Realit të Madridit, çfarë mësuat prej tij?
Kumbulla: Ai është një trajner që ju flet drejtpërdrejt, ballë për ballë dhe nuk ka frikë t’ju tregojë atë që mendon. Nëse e dëgjon, piqesh shumë dhe përmirësohesh.

Espanyoli është në një situatë të vështirë, do të duhet të vuajë deri në frymën e fundit?
Kumbulla: Mendoj se po, sepse La Liga është shumë e vështirë dhe ka shumë skuadra që luftojnë për të mos rënë. Do të duhet të luftojmë deri në ndeshjen e fundit.

Në parim, kur të përfundojë kontrata juaj, ju duhet të ktheheni te Roma…
Kumbulla: Nuk kam menduar për këtë. Tani ajo që duhet të bëj është të përfitoj duke luajtur çdo javë, duke u stërvitur fort… është e vërtetë që ndihem shumë rehat, shumë i lumtur te Espanyoli. Manolo Gonzalez është një trajner shumë i mirë dhe një person i madh. Kur duhet të të thotë gjëra të mira, të thotë, e kur jo, e bën gjithashtu. Dhe mua më pëlqen kjo. Ai është gjithmonë i sinqertë. Ai na motivon shumë, është një trajner kërkues që pret shumë nga të gjithë lojtarët.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerand Stavileci ka…