Kumnova për të birin e zhdukur: Biri im i dashur, askund s’të gjeta!

31 mars 2020 | 09:56

Kryetarja e Shoqatës “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, Nesrete Kumnova, në përvjetorin e 21-të të djalit të saj të zhdukur më 31 mars 1999, ka shkruar një tekst të ndjeshëm për të birin e vet, Albionin, i cili ishte rrëmbyer nga forcat serbe dhe fati i tij nuk dihet as sot.

Përpos të birit, në shtëpinë e familjes Kumnova qenë rrëmbyer edhe nipi i Nesretes, Artan Efendija, dhëndri Gëzim Deva, fqinjët Lutfi e Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi.

Nesretja shkruan se nuk është lodhur së kërkuari ata, pavarësisht se e kanë mbuluar rrudhat e jetës. Ajo thotë se është e zhgënjyer me të gjithë ata që janë përgjegjës të cilët nuk u angazhuan mjaftueshëm për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Teksti i Kumnovës:

Biri im i dashur, mbi dy dekada të kam kërkuar rrugëve të vendlindjes sate, Gjakovës dhe Kosovës, që u çlirua me gjakun tënd dhe të gjithë të rënëve, por askund nuk të gjeta!

Nuk arrita të gjej asnjë shenjë që të çmallem me ty, të flas me ty! Me kënd të flet nëna, që për dy dekada më kanë mbuluar rrudhat e jetës por asnjëherë nuk jam lodhur e as nuk kam ndaluar së kërkuari zbardhjen e fatit tënd, bir!

Dhe sot, 21 vjet më pas, sërish nuk mund të dalim as tek pragu i derës, nga një tjetër armik i padukshëm që sërish na mbylli në shtëpitë tona e që po merr jetë të pafajshme në mbarë globin!

Mbase shpresonim se më në fund do të përfundoj çështja e zbardhjes së fatit tënd por nga ky armik i padukshëm, mbase u ndal edhe procesi i kërkimit të fatit tënd dhe të gjithë atyre që rezultojnë të zhdukur!

Sot e çdo ditë më shumë, jam e zhgënjyer nga të gjithë ata që janë përgjegjës dhe nuk u angazhuan mjaftueshëm sa për të na qetësuar zemrat tona të plagosura, të sjellin më në fund trupin tënd dhe të të vizitoj tek varri yt i c ili të pret vite me radhë!

Nuk e kuptoj si mund të vazhdoj jetën pa ty, pa asnjë gjurmë, por ja që nënën e mban krenaria për qenien tënde, për gëzimet që na i dhurove, për sukseset sa ishe në jetë!

Biri im, Albion, vetëm krenaria që të patëm dhe që u flijove për lirinë e Kosovës, e mund dhembjen tonë të madhe!

Albion, biri im, sot nëna nuk mund të dalë as në qendër të qytetit dhe të protestoj, të flas botërisht për dhembjen dhe pikëllimin, pritjet dhe zhgënjimin!

Atdheut ia fale jetën, atdheu të pret të prehesh i qetë në tokën e lirë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
The Guardian Trilogjia distopike e shkrimtares kanadeze Margaret Atwood, “MaddAddam”,…