KUMTESË NGA BDI: MASHTRIMI ME FONDE, PROKURORIA TË REAGOJË
Akt i shëmtuar mashtrimi me fonde shtetërore, prokuroria të reagojë!
Në një akt të paprecedent manipulimi dhe mashtrimi, përfaqësuesit e koalicionit VLEN sërish dëshmuan se i gjithë koalicioni i tyre është i ndërtuar mbi gënjeshtra dhe manipulime.
Deklaratat e tyre publike për një ftesë zyrtare për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit Donald Trump ishin një mashtrim i turpshëm dhe një përpjekje e shëmtuar për të krijuar një iluzion të mbështetjes ndërkombëtare.
Në vend që të përfaqësonin dinjitetshëm interesat e qytetarëve, ata u panë duke endur rrugëve të Uashingtonit, duke publikuar foto groteske në rrjetet sociale përpara posterave të ceremonisë dhe ndërtesave qeveritare.
Kjo farsë publike, e paguar me paratë e taksapaguesve, është maja e manipulimeve që karakterizojnë këtë subjekt politik pa vizion, pa moral dhe pa përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Me këtë veprim të turpshëm, ata poshtëruan veten, turpëruan shqiptarët dhe vunë në pikëpyetje integritetin e institucioneve që përfaqësojnë në sytë e botës.
Përveç manipulimit politik, ky rast përfaqëson një abuzim të rëndë me fondet publike për shëtitje të shtrenjta, që kanë në themel synime të ulëta politike.
Këta individë përveç se nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit, këtë herë treguan fytyrën e vërtetë të manipuluesit, të interesave personale dhe agjendave të errëta.
Kërkojmë që çdo njëri prej tyre të bëjë publike fondet e shpenzuara nga shteti për këtë ekskursion dhe më pas, Prokuroria Kundër Korrupsionit të nisë një hetim të plotë dhe të paanshëm mbi këtë skandal.
Manipuluesit duhet menjëherë të ndalojnë kewpërdorimin dhe të kthejnë fondet në buxhetin e shtetit
Tetovë, 22 Janar 2025,