Kundërbalanca e Perëndimit ndaj vizitës së Putinit në Beograd
Shkruan: ARDIAN KASTRATI
Vizita e Putinit në Beograd u përcoll me pompozitet të madh nga regjimi i Vuçiçit. Strukturat parapolitike të Vuçiçit, që e mbajnë të uzurpuar shtetin e Serbisë organizuan tufa simpatizantësh partiakë nga e gjithë Serbia për të pritur sundimtarin në Beograd. Koreografia ishte si në “revolucionet e jogurtit” dhe koret ishin të ngjashme me tribunën veriore të klubit futbollistik Crvena Zvezda, pikërisht aty ku Vuçiçi si i ri ka ndërtuar modelin e vet prej politikani me sharje e urrejtje patologjike ndaj popujve të tjerë joserbë të Ballkanit.
Serbia atë ditë humbi me mijëra orë pune, u mbyllën shumë shërbime administrative publike, u dhanë me mijëra mëditje për policët dhe zyrtarët e shtetit (të partisë), që morën pjesë në rekrutim dhe menaxhim të tufave. U paguan sanduiçë me jogurt, kifle, ujë, etj.. Natyrisht që nuk mungoj performanca groteske e Sllobës së vogël (Daçiçit) me këngët “Kalinka” e “Rabinushka”, të cilat Putin i përjetoi më shumë si zullum se si kënaqësi. Kësaj radhe mungoi këngëtarja Suzana Mançiç (e cila më herët i kishte kënduar këngë për ditëlindje Putinit).
Suzi është e njohur edhe për ne shqiptarët si aktore në filmin “Pikniku”, një produksion ky i “Kosovafilmit” në vitin 1986. “Pikniku” ishte një dramë dashurie me skenat e njohura “hot” të Suzit në këtë film. Fatkeqësisht, edhe Suzi iu dha Putinit më herët. Shteti serb pra shpenzoi me qindra mijëra euro dhe krejt kjo me qëllim që ngjarja të dukej sa më madhështore. Vuçiçi me stafin politik llogariti se Putinit në këto rrethana i mungon nënshtrimi dhe askush më mirë se ata nuk di ta bëjë këtë, meqenëse kjo është edhe mënyra e të jetuarit politik në Serbi.
Përderisa i dhanë kaq shumë zor për Putinin është shumë logjike, së pari, të analizohet se cilat janë benefitet e qytetarit serb nga kjo vizitë. Gjëja e parë që çdo qytetari normal atje i bie ndërmend (duke përfshirë edhe tufat e Vuçiçit) është ekonomia. Sipas Agjencisë për Zhvillim të Serbisë, vitin e fundit në investimet e huaja direkte për numër të projekteve prijnë: Italia 16.4%, Gjermania 13 %, Austria 9% dhe lista vazhdon deri te SHBA e parafundit në listë me 5.3 % dhe Greqia e fundit me 3.2%. Në këtë listë nuk shihet Rusia.
Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), top listës së donatorëve në Serbi në dy dekadat e fundit i prijnë institucionet e BE-së, pastaj radhiten Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermania, Japonia, SHBA, Zvicra, etj.. Në këtë listë prej 17 donatorësh, Rusia nuk është as në fund të tabelës. Sipas “Eurostat”, partneri më i madh tregtar i Serbisë është BE (më së shumti shkëmbim tregtar me shtete si Gjermania). Shkëmbimi tregtar i Serbisë me Rusinë në krahasim me BE-në është shumë i vogël, 8% importe dhe vetëm 2% eksporte. Ndikimin ekonomik tani më shumë se Rusia në Serbi po e shtrin edhe Kina (edhe pse shpesh me kredi me kamata përfituese). Këto janë vetëm disa nga shifrat që tregojnë se çfarë interesi ekonomik ka Serbia nga Rusia.
Sipas asaj që tha Putin, asgjë nuk do të ndryshojë. Ai tha madje, se edhe për rrjedhën e gazit rus (“Turkish Stream”), që do të kalojë nëpër Serbi, shumëçka do të varet nga BE (kjo në rast se do të kalojë nëpër Serbi sepse mund ta ketë fatin e “South Stream”). Mos të flasim për ngritjen e çmimit të naftës prej kur e blenë rusët, “Naftna Industrija Srbije” (NIS), apo edhe gjithë ato premtime boshe për eksportimin e veturave “FIAT” (që prodhohen në Serbi) sepse as edhe një veturë nuk është eksportuar nga Kragujevci në Rusi.
“investimeve” në Serbi dhe shikuar nga këndvështrimi praktik, qytetari serb do të përfitojë shumë pak ose asgjë nga marrëveshjet e nënshkruara atë ditë në Beograd. Në fakt, ra në sy një marrëveshje e nënshkruar për “hulumtimin dhe përdorimin e hapësirës kozmike për qëllime paqësore”. Ky nuk është filmi “Houston we have a problem”, ky nuk është mit, por e vërtetë. Pyetja shtrohet se si qytetari serb, familja e të cilit jeton me më pak se 200 euro në muaj, do t’i ndihmojë austronautët rus të udhëtojnë në hapësirë? Si do të arrihet ky objektiv, me pjatat e rizbuluara fluturuese “Zastava 101” apo me çfarë, sepse atje nuk mund të arrihet me “Rakovica” apo me kuaj të Banatit, ose me derra të Leskovcit.
Meqenëse bëhet e qartë se nga kjo vizitë nuk do të përfitojë populli serb, logjika na sjell te pyetja kryesore: pse atëherë u organizua në këtë kohë kjo vizitë dhe se kush përfitoi më shumë me këtë vizitë, Putin apo Vuçiç?
Natyrisht se arsyet e vizitës nuk kanë të bëjnë me ndihma apo investime serioze në Serbi. Me votimin e amendamenteve për ndryshimin e emrit në Maqedoni, tanimë planet e Putinit për Ballkanin përmes “muratorit” të tij për Ballkanin, Nikolai Patrushev, po minimizohen. Patrushev është një ish-spiun i KGB-së, aleat i besueshëm i Putinit dhe udhëheqës i Këshillit të Sigurisë Federale Ruse.
Patrushev në vitin 2016 në njërën anë në koordinim me Leonid Reshetnikov, një njohës i rrethanave në Ballkan (po ashtu ish-figurë e lartë brenda KGB-së, më pas Shërbimit Informativ të Jashtëm dhe që nga 2009-ta udhëheqës i Institutit Rus për Studime Strategjike) dhe në anën tjetër me iniciativë e përkrahje nga “sipërmarrësi gjeopolitik” kontroversi dhe miliarderi Konstantin Malofeev, i cili sipas “Panama Papers” ka interesa të mëdha në Serbi, kanë organizuar incidentin në Mal të Zi kundër Gjukanoviçit. Meqenëse aventura në Mal të Zi u dështoi, Reshetnikov dha dorëheqje nga Instituti Rus për Studime Strategjike, kurse Patrushev u detyrua të shkojë në Beograd për të kërkuar falje. Sot, Mali i Zi është në NATO dhe Maqedonia do bëhet shumë shpejt anëtare e NATO-s dhe këto janë humbje të mëdha për Rusinë.
Në anën tjetër, fakti që Vuçiçi është në presion nga SHBA dhe BE, për me i dhënë fund konfliktit të ngrirë me Kosovën, e redukton në minimum hapësirën manovruese të Putinit në Ballkan dhe pikërisht kjo mund të jetë arsyeja e parë e vizitës në Beograd. Nëse Vuçiçi pranon të arrijë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën (me kusht që të arrihet ajo paqja e vërtetë), atëherë do të përfundonte konflikti i ngrirë në Kosovë dhe me këtë Putinit do t’i mbetej vetëm konflikti i ngrirë territorial në Bosnje-Hercegovinë nën përkujdesjen e Dodikut. Rrjedhimisht, përmes kësaj vizite, Putin i dha sinjal të qartë Vuçiçit se Rusisë i konvenon vetëm konflikti i ngrirë në Kosovë dhe se nga ky pozicion do mund të lëvizte varësisht se si luhet shahu gjeopolitik nëpër gjeografi të tjera nëpër botë, ku Rusia ka interesat e saj.
Kjo u konfirmua me deklaratën se “Moskva angazhohet për përkrahjen e një marrëveshjeje të pranuar nga Beogradi dhe Prishtina bazuar në rezolutën 1244” e pikërisht përmes kësaj rezolute Rusia e mban të ngrirë çështjen e Kosovës në OKB. Njëkohësisht, përmes kësaj vizite, Putini u dërgoi sinjal rivalëve të tij perëndimorë se ai ka një aleat në Ballkan dhe se ekziston mundësia që Serbia t’i përkulet plotësisht Moskës, nëse Beogradi zyrtar nuk merr më shumë stimuj nga BE. Serbia në BE (duke mbajtur Kosovën si konflikt të ngrirë), gjithsesi, do të ishte Kali i Trojës për Rusinë. Kjo do duhej të ishte arsyeja e dytë e vizitës së tij në Beograd. Pra, Putin erdhi në Beograd për t’i dhënë këto dy mesazhe të forta, njërën Perëndimit dhe tjetrën Vuçiçit sepse, pas ngjarjeve në Mal të Zi dhe Maqedoni, Rusia është në panik se Ballkani po i del nga dora.
Arsyeja e tretë është për konsum të brendshëm sepse Rusia po kalon nëpër krizë të madhe ekonomike si pasojë e së cilës ka rënë vlerësimi për Putinin në 50%. Ky ka dashur t’u tregojë rusëve të rëndomtë që, ja, edhe në Europë kam partner lojal dhe se priten përfitime të tjera ekonomike nga marrëveshjet në energji me Serbinë dhe shitjen e armatimeve, ushtrisë serbe. Këtë e përforcon fakti se televizioni shtetëror rus raportoi 9 minuta për vizitën e Putinit në Serbi.
Vuçiçit, që herën e kaluar nxori ushtrinë kurse kësaj radhe nxori “ushtrinë” e tij civile në rrugë që Putini të ndihej si Mesia, i konvenoi vizita për me i përforcuar pozitat e tij negociuese me Kosovën në raport me opozitën që po i proteston çdo ditë sepse zgjedhjet janë vitin e ardhshëm, kurse ato të parakohshme mund të ndodhin në çdo moment. Njëkohësisht, Vuçiçi i dha mesazh opozitës se ashtu siç i ka nxjerr 100.000 njerëz në rrugë për Putinin, ashtu do t’i mobilizojë edhe për zgjedhje. Vuçiçi, si një autokrat që është, në këtë rast kërkoi një legjitimitet të jashtëm përmes Putinit, diçka e zakonshme që liderët e Ballkanit në mungesë të legjitimitetit të brendshëm e bëjnë rregullisht, por në adresa të tjera (kryesisht në SHBA apo ndonjë vend me peshë në BE). Dallimi është se ata kërkojnë këtë legjitimitet të jashtëm për të forcuar legjitimitetin e brendshëm në adresën e njëjtë, e cila edhe i ka sjellë në pushtet (në Perëndim), kurse në rastin e Vuçiçit është e kundërta. Vuçiçin në pushtet e ka sjellë perëndimi (kryesisht përkrahja e Gjermanisë) duke i besuar premtimeve të tij se do të arrijë një marrëveshje normalizimi me Kosovën, do të bëjë reformat në Serbi etj., kurse tani ky po e kërkon legjitimitetin e jashtëm nga Rusia për të mbetur në pushtet.
Prandaj, Urdhri i Aleksandër Nevskit nuk iu dha Vuçiçit si shpërblim për punën e tij të mirë në mes të Perëndimit dhe Rusisë, por iu dha për ta obliguar që të mbahet me Rusinë në të ardhmen, sepse askush që e ka marrë këtë urdhër deri më tani nuk ia ka kthyer shpinën Rusisë. Urdhri Nevski prandaj mund të lexohet në dy kuptime. E para, që Vuçiçi duhet të angazhohet për ta mbajtur konfliktin e ngrirë me Kosovën, duke shpresuar që të ndryshojnë rrethanat pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian, në mënyrë që Serbia të vazhdojë procesin e integrimit në BE pa arritur marrëveshje finale me Kosovën. Dhe e dyta, që Vuçiçi mund ta shkrijë konfliktin vetëm me lejen e Rusisë dhe atë për interesa gjeopolitike të Rusisë në ndonjë pjesë tjetër të globit.
Megjithatë, gjatë javëve në vijim pritet që SHBA në njërën anë dhe BE e Gjermania në anën tjetër të bëjnë një kundërbalancë ndërkombëtare pas vizitës së Putin në Beograd. Mungesa e angazhimit të qartë dhe veprimeve konkrete të BE-së për Ballkanin, pasiguria në lidhje me qëllimet e SHBA-së me NATO-n dhe mosbërja transparent i një plani perëndimor për marrëveshjen KosovëSerbi, ndërkohë po i siguron Putin-it ndikim afatshkurtër në Ballkan.
Nëse përforcohet angazhimi i SHBA-së në raport me NATOn (shenjat e para janë dhënë me votimin e ligjit për mosdalje prej NATO-s nga Kongresi) dhe nëse konsolidohet sadopak BE në javët në vijim, atëherë një draftmarrëveshje do të mund t’u ofrohet palëve (ndoshta edhe me pajtimin e Rusisë) dhe ndikimi rus në Ballkan në planin afatgjatë do të zbehet. Kjo marrëveshje mund të përmbajë gjithçka, përveç njohjes formale nga Serbia. Qëllimi do të jetë t’i mundësohet rrugëtimi për në BE Serbisë, Kosovës anëtarësimi nëpër organizata të rëndësishme ndërkombëtare kurse perëndimit futja 100% në kontroll të Ballkanit Perëndimor pa interferime ruse. Sido që të jetë, edhe po të ndodhte njohja nga Serbia, kjo nuk do ta garantonte ulësen në OKB apo edhe njohjen nga të gjitha pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën më shumë se ndonjë marrëveshje tjetër mes Kosovës e Serbisë, që në vetvete nuk përfshin njohjen e drejtpërdrejtë si akt final. Në një mënyrë procesi ka mundësi të kaloj nga “ambiguiteti konstruktiv” aktual i BE-së në atë amerikan-Kissingerian.
Ndërsa, nëse SHBA-të ftojnë Rusinë në këtë proces dhe Rusia pajtohet me “shkrirjen” e konfliktit të Kosovës, kjo do të ndodhë për shkak të ndryshimit të potezave të shahut gjeopolitik nëpër gjeografi tjera nëpër botë, ku Rusia ka interesa më primare sesa Kosovën. Marrëveshja si e tillë do të mund të quhet me shumë emra, si: Marrëveshja Gjithëpërfshirëse, ligjërisht obligative (ashtu siç përshkruhet në kapitullin 35, ku nuk ceket njohja shprehimisht), ose afërsisht sipas modelit të dy gjermanive (ku prapë s’ka njohje formale, por ndoshta ulëse në OKB), ose me ndonjë nocion të ngjashëm me atë si marrëveshje historike, apo qoftë edhe përmes definimit të kufijve me qëllim të “funksionalizimit ekonomik e praktik të dy anëve të kufirit”, e cila do të garantohej nga SHBA dhe BE.
Opsione të ngjashme do t’i mundësonin Serbisë dhe Kosovës të interpretojnë marrëveshjen si të favorshme, secila për vete. Serbia duke mohuar se u shkel Kushtetuta e tyre dhe Kosova duke e konfirmuar perspektiven e integrimit në BE. Zbatimi i marrëveshjes gjithmonë ka qenë nyja gordiane në raportet komplekse Kosovë-Serbi. Në të ardhmen, në rast të mosrealizimit të kësaj marrëveshjeje nga palët e tjera për shkak të bllokimit të proceseve integruese për Kosovën (e që i bie mosnjohje nga ndonjëra nga pesë shtetet e BE-së) apo ta zëmë mosgarantimi i ulëses në OKB nga Rusia apo Kina, atëherë Kosova mund të shpresojë që ta riinterpretojë procesin, duke hapur mundësinë e një unioni potencial me Shqipërinë. Kjo varësisht nga ajo se me çfarë mekanizmash ndërkombëtarë është garantuar (dhe si sanksionohet) marrëveshja Kosovë-Serbi.
Megjithatë, i tërë ky proces është tepër kompleks dhe mund të dalin edhe të panjohura të tjera gjatë rrugës dhe situata mund lehtësisht të dalë jashtë kontrollit.
Nëse nuk do të arrihet as kjo marrëveshje e që kryesisht mund të ndodhë për shkak të presionit publik apo zgjedhjeve të parakohshme në Serbi dhe nëse Kosova nuk dorëzohet para presionit amerikan, atëherë duhet mirë ta analizojmë fjalën “tragjike” në letrën e Presidentit Trump, dërguar Presidentit Thaçi. (Panorama).
* Autori është Ligjërues në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës