Kunderës i kthehet shtetësia çeke
Pas më shumë se dyzet vjetësh në ekzil, shkrimtarit të njohur çek, i natyralizuar më vonë si francez, Milan Kundera, i është kthyer shtetësia nga autoritetet çeke.
Petr Drulak, ambasador i Republikës Çeke në Francë, i tha televizionit publik se e ka vizituar shkrimtarin 90-vjeçar në banesën e tij në Paris të enjten e kaluar për t’ia dorëzuar certifikatën e shtetësisë çeke.
“Ky është një gjest shumë i rëndësishëm simbolik, një kthim simbolik i shkrimtarit më të madh çek në Republikën Çeke. Ai ishte në humor të mirë, vetëm e mori dokumentin dhe më falënderoi”, tha ambasadori.
Kundera, autor i veprave me famë ndërkombëtare, ishte përjashtuar nga Partia Komuniste e Çekosllovakisë së atëhershme në vitin 1950 nën akuzën për veprime kundërkomuniste. Ai ishte bërë figurë e urryer nga autoritetet e asaj kohe dhe ishte vendosur në Francë në vitin 1975. Në vitin 1979 shkrimtarit iu mor shtetësia çekosllovake dhe dy vjet më vonë e fitoi shtetësinë franceze.
Veprat e tij më të famshme, përfshirë librin “Shkëlqimi i padurueshëm i qenies” dhe “Libri i qeshjes dhe harresës” i shkroi në Francë dhe ato u shpallën libra të ndaluar në atdheun e tij deri në fundin e viteve të tetëdhjeta. Romani i vitit 1988, i titulluar “Pavdekësia”, ishte romani i fundit që e shkroi në gjuhën çeke, ndërsa që nga ajo kohë i ka shkruar edhe katër romane të tjera në gjuhën frënge, shkruan “The Guardian”, transmeton gazeta “Express”.
Romani i tij më i ri është “Festivali i parëndësisë”, i botuar në vitin 2014. Kundera tash jeton larg vëmendjes së publikut dhe asnjëherë nuk flet me gazetarë. Ai e kishte vizituar atdheun për herë të parë pas largimit në vitin 1996 dhe besohet se prej asaj kohe ka bërë edhe vizita të tjera, por larg vëmendjes së mediave.