Kundërkandidatit të Putinit i ndalohet garimi në zgjedhje në Rusi
Politikani opozitar rus, Boris Nadezhdin, i cili haptazi ka bërë thirrje për ndaljen e pushtimit të Ukrainës nga Moska, ka thënë të enjten se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Rusisë nuk ka pranuar ta regjistrojë atë si kandidat për zgjedhjet presidenciale të 15 marsit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë më herët se kishte gjetur “mangësi” në më shumë se 15 për qind të nënshkrimeve mbështetëse për kandidaturën e Nadezhdinit.
Nadezhdin shkroi në Telegram se do të ankohet ndaj vendimi të komisionit në Gjykatën Supreme të Rusisë, duke ngulur këmbë se të gjitha 200.000 nënshkrimet e mbështetësve të tij ishin mbledhur në mënyrë “të hapur dhe të drejtë”.
“Vendimi për të garuar për president më 2024 ishte vendimi më i rëndësishëm politik në jetën time. Unë nuk do të heq dorë nga qëllimet e mia. Do të ankohem ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, ka thënë Nadezhdin.
Nadezhdin, një 60-vjeçar i lindur në Uzbekistan është përkrahur nga shoqatat e politikanit të burgosur opozitar, Aleksei Navalny dhe figurat opozitare në mërgim, Maksim Kats dhe Mihail Khodorkovsky, megjithëse pritjet janë që zgjedhjet do të fitohen me lehtësi nga presidenti Vladimir Putin, i cili e ka udhëhequr Rusinë si president apo kryeministër prej vitit 1999.
Putini është regjistruar zyrtarisht si kandidat për president në fund të janarit për zgjedhjet që pritet t’i fitojë pa ndonjë telash, sepse kundërshtarët e tij kryesorë ndodhen ose në burg ose në mërgim, pasi kanë ikur për arsye sigurie.
Zgjedhjet në Rusi kontrollohen fuqishëm nga Kremlini dhe nuk janë as të lira e as të drejta.
Boris Nadezhdin, 60 vjeç, angazhohet për fundin e luftës në Ukrainë dhe fundin e mobilizimit ushtarak, si dhe për dialog me Perëndimin. “Njerëzit nënshkruajnë për mua, jo sepse u pëlqej në mënyrë të veçantë, por sepse është një shans për të bërë diçka për paqen, për t’i dhënë fund gjithë kësaj historie dhe për t’i ndalur vrasjet e njerëzve”, ka thënë Nadezhdin për agjencinë e lajmeve “Reuters”, më 24 janar.