Kundërshtarët e vaksinave dhe rasti i Louis Pasteur në vitin 1885

05 janar 2021 | 02:06

Vaksina e shumëpritur e Covid-19 është në aplikim e sipër në një sërë vendesh, ndërsa të tjera presin të furnizohen me të. Megjithatë, nuk janë pak ata që janë shprehur hapur kundër vaksinës, e cila për një pjesë lidhet edhe me skenare që hyjnë në kategorinë e të ashtuquajturave teori konspirative. Një situatë e tillë nuk është e re.

Një shekull e gjysmë më parë, Louis Pasteur, themeluesi i mikrobiologjisë moderne dhe krijues i vaksinës së parë të tërbimit, e gjeti veten viktimë e polemikave të ashpra.

Pasteur (1822-1895) e bëri injeksionin e parë te një njeri më 6 korrik 1885. Pacienti ishte një djalë nëntë vjeç, Joseph Meister: ai u soll në Paris nga Alsasa. Ai ishte sulmuar dhe kafshuar nga një qen që dyshohej se ishte i tërbuar. Kimisti (ai nuk ishte mjek) kishte punuar për këtë për vite me radhë. Ai vendosi të merrte masa dhe ta vaksinonte djalin me preparatin e përgatitur, i cili përmbante virusin e tërbimit të bërë inaktiv, të marrë nga materia e trurit të kafshës. Jozefit iu bënë 13 injeksione dhe nuk u prek kurrë nga tërbimi. Pasteur u bë për disa një hero kombëtar, por për të tjerët (i dyshimtë dhe armiqësor) ishte një mashtrues. Ishte një betejë që ia helmoi pjesërisht vitet e fundit të jetës. Kjo pasi ai nuk ishte një person i lehtë, nganjëherë autoritar me bashkëpunëtorët e tij, por gjithmonë tregonte se ishte zemërgjerë dhe kurajoz me pacientët.

Prindërit e Louise Pelletier i sollën vajzën e tyre nëntë vjeçare më 9 nëntor 1885. Pas Jozefit, brenda pak muajsh, serumi “magjik” kishte shpëtuar jetën e të paktën tetëdhjetë njerëzve. Louise e vogël ishte kafshuar nga një qen në mal 37 ditë më herët: kishte kaluar shumë kohë, bashkëpunëtorët e Pasteur u përpoqën ta bindnin atë që të mos ia bënte vaksinën, pasi do të ishte dështim. Por ai u përpoq gjithesi. Louise vdiq në fillim të dhjetorit. Dhe ata që e kundërshonin punën e tij gjetën rastin që u duhej. Para së gjithash, polemisti Henri Rochefort, dikur pjesëmarrës në revoltën e Komunës së Parisit të 1871. Më 2 nëntor, ky gazetar kishte vënë në dyshim zbulimin e Pasteur në një artikull të botuar nga “l’Intransigeant”, duke cituar “prova më bindëse”. Pas vdekjes së Louise, Rochefort u zemërua edhe më shumë. “Intransigeant” u bë vitrina e të gjithë të tjerëve që si ai kishin vënë në shënjestër shpikësin e vaksinës. Për Rochefort, vaksina e Pasteur ishte “një ilaç vrasës”. Një shkrim në gazetë me titullin ironik “Sukseset e Zonjës Pasteur”, raportonte të gjitha rastet e vdekjeve që, sipas autorëve, kishin lidhje me të.

Kundërshtarët e Pasteur u kthyen në një grupim të mirëfilltë (njësoj si No-Vax sot). Mes tyre kishte mjekë që nuk i duronin dot sukseset e këtij kimisti (ai lindi në një familje modeste në Jura dhe e arritir suksesin vetëm falë aftësive dhe punës së tij këmbëngulëse). Kishte republikanë të zjarrtë (të tillë si Georges Clémenceau, mjek dhe politikan): ata nuk mund të duronin faktin se Pasteur ishte katolik konservator dhe i zjarrtë (fanatik, nga pikëpamje të caktuara), i cili për më tepër kishte kënaqur kërkesat e Napoleonit III për të gjetur një zgjidhje për problemet e fermentimit të birrës dhe verës (Pasteur shpiku pasterizimin). Midis armiqve të tij ishin edhe partizanët e kauzës së kafshëve, si Marie Huot, të cilët e akuzuan Pasteur për sakrifikimin e shumë kafshëve për kërkimet e tij.

Shkencëtari në fund pati mundësinë të mbronte veten më 6 korrik 1887 në Akademinë e Mjekësisë, në një konfrontim publik me profesor Michel Peter, një mjek i nderuar që u bë oponenti i kërkimeve të tij. Pas iktusit që pësoi në 1867, Pasteur nuk ishte më ai i pari. Nga pesë fëmijët e tij me gruan Mari, vetëm dy kishin arritur moshën e rritur. Tre të tjerët kishin vdekur të vegjël: një dhimbje e thellë që e kishte shoqëruar si baba. Por ai diti të mbrohej gjithnjë përballë Peter-it. Në fund, Akademia përcaktoi se “shpikësi i vaksinës së tërbimit sot mund të jetë më shumë se kurrë me kokën lart dhe të vazhdojë detyrën e tij të lavdishme, pa u shpërqendruar nga murmuritjet tinëzare të denigrimit”. Pasteur fitoi, por në vjeshtën e po atij 1887 ai pësoi një goditje tjetër, e cila e detyroi atë të braktiste jetën publike. Ai vdiq në 1895. Dhe në një homazh pas vdekjes babai i Louise, Pelletier tha: “Ai mund ta rrezikonte reputacionin e tij universal si një i urtë dhe me vetëdije të marshonte drejt dështimit të dhimbshëm vetëm për njerëzimin”. / La Stampa / 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkencëtarët e Institutit Wistar kanë zbuluar një klasë të re…