Kundërshtari i Prishtinës me një rast pozitiv me COVID dhe një tjetër që është vetizoluar
Të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, Prishtina e pret skuadrën Connah’s Quay Nomads, ndaj të cilës do ta zhvillojë sfidën e parë në kuadër të fazës kualifikuese të Ligës së Konferencës.
Përmes një komunikate për media, kampioni i Uellsit ka njoftuar se nuk do t’i ketë në dispozicion dy futbollistë, pasi njëri prej tyre ka rezultuar pozitiv me coronavirus, derisa tjetri ka qenë rast kontakti.
“Përpara ndeshjes së të martës kundër Prishtinës, mund të konfirmojmë se klubi ka marrë një rezultat pozitiv nga testimet e të dielës nga UEFA”.
“Para udhëtimit drejt Kosovës, klubi ka bërë një hetim lidhur me kontaktet e afërta me rastin pozitiv dhe e ka identifikuar një lojtar që po ashtu duhet të vetizolohet përkundër se ka rezultuar negativ”.
“Natyrisht që klubi dhe lojtarët që mungojnë janë të zhgënjyer, megjithatë ekziston protokolli për të ofruar siguri dhe mirëqenien e të gjithë të përfshirëve”.
“Në një aspekt pozitiv, klubi mund të konfirmojë se kapiteni i klubit, George Horan dhe ritransferimi i fundit, Tom Bibby, kanë udhëtuar me skuadrën”, thuhet në njoftimin e klubit uellsian.