Kundërshtari i Putinit, Nawanly, sillet për trajtim në spitalin gjerman Charité pas helmimit
Ish-ambasadori, Sabri Kiçmari në një postim në “Facebook”, ka bërë me dije se shteti Gjerman ka sjellë për shërim në spitalin Charité, politikanin opozitar rus Alexej Nawalny, kundërshtarin e Putinit, i helmuar në rrethana ende të pa sqaruara.
Postimi i plotë i Kiçmarit:
Kundërshtari më i madh i regjimit autokratik rus Alexej Nawalny ka ateruar sot në Berlin me një aeroplan gjerman, i pajisur me aparaturë dhe mjekë gjermanë, për t’i shpëtuar jetën.
Ai do të trajtohet në spitalin gjerman Charité pas helmimit të tij. Regjimi autokratik i Vladimir Putinit prej vitesh i ndjek kundërshtarët e tij përmes burgosjes, helmimit dhe vrasjes. Regjimi i Vladimir Putinit, bashkë me regjimin e Alexander Lukashenkos në Belorusi dhe regjimin e Aleksandër Vuçiqit në Serbi përfaqësojnë modelin bashkëkohor të autokracisë: sulmojnë vendet fqinje, shmangin opozitën, torturojnë të burgosurit, helmojnë, burgosin ose vrasin kundërshtarët, nuk lejojnë zhvillimin e medieve të lira dhe shoqërisë civile dhe kështu krijojnë parakushtet për të fituar 60-80% të zgjedhjeve.
Dhe, kjo po ndodh para syve të botës demokratike!?