Kundërshtohet aktakuza ndaj Grabovcit dhe të tjerëve
Mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e ka kundërshtuar aktakuzën.
Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mbrojtësit e të akuzuarve kanë deklaruar se kundërshtimet ndaj aktakuzës i kanë paraqitur me shkrim, transmeton “Klan Kosova”.
Avokati Florent Latifaj, që mbron Adem Grabovcin, ka thënë se qëndrojnë pranë kërkesës për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave dhe se nuk ka çka të shtojë më tepër.
Ndërsa mbrojtësi i Besim Beqajt, avokati Besnik Berisha, ka thënë se nuk deklarohet për kundërshtime pa i dëgjuar përgjigjen e Prokurorisë se Shtetit në lidhje me këto kundërshtime.
Mbrojtësi i Njazi Kryeziut, avokati Kujtim Kërveshi, ka thënë se rezervon ta eleborojë kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e tij, pa dhënë përgjigje Prokuroria Speciale.
Avokati i Zenun Pajazitit ka thënë se brenda afatit ligjor kanë parashtruar kundërshtimin dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës, duke thënë se provat e paraqitura nga organi i akuzës janë thellësisht të papranueshme.
Edhe mbrojtësit e të gjithë të akuzuarve tjerë, kanë thënë se brenda afatit ligjor kanë paraqitur kundërshtimet e tyre ndaj aktakuzës, duke mohuar përfshirjen e klientëve të tyre në veprat penale me të cilat ngarkohen.
Ata kanë thënë se ngritja e një aktakuze të tillë, është bërë kryesisht nga presioni publik, sesa që ka të bëjë me veprimet inkriminuese të të akuzuarve.
Seanca është duke vazhduar. Në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, njofton Klan Kosova.