Kundërshtohet formimi i Asociacionit në protestën e thirrur nga Sadri Ramabaja
Një numër i qytetarëve kanë protestuar të martën në sheshin e Prishtinës kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo protestë është thirrur nga Sadri Ramabaja nga Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë, i afërt me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.
Qytetarët e mbledhur në këtë protestë kanë kërkuar nga ndërkombëtarët që të rishikojnë qëndrimet e tyre karshi kësaj kërkese ndaj Kosovës.
Në pankartat që mbanin në duar përcillnin mesazhin kundër themelimit të asociacionit. “Kjo protestë duhet parë thjeshtë si fillim i shpërthimit të uraganit popull; ai nuk lejon nëpërkëmbjen e Republikës”, ka shkruar në “Facebook” Sadri Ramabaja.
Ndërkaq njëri nga përfaqësuesit e protestuesve ka thënë se shqiptarët janë kundër asociacionit.
“Askush në Kosovë nuk e harron ndihmën e Evropës gjatë luftës për liri dhe për ndërtimin e Kosovës së pavarur. Evropa duhet ta di se shqiptarët masivisht janë kundër asociacionit sepse janë të bindur që ky copëzim i ri do ta çojë shtetin në të njëjtën gjendje ku e ka çuar Bosnjën, Republika serbe e Bosnjës”, u shpreh ai, duke shtuar se protestat do të jenë masive gjithandej.
“Protestat do të jenë masive gjithandej paqësore dhe në mbështetje të qeverisë Kurti që po punon me të gjitha forcat për ta ruajtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Shqiptarët do të luftojnë për ta ndalur asociacionin e institucionet evropiane duhet të rishikojnë qëndrimin e tyre”, u shpreh ky përfaqësues i protestuesve.