Kundërshtohet fuqishëm ndryshimi i Kushtetutës për asociacionin

18 tetor 2020 | 11:11

Kërkesa e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, e bërë gjatë vizitës në Beograd për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, se mund të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.

Zyrtarët politikë dhe shoqëria civile në Kosovë kanë thënë se pretendimet e tilla janë shqetësuese. Sipas tyre, ajo që duhet të ndryshohet është Kushtetuta e Serbisë dhe jo ajo e Kosovës, shkruan “Epoka e re”.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në takimin me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, ia ka bërë të qartë se asociacioni mund të krijohet vetëm duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtuese.

“Sa i përket konstatimit të tij lidhur me ndryshimin e Kushtetutës, e them se gjatë takimit kam deklaruar se duhet të respektohet Kushtetuta e Kosovës dhe nuk mund të themelohet asnjë pushtet i tretë e aq më pak organe me kompetenca ekzekutive në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Citimet e tij i shoh shqetësuese dhe ato nuk kanë fare të bëjnë me realitetin, realiteti është ajo që ne e kemi lëshuar si komunikatë zyrtare nga takimi me të”, ka thënë ajo.

Osmani thotë se ajo që ka deklaruar Lajçaku në Serbi nuk është e vërtetë. “Ajo që ka deklaruar Lajçaku në Serbi nuk është e vërtetë. Si kryetare e Kuvendit nuk kam thënë që pajtohem se asociacioni duhet të themelohet edhe në përputhje me marrëveshjen e vitit 2015, por e kam thënë të kundërtën, që duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me asociacionin”, është shprehur Osmani.

Edhe ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, i ka kundërshtuar pretendimet e ndërmjetësit të BE-së. Ajo ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është dashur t’i kërkojë BE-së që ta ndryshojë Serbia Kushtetutën e saj.

“Qeveria jonë është dashur që të kërkojë që Serbia ta ndryshojë Kushtetutën duke hequr Kosovën nga Kushtetuta e saj. Por, nuk dëgjuam se qeveria jonë ka kërkuar diçka të tillë. Gjatë kohës sime si kryenegociatore në dialogun e Brukselit kam kërkuar vazhdimisht si dhe kam dërguar një memorandum te BE-ja për heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë, duke theksuar se kjo është pikënisje drejt njohjes reciproke dhe jo ndryshim i Kushtetutës së Kosovës”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.

Kurse deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se me këto deklarata, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar se nuk e sheh Kosovën të barabartë me shtetet e tjera evropiane.
Ajo në profilin e vet në “Facebook”, ka shkruar se Lajçaku po e dëshmon që Kosovën e sheh si mundësi për të bërë karrierë personale.

“Kosova dhe populli i saj me vite kanë dëshmuar angazhimin e tyre për përmbushjen e të gjitha detyrimeve tona ndaj BE-së. Lajçak po e dëshmon që Kosovën e sheh si mundësi për të bërë karrierë personale, e jo si shtet të pavarur e të barabartë me shtetet e tjera të Evropës. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë dhe e paprekshme. Serbia duhet ta ndërrojë Kushtetutën e vet dhe duhet të kërkojë falje për të gjitha krimet që i ka shkaktuar popullit të Kosovës”, ka shkruar Kadrijaj.

Ndërkaq zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, ka thënë se në takim me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, kanë biseduar vetëm për dialog dhe jo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në profilin e vet në “Facebook”, ai ka shkruar se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk ka mundur të jetë pjesë e takimit, pasi që Lajçaku i di qëndrimet e LV-së për këtë temë. “Në takimin me z. Lajçak është diskutuar për procesin e dialogut në vete. Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk ka mundur të jetë temë e këtij takimi pasi z. Lajçak është shumë i vetëdijshëm për qëndrimet dhe vlerësimet e LV-së në lidhje me të. Prandaj edhe nuk është paraqitur nevoja për riaktualizim të kësaj teme në takim me ne. Të njëjtën konsideratë me gjasë nuk mund ta ketë pasur në takimet e tjera, veçanërisht me ata të cilët e kanë negociuar e përkrahur si marrëveshjen e 2013-s, po ashtu edhe atë të 2015-s”, ka shkruar Kryeziu “Facebook”.

Pro ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës është shprehur kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, por në drejtime të tjera.

Ai ka vlerësuar se Kushtetuta mund të ndryshohet duke i hequr privilegjet për komunitetet pakicë dhe duke ia hequr Kosovës pengesat për t’u bashkuar me pjesë të tjera shqiptare. “Kushtetuta mund të ndryshohet duke i hequr privilegjet për komunitetet pakicë, përkatësisht duke e ndryshuar nenin 65.2 i cili u mundëson të drejtën e vetos në ndryshimet kushtetuese. Ky ndryshim duhet të pasohet me ndryshimin e nenit 1.3 që e ndalon bashkimin e Kosovës me pjesë të tjera shqiptare. Këto ndryshime mund të ndodhin vetëm si rezultat i një marrëveshjeje të re ndërkombëtare me Serbinë dhe nën garancinë e ShBA-së dhe BE-së e që do të përfshinte ripërcaktimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Murati në profilin e vet në “Facebook”.

Sipas tij, ndryshimi i Kushtetutës për të akomoduar një asociacion me përgjegjësi ekzekutive do të ishte një autonomi politiko-territoriale. “Këto ndryshime do të mund të ishin pjesë e një marrëveshjeje për normalizim e që, sipas të gjitha gjasave, nuk përfshin edhe njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë e, rrjedhimisht, do të nënkuptonte edhe vazhdim i bllokimit të Kosovës në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Ndryshimet e para do ta bënin Kosovën një shtet funksional e tërësisht sovran me hapje të mundësive për zhvillim, përparim, konsolidim të sundimit të ligjit e luftë kundër korrupsionit. Por do ta hapte edhe mundësinë e bashkimit me Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet e dyta do ta rrisnin jofunksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe do ta rrisnin ndikimin e Serbisë në të. Nga ato që tha Lajçaku, BE-ja dhe Kosova janë nisur në rrugën e dytë”, ka shkruar Murati.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), deklaratat e Miroslav Laçakut për ndryshim të Kushtetutës së Kosovës i ka cilësuar luftënxitëse. Përmes një reagimi për media, ky këshill ka vlerësuar se i dërguari i BE-së për bisedime midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, shumë herë është deklaruar kundër pavarësisë së Kosovës dhe qartazi është rreshtuar në anën e Serbisë.

Pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Beograd, Lajçak ka thënë se gjatë 25 takimeve në Prishtinë, asnjë nga bashkëbiseduesit e tij nuk e kishte mohuar themelimin e asociacionit si obligim i dalë nga marrëveshjet me Serbinë të nënshkruara nën ndërmjetësimin e BE-së më 2013 dhe 2015. Madje, sipas tij, zyrtarët e Kosovës nuk kanë thënë “jo” as për ndryshimin e Kushtetutës.

“Askush nuk ka thënë se kjo është e pamundur. Kushtetuta nuk është Bibël. Nëse merremi vesh për gjëra serioze, atëherë natyrisht se kjo duhet të reflektohet edhe në Kushtetutë”, ka thënë Lajçak. Ndër të tjera, ai ka thënë se për çdo gjë që janë marrë vesh në marrëveshjet e mëhershme në Bruksel duhet të zbatohet. Ai ka deklaruar se hapi i radhës është të flitet për statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

(M.K / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi ka pësuar humbjen e parë këtë edicion në…