Kundërshtohet hapësira e madhe e produkteve të Serbisë në panairin ‘Prishtina 2018’
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë shprehur shqetësimin në lidhje me pjesëmarrjen e produkteve të Serbisë në panairin ndërkombëtar “Prishtina 2018”.
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur për hapësirën e madhe që i është dhënë produkteve të Serbisë si dhe vërshimin e këtyre produkteve në tregun e Republikës së Kosovës pavarësisht që Serbia e lufton në çdo drejtim Republikën e Kosovës, si në arenën ndërkombëtare po ashtu edhe përmes strukturave paralele përbrenda Kosovës.
“Nga 174 biznese të cilat marrin pjesë në këtë panair 70 prej tyre janë nga Serbia dhe vetëm një është nga Republika e Shqipërisë. Kjo tregon që institucionet e Kosovës dhe Oda Ekonomike e kanë shndërruar Kosovën në një koloni tregtare të Serbisë”, ka thënë Konjufca.
Ai gjithashtu ka potencuar edhe nivelin e lartë të importit tregtar me Serbinë, e cila kalon shifrën prej gjysmë miliard euro, ku nga 19 vite pasluftës produktet e Serbisë në mënyrë shtetërore janë bojkotuar vetëm 45 ditë.
Ndërkaq nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetja Fatmire Mulhaxha ka folur për dëmet që Serbia i ka shkaktuar Republikës së Kosovës dhe duke mos dhënë asnjëherë përgjegjësi për krimet e kryera.
/Epoka e re/