Kundërshtohet ndarja e MKRS-së
Në të dy propozimet e fundit që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë bërë njëra-tjetrës për bashkëqeverisje, parashihet që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), të mos jetë ministri e veçantë.
Lëvizja Vetëvendosje në propozimin e saj parasheh që kjo ministri të ndahet, ku kultura dhe rinia i bashkohen Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kurse sporti i bashkëngjitet Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërsa LDK-ja parasheh që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit t’i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Të dy këto propozime janë duke u konsideruar si absurde dhe që shpërfaqin joseriozitet të këtyre dy partive karshi shëndetësisë, kulturës, rinisë dhe sportit.
Bashkimi i sportit me Ministrinë e Shëndetësisë, për Blerim Sylën, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, do të ndikojë negativisht në funksionimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ai ka thënë se është e çuditshme se si është menduar që dy fusha krejt të ndryshme të bashkohen në një ministri të vetme.
Funksionimin e shëndetësisë me sportin, ai e ka parë si të pamundur, derisa ka theksuar se shëndetësia ka shumë probleme me të cilat duhet të merret ministri i ardhshëm, e derisa do të jetë edhe sporti gjërat do të komplikohen.
Syla ka thënë se edhe sporti është në kulmin e sukseseve, e bashkimi me një ministri si shëndetësia që është e shumë probleme do ta lë në hije.
Madje, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të dështohet në të dyja fushat nëse veç ndodhë një bashkim i tillë.
Kundër një bashkimi të tillë është edhe kryetari i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra, i cili përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se duke qenë shëndetësia më shumë probleme bashkimi me një sektor tjetër vetëm sa do ta vështirësonte gjendjen e saj.
Sipas tij, bashkimi i Ministrisë së Shëndetësisë me atë të Sportit, duke anashkaluar një sektor të afërt siç është mirëqenia sociale nuk do t’i ndihmojë sektorit të shëndetësisë, por vetëm do të vështirëson punën e tij.
Ndarjen ose shkrirjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e sheh si të gabuar edhe analisti i futbollit Ardian Llumnica, i cili për “Kosovapress”, ka thënë se është për keqardhje diskutimi për bëhet për këtë ministri.
Në anën tjetër, Jeta Krasniqi nga KDI-ja, ka thënë se ndarja e ministrive duhet të bëhet në bazë të programit qeverisës.