Kundërshtohet zhbërja e Ministrisë së Kulturës
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës nëpërmjet një komunikate përcjellë dhe shprehë shqetësimin e institucioneve anëtare, artistëve individualë dhe opinionit publik, në lidhje me planet për shpërbërjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), të bëra publike nga zyrtarët e partive politike që janë duke negociuar krijimin e Qeverisë së re të Kosovës.
“Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK kundërshton zhbërjen e MKRS-së dhe përsëritë kërkesën për krijimin e Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës. Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës me këtë kumtesë përcjellë dhe shprehë shqetësimin e institucioneve anëtare, artistëve individualë dhe opinionit publik në lidhje me planet për shpërbërjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), të bëra publike nga zyrtarët e partive politike që janë duke negociuar krijimin e Qeverisë së re të Kosovës. RRIPAK kujton opinionin publik që me kumtesën e datës 2 dhjetor 2019 ka kërkuar krijimin e Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës”, është thënë në komunikatën e RRIPAK-ut.
Sipas kësaj komunikate, kjo kërkesë e institucioneve të organizuara në RRIPAK ka ardhur pas hulumtimeve dhe analizave të bëra nga Sekretariati i RRIPAK-ut duke pasur parasysh edhe zhvillimet në administrimin e këtij dikasteri qeveritar në periudhën e kaluar dhe mangësitë e trashëguara në qeverisje dhe programet zgjedhore të partive politike për artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore në Kosovë.
RRIPAK thekson se partitë politike duhet ta rrisin urgjentisht vëmendjen për rolin dhe ndikimin shoqëror dhe zhvillimor të këtij aktiviteti të rëndësishëm shoqëror dhe ta fuqizojnë pozitën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore në qeverinë e re për të krijuar një paradigmë të re zhvillimore në Kosovë duke trajtuar artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore si interes kombëtar dhe pikë parësore të politikave zhvillimore.
“RRIPAK vlerëson të dëmshme për interesin publik dhe kombëtar të Kosovës planin për zhbërjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe mosthemelimin potencial të Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës. RRIPAK planin për zhbërjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e konsideron të rrezikshëm për kornizën ligjore të Kosovës, e cila administron institucionet publike dhe këtë sektor në Kosovë, të dëmshme dhe të rrezikshme për zhvillimin dhe funksionimin e institucioneve publike dhe të pavarura të artit dhe kulturës, të dëmshme për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe shkatërruese për punën artistike dhe kulturore në Kosovë në përgjithësi. RRIPAK ua tërheq vëmendjen zyrtarëve të partive politike që janë duke negociuar krijimin e qeverisë së re të Kosovës, që Ministria e Kulturës është pjesë e rëndësishme përbërëse e secilës qeveri progresive të vendeve të Evropës juglindore dhe vendeve të Bashkimit Evropian”, është thënë në këtë komunikatë.
RRIPAK ka theksuar se me zhbërjen eventuale të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe mosthemelimin e Ministrisë së Kulturës, Kosova do të veçohej nga shembujt e politikave progresive në vendet demokratike të Evropës juglindore dhe vendet e Bashkimit Evropian.
/Epoka e re/