Kupa e Kosovës, Drita e mposht Drenasin me 10 futbollistë
Dritës u janë nevojitur vazhdimet për ta mposhtur 1:0 një skuadër me 10 futbollistë të Drenasit në rrethin e dytë të Kupës së Kosovës të enjten.
Goli i vetëm i Hamdi Namani në vazhdime në Gjilan i ndihmoi Dritës ta mundë 1:0 Drenasin – klubin e Ligës së Parë, kategoria e dytë e futbollit në vend – për të kaluar në mesin e 16 më të mirëve në kupën shtetërore.
Megjithëse e mbizotëroi kundërshtarin duke i krijuar disa mundësi shumë të mira shënimi dhe luajti me një lojtar më shumë në çerekun e fundit, Drita nuk ia doli ta thyejë akullin në kohën e rregullt.
Portieri Bujupi i bëri disa pritej të mira për ta mbajtur Drenasin në lojë, por përjashtimi i Endrit Bytyqit në minutën e 73-të ia zbehu shpresat vizitorëve për ta çuar në penallti ndeshjen.
Princ Balde e goditi shtyllën në minutën e tretë të vazhdimeve, para se Namani ta thyente akullin përfundimisht duke shënuar për triumfin e vuajtur të Dritës tre minuta më vonë.
Ndërkohë në ndeshjet e tjera të këtij rundi të enjten:
Arbëria 4:0 Vitia
KEK-u 1:0 Trepça
Liria 2:4 Dukagjini
Flamurtari 0:2 Ferizaj