Kupa e Shqipërisë, favoritët kalojnë tutje
Asnjë surprizë në gjashtë ndeshjet e para të fazës së 1/8 në Kupën e Shqipërisë. Të gjithë ekipet favoritë kaluan më tej, ndërsa në duelin mes dy ekipeve të elitës, Laçi-Dinamo, triumfoi ekipi i Mirel Josës me rezultatin minimal 1-0.
Partizani mposhti me përmbysje Apoloninë, një ndeshje e cila u vendos në pjesën e dytë. Portieri Harizaj kaloi fierakët në avantazh teksa në tentativën e dytë nga pika e bardhë e penalltisë mposhti kapitenin Alban Hoxha.
Të kuqtë e Orges Shehit iu përgjigjën menjëherë teksa Xhuliano Skuka realizoi një gol shumë të bukur, i pari për të në këtë rikthim në shtëpinë e kuqe. Për të mbyllur llogaritë me Apoloninë mendoi Mensah që sigloi shifrat përfundimtare në 3-1.
Një fitore të pastër 3-0 siguroi Tirana përballë Korabit duke siguruar një biletë për në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Lulaj, Latifi dhe Hoxhallari ishin autorët e golave. Me rezultatin e pastër 2-0 edhe Egnatia likuidoi Lushnjen. Kalon më tej Kukësi, me verilindorët që mposhtën Elbasanin me rezultatin minimal 1-0. Nuk kishte surprizë as në sfidën Erzeni-Bylis, me shijakasit që kalojnë më tej pas fitores 2-1.