Kupa ‘Nënë Tereza’ fillon në mars, pjesëmarrëse tri kategoritë
Bashkimi i shqiptarëve po vjen dhe, ashtu siç të gjithë janë të ndërgjegjshëm, kurrsesi nga politika. Do të jetë sporti që do t’i bëjë bashkë shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë.
Kupa e re e quajtur “Nënë Tereza”, e cila është mirëmenduar nga organizatorët, e iniciuar nga presidenti i FShF-së, Armand Duka, është përcaktuar në projekt që të nisë në muajin mars-qershor të 2020. Sipas asaj që raporton “Top Channel”, do të marrin pjesë tri kategoritë e futbollit. Kategoria Superiore e Shqipërisë që ka 10 ekipe dhe Kosovës që ka 12 ekipe. Kategoria e Parë e Shqipërisë që është me 20 ekipe dhe Kategoria e Parë e Kosovës që ka 16 ekipe. Kategoria e Dytë e Shqipërisë ku luajnë 26 ekipe, ndërsa e Kosovës që ka 16 ekipe.
Të gjitha këto skuadra do të marrin pjesë në Kupën “Nënë Tereza”, por 22 ekipet e elitës së futbollit në Kosovë dhe Shqipëri do të shkojnë direkt në fazën 1/32. Ndërsa 80 ekipet e Kategorisë së Parë dhe të Dytë do të luajnë me njëri-tjetrin në sistemin vajtje-ardhje në stadiumet e tyre. Faza e parë do të ketë 140 ndeshje, ndërsa për të mbërritur në finalen e madhe do të duhen 201 ndeshje.