Kupina: Mandati i KFOR-it, vetëm si reagues i tretë, dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, përmes këshilltarit për medie, Bekim Kupina është përgjigjur për deklaratën e kryeministrit Edi Rama, se KFOR duhet të marrë veriun nën kontroll, raporton Epoka e re.
Në deklaratë është thënë se institucionet e Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga NATO që patrullimet në zonën kufitare t’i përfshijnë edhe ushtarët e NATO-s, krah policëve të Kosovës, në mënyrë që të parandalohet hyrja e grupeve terroriste nga Serbia.
“Mandati i KFOR-it, është vetëm si reagues i tretë dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë dhe institucioni kyç për sundimin e ligjit dhe sigurinë në secilën pjesë të territorit të Kosovës”, ka thënë Bekim Kupina këshilltar për media i presidentës Osmani.
“Presidentja Osmani në çdo bisedë dhe takim me partnerët dhe aleatët e ka sqaruar se mandati i KFOR-it, është vetëm si reagues i tretë dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë dhe institucioni kyç për sundimin e ligjit dhe sigurinë në secilën pjesë të territorit të saj. Institucionet e Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga NATO-ja, që patrullimet në zonën kufitare t’i përfshijnë edhe ushtarët e NATO-s, përkrah policëve të Kosovës në mënyrë që të parandalohet hyrja e grupeve terroriste dhe sulmet nga Serbia.
Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa me NATO-n, ka bashkëveprim dhe koordinim të ngushtë, siç e dëshmon edhe reagimi e operacioni policor gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.
Pra, nuk bëhet fjalë për marrjen e kompetencave sovrane të institucioneve të sigurisë së Kosovës nga KFOR-i, por për mbështetjen e institucioneve të Kosovës në ndalimin e agresionit nga Serbia.”, ka deklaruar për “Epoka e re”, Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidentes.