Kuqezinjtë për herë të dytë në Evropian, Sylvinho: Për mua është akoma një ëndërr
Ishte fillimi i këtij viti 2023, saktësisht më 2 janar kur të gjithë mësuam emrin e ri e trajnerit tonë të kombëtares, një brazilian Silvio Menedez Kampos Junior, një emër që nuk thoshte asgjë thuajse për askënd, as për futbolldashësit dhe ndjekësit e rregullt të këtij sporti, jo më për njerëzit më indiferent.
Më pas tentuan me emrin e tij të shkurtuar, Sylvinho, prapë asgjë thuajse për askënd, përjashto ndonjë matës statistikash apo ndonjë tifoz të thekur të Barcelonës, Arsenalit apo Manchester Cityt që mund të mbante mend emrin e një prej lojtarëve të skuadrës së tij të zemrës një dekadë më parë.
Edoardo Reja përpara tij njihej nga të gjithë, edhe pse ishte italian, edhe pse kishte drejtuar në Serinë A disa ekipe dhe jo pak po në mbi 1000 ndeshje e megjithatë edhe pse arritëm për një edicion në Ligën e Kombeve të renditeshim në vendin e parë në grup, pjesa tjetër e fundit, vendosi një rekord negative të 10 ndeshjeve pa fitore.
Një shije e keqe tek të gjithë edhe tek ai vetë padyshim, që u largua duke i shtrënguar dorën të gjithëve e parë në sy madje edhe të riut Sylvinho.
Një lëvizje ndoshta kundër ligjeve natyrale apo të etikës, një i moshuar të ngrihet nga ulësja për t’i lënë vendin një të riu, rreth 35 vite eksperiencë për t’i lënë vendin një eksperience më pak se një vjeçare, por futbolli nuk është një shkencë ekzakte dhe për këtë arsye shumë gjëra nuk janë standarte dhe kur nuk ka një shpjegim logjik, mjaftohen me shprehjen, kështu është futbolli.
Kështu nuk mund të shpjegohet edhe mungesa e suksesit të emrave të mëdhenj si Hans Peter Brigel, Ari Han apo Kristian Panuci, një mal me eksperiencë, historira finalesh Botëroresh e Champions League, që duhen net dimri si këto për t’i treguar, por ama si trajnerë, drejtuan Shqipërinë nuk arritën asgjë e më pas nuk dihet ku janë…të paktën jo më në nivele për të drejtuar ekipe kombëtare apo klube të mëdha.
Sylvinho edhe pse si lojtarë ka disa trofe si Kupë e Brazilit, të Anglisë apo dy Champions Leaguer, përpara kuqezinjve, kishte pasur një eksperiencë si ndihmës i Tites në kombëtaren braziliane, ndihmës i Mancinit tek Interi në Serinë A, më pas tek Lyon disa muaj, një sezon tek Corinthias në Brazil dhe kaq.
“Për mua është akoma një ëndërr, ndërkohë për Shqipërinë është hera e dytë që shkon në finalet e një evropiani. Sa i përket trajnerëve, mund të them që edhe ata janë emra vërtet të mëdhenj. Sot është Silvio, Doriva dhe Zabaleta dhe ne besojmë shumë në punën tonë, por pa harruar punën që ka bërë Panuci apo Reja pasi janë pak a shumë ata lojtarë, e njëjta gjeneratë me djem shumë të rinj. Ata dhe puna e tyre ka qenë shumë e rëndësishme për mua, në këtë moment. Për këtë arsye unë i përmend emrat e tyre por edhe trajnerit të U21-shit, Alban Bushin, pasi na kanë sjellë lojtarë të rëndësishëm. Unë besoj shumë në punën e të gjithëve. Ashtu kam bërë edhe unë edhe pse jam i ri në karrierën time si trajner, por kam lënë një shenjë ku kam qenë, me ndonjë lojtarë, apo ndonjë gjë tjetër në ekip, ashtu si lanë ata dhe ne në këto 10 muaj i zhvilluam futbollistët që na lanë dhe disa të tjerë. Nuk duhet të harrojmë se futbolli ashtu si edhe jeta ecin shumë shpejtë. Dua të falënderoj dhe e vlerësoj punën e trajnerëve përpara meje që lanë diçka për ne sot”, ka thënë trajneri i kuqezinjve, Sylvio Mendes Campos Junior.