Kuqezinjtë premtojnë maksimumin për kualifikimin historik

24 qershor 2024 | 07:57

Kombëtarja e Shqipërisë sonte (e hënë) do të zhvillojë ndeshjen e tretë dhe të fundit në fazën e grupeve në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Kuqezinjtë do të përballen me Kombëtaren e Spanjës me synim që të shkaktojnë befasi dhe të marrin fitore për të qenë në garë për kualifikim në fazën tjetër, që do të ishte historik kombëtaren shqiptare. Në dy ndeshjet e para, Shqipëria luajti mirë, por regjistroi një humbje nga Italia dhe një barazim me Kroacinë.

Në konferencë për medie një ditë para ndeshjes, trajneri i kuqezinjve, Sylvinho u shpreh se skuadra do japë maksimumin në fushë, në mënyrë që të kualifikohet. Sylvinho thotë se nuk firmos për barazim, pasi skuadra që drejtohet prej tij do të synojë vetëm 3 pikët ndaj një rivali që është tejet i fortë.

“Nëse kalojmë, do të jetë kënaqësi e madhe në 1/16 më të mira. Spanja është ekip i mirë, por ne do luajmë gjatë gjithë 90 minutave, nëse kalojmë tutje, do jetë diçka e mirë. Do të jetë mision i vështirë, por ne do të bëjmë përformancën tonë më të mirë. Asnjëherë ndonjë trajner nuk dëshiron që skuadra të luajë për barazim. Edhe nëse nuk keni skuadër cilësore, gjithmonë do ketë tentativa për të fituar. Nëse duam të kalojmë, duhet të fitojmë. Ndoshta kalojmë edhe me 2 barazime, por ne shkojmë për të fituar”, ka deklaruar trajneri brazilian i Shqipërisë.

Në konferencë për medie krahas Sylvinho, prezent ishte edhe kapiteni Berat Gjimshiti, i cili po ashtu beson në kualifikim. “Është një sfidë ndaj një ekipi shumë të fortë, por besoj se të gjithë çunat janë gati për sfidën. Gjëja më e rëndësishme është se jemi akoma në garë për të kaluar grupin dhe do të bëjmë maksimumin për të ‘bezdisur’ Spanjën. Asgjë nuk është e pamundur në jetë dhe këtë e kam mësuar gjatë karrierës time, por patjetër do të jetë një ndeshje e vështirë, padyshim më e vështira në grup dhe siç thashë do të japim maksimumin për një kualifikimin historik”, ka thënë Gjimshiti.

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, para ndeshjes me Shqipërinë ka thënë se skuadra e tij ka prestigj ndaj do japë maksimumin në çdo ndeshje e më tej vlerësoi “kuqezinjtë”, teksa i ka konsideruar si një ekip i madh, që meritoi të ishte pjesë e “Euro 2024”. “Ne jemi të rrezikshëm dhe kemi prestigj, ndaj do t’i qasemi ndeshjes sikur të ishte e fundit e këtij kompeticioni. Ne duam të fitojmë çdo ndeshje. Nesër mendojmë për të fituar. Nuk na habit. Nëse ata janë këtu, kjo është për shkak se ata janë duke punuar mirë. Duhet të jemi të fokusuar dhe të punojmë mirë për të kërkuar fitoren”, ka deklaruar ai. Në të njëjtën kohë zhvillohet edhe ndeshja tjetër e grupi B mes Kroacisë dhe Italisë.

Të mërkurën takohen:

21:00 Shqipëri – Spanja
21:00 Kroaci – Itali

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqiptari nga Kosova që mbron ngjyrat e Zvicrës, Granit Xhaka…