Kur ambasadori gjerman paralajmëronte Berlinin për synimet serbe të daljes në Adriatik

31 tetor 2021 | 18:55

Shkruan: Sylë Ukshini

Çfarë i shkruante ambasadori gjerman në Vjenë kancelarit perandorak von Bethmann Hollweg lidhur me synimet serbe për dalje në portin detar në Adriatik?

Si duket Beogradi asnjëherë nuk kishte arritur të gjente rehatinë dhe lumturinë e tij brenda të kufijve të shtetit serb të krijuar sipas Kongresit të Berlinit. Pas zgjerimit fillestar territorial në drejtim territoreve shqiptare në Sanxhakun e Nishit (1877-78), edhe në kohën e luftërave ballkanike 1912/1913, pasi kishte pushtuar ushtarakisht territorin e Kosovës (duke dyfishuar territorin e Serbisë), filloi të shpërfaqte synimet që përmes territoreve të Shqipërisë të ndërtonte një linjë hekurudhore dhe përfundimisht të dilte në portin detar shqiptar në Adriatik. Pavarësisht këtyre synimeve, Beogradi lëshonte deklarata miqësore dhe bashkëpunuese në drejtim të Vjenës, të cilën e shihte si kundërshtaren më të vendosur për realizimin e planeve për zgjerim territorial në drejtim territoreve shqiptare.

Lidhur me këto zhvillime ambasadori gjerman në Vjenë Heinrich von Tschirschky ((1858 –1916) në një shkresë sekrete drejtuar kancelarit perandorak gjerman Theobald von Bethmann Hollweg (1856 –1921), shkruan për raportet ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Serbisë, duke nënvizuar se konti Berthold ishte i inkurajuar pasi së fundi nga Serbia ishin dëgjuar tone miqësore, e që nuk ishin të zakonshme prej kohësh. Në të njëjtën kohë, në Vejnë kishte mosbesim në deklaratat pasi ajo ishte në dijeni për planet serbe të zgjerimit territorial dhe të synimeve për daljen në portin shqiptar të Adriatiku.

“Deri më tani ka pasur vetëm deklarata jodetyruese nga z. Pashiq, por këto justifikojnë përfundimin se Beogradi është i gatshëm të tregojë anë më të buta ndaj monarkive fqinje”, shton ambasadori gjerman, duke shtuar se Vjena akoma nuk ishte hyrë në biseda të drejtpërdrejta me Beogradin. Por, më te në këtë dokument thuhej qartë se “Në çdo rast, duhet të pritet një zgjerim territorial i Serbisë. Dhe një provë për sinqeritetin e synimit të Serbisë për të mbajtur marrëdhënie të mira me Austrinë do të ishte nëse Beogradit i kërkonte apo jo j një port në detin Adriatik”.

Më tej diplomati gjerman, duke paraqitur pikëpamjet e Vjenës zyrtare, vinte në duke se “nëse dëshiron portin e saj buzë detit shqiptar, në të cilin mund të shkojë vetëm me ndihmën e një treni që kushton rreth 300 milionë franga përmes territorit të Shqipërisë dhe për të cilin duhet ta ketë parasysh se Austria nuk mund të pajtohet me të, atëherë kjo do të tregonte se nuk dëshiron të heqë dorë nga politika e vjetër e mosbesimit ndaj Austrisë”.

(Marrë në profilin e tij në ‘Facebook’).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish i emëruari special amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell,…