
Kur arroganca zë vendin e arsyes, demokracia zëvendësohet me teatër politik
Shkruan: Hisen Berisha
Është mosndëshkimi i shkeljeve, që krijon shprehi! Konkretisht kur toleron shkeljet mbi ligjin e kushtetuten, atëherë rruga drejt degradimit institucional bëhet shprehi.
Ironikisht, përfaqësuesit e VV-së deklarojnë se janë “partia e parë”, por harruan të shtojnë: jo me vota të mjaftueshme për të qeverisur vetëm.
Sot dëgjojmë zyrtarë, ish-ministra, tek flasin për opozitën sikur po e “bllokon” vendin, sepse nuk po e voton kandidaten e tyre për kryetare të Kuvendit, ndërkohë që realiteti tregon të kundërtën: LVV nuk i ka votat. Dhe në vend se të kërkojnë kompromis, shfaqin arrogancë.
Në demokraci nuk sundon kush ka më shumë vetëbesim, por ai që di të ndërtojë konsensus.
Dhe po, kompromisi nuk është dobësi, por thelb i rendit demokratik.
Deklaratat e njëpasnjëshme nga përfaqësues të VV-së, të koordinuara me saktësi kirurgjikale, tregojnë se dikush po jep direktiva për narrativën që duhet ndjekur dhe për të matur legjitimitetin politik me vota krahasimore.
Nëse VV i paska votat, le ta formojë Kuvendin. Le ta bëjë edhe Qeverinë.
Por nëse për këtë duhet që Lista Serbe të “rebelojë” katër apo gjashtë deputetë, siç kanë lënë të kuptohet zyrtarë të lartë të Serbisë, atëherë fjala “vetëvendosje” e ka humbur krejtësisht kuptimin.
Kemi hyrë në një fazë ku arroganca po zëvendëson shtetin ligjor dhe manipulimi po merr vendin e përfaqësimit.
Koha është që opozita të mos lejojë më asnjë shkelje kushtetuese, as në emër të stabilitetit, e as të paqes së rreme. Kosova nuk është teatër kukullash.