Kur “Burdushi” i cakton menynë ushqimore deputetit të Kuvendit të Kosovës

28 maj 2019 | 11:05

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Këshilla dietale apo delikte morale: Sipas një “rregulli”, te shqiptarët gratë janë të paracaktuara për gatitjen e ushqimeve, sidomos tek ata meshkuj parazitë që përtacinë e tyre, dominimin dhe epërsinë e mbështesin në Kanunin e Lekë Dukagjinit e jo në të drejtat dhe përgjegjësitë e barabarta që zbatohen në botën e qytetëruar. Realisht, nëse i shohim statistikat, në fushat ku femrat do të duhej të kishin dominim të plotë, sidomos në fushën e gastronomisë dhe floktarisë, pra në planin e cilësisë së pakundërshtueshme, çuditërisht emrat e meshkujve janë dominues si në planin e gastronomisë, po ashtu edhe të floktarisë. Te shqiptarët është Renato Mekolli që ka bërë emër në gastronomi, pastaj Antoni Atanasi me restorantet Pjer në ShBA si dhe një tjetër në Danimarkë që për disa vjet mori çmimin e parë në Evropë për cilësinë e gatimit. Mos të flasim pastaj për zinxhirin e restoranteve “Te Nazi” që ka më shumë klientë se KFC apo “Burger King” në Kosovë. Nuk po e zgjas më shumë sepse do të duhej të shkruhej një libër i tërë për këtë temë. Po një komunikim midis deputetit të Kosovës, Milaim Zeka dhe përgjigja aspak diplomatike dhe politike e Basri Peçanit, me nofkën “Burdushi”, më shtyri ta trajtoj këtë temë e që u bë bestseller në shtypin rozë. Pastaj, për t’i vënë maje këtij prostitucioni në fushën e komunikimit po përkujdesen një kohë të gjatë një president aktual i Kosovës, Shkëlqesia e Tij, z. Hashim Thaçi dhe një ish-president, ish-kryeministër dhe deputet aktual i Kuvendit të Shqipërisë, z. Sali Berisha.

Ta shohim këtë rastin e parë dhe luftën midis dy “gladiatorëve” me lak në fyt, Milaim Zekës, pa nofkë në mungesë të informatave dhe Basri Peçanit – “Burdushit”. Që të dy janë gladiatorë mediaë dhe se në komunikimin e tyre nuk i vënë gjuhës, as pikë e as prese e lëre më shenja të tjera të pikësimit. Natyrisht se Zeka, si një gazetar me përvojë, aq sa ka përvojë “Burdushi” në aplikimin e shërimit alternativ që dikush e quan fall, por se shumica i kanë besuar këtij falli, duke e shpërblyer më shumë se të ishte rektor në Klinikën Majo apo në Spitalin në Kejp Taun, Afrika e Jugut, ku Kristian Bernard e bëri transplantimin e parë të zemrës. Milaim Zeka i ka bërë reklamë, pa asnjë kompensim material “Burdushit”, duke e bërë Hashim Thaçin të Republikës së “Burdushit”. “Burdushi” e ka kuptuar gabimisht promovimin që ia ka bërë Milaim Zeka për faktin se e ka marrë vetëm nga aspekti negativ. Realisht, sot në Kosovë nëse për dikë shkruani pozitivisht do ta merrni në qafë sepse negativiteti dhe ndryshku e kanë përfshirë shoqërinë kosovare në atë masë dhe është bërë shenjë identifikuese dhe referencë për karrierë politike, biznesore dhe, vetëm referenca negative ju vendos në piedestalin e të merituarve, të shquarve dhe të respektuarve. Idealizmi, ndershmëria dhe mençuria sot në Kosovë llogariten si pjesa më përmbajtjesore e marrëzisë, për fat të keq. Dhe si element për caktimin më të lehtë të diagnozës! Duhet ta keni parasysh faktin se sa shumë duhet të bëni investime e që të bëheni një politikan i provincës e lëre më të bëheni kryetar apo president i një vendi që ofron aq shumë mundësi dhe nga ju nuk kërkon asnjë përgjegjësi, siç është Republika e Kosovës. Ky angazhim vullnetar i Milaim Zekës në promovimin e Republikës së “Burdushit”, pa përmendur poste konkrete, është keqkuptuar rëndë nga Basri Peqani, i cili, në një reagim të redaktuar gjuhësisht nga idoli im, Akademik Zafir Berisha, për mendjen time u ngut shumë dhe i hyri në hak Milaimit. “Burdushi” në reagimin e tij u deklarua se kurrë nuk ka qenë anëtar i ndonjë partie politike, se është apolitik (OJQ shumë fitimprurëse) dhe se nuk pajtohet që Zeka ia përmend Republikën e “Burdushit”. Duke bërë përpjekje të distancohet nga politika, në reagimin e tij “Burdushi” e përmend argumentin puro politik, m…n, si përmbajtje, ndërkaq, të ambalazhuar si recetë gastronomike apo pjesë e menysë. Ai, sigurisht në mbrojtje të shëndetit të Milaim Zekës, i thotë se: “Boll ke hangër m.t deri tash dhe mos ha më m.t në të ardhmen…” duke e këshilluar me çka duhet të merret në të ardhmen! E përshkruan të kaluarën, e konstaton të tashmen dhe rekomandon të ardhmen! Realisht këtë debat e shoh krejtësisht të panevojshëm dhe i cili shumë e dëmton Kosovën; në aspektin politik për shkak të përfshirjes së një politikani të rruar dhe të rrahur në të gjitha betejat politike dhe ushtarake siç është Milaim Zeka dhe, të një personi apolitik dhe joqeveritar, humanist i përmasave globale siç është Basri Peçani-“Burdushi”. Këta duhet të ulen dhe burrërisht t’i sqarojnë mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet që dallojnë vetëm në nuanca, ndërsa që qëllimin e kanë të njëjtë apo shumë të përafërt. Për të mirën e njerëzimit, Kosovës dhe mbarë shqiptarisë si dhe diversitetit, kulturor, etnik dhe politik siç na ka mësuar Marti Ahtikari me propozimin e tij.

Hashim Thaçi dhe Sali Berisha: Sali Berisha ishte dhe mbeti politikani që, pas Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës, më së shumti ishte në pushtet në Shqipëri. Dhe, sipas mendimit tim, e që nuk do të thotë se e kam mirë, është pjesë e treshit që më së shumti e ka dëmtuar Shqipërinë dhe shqiptarinë duke mos e zbatuar Kushtetutën e Shqipërisë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë e që duket se në mënyrë brilante po e bënë Hashim Thaçi, i cili po e kërkon ndihmën e një irredentisti të rruar dhe të dëshmuar, Isa Mustafës. Rrahman Morina nuk është më në mesin e të gjallëve. Sali Berisha ka qenë politikan potent derisa në skenë doli, sipas Saliut, Zografi bis (Edvin Kristaq Rama – ashtu ka dëshirë ta quajë), Baton Stanishiqi (për mua është Baton Haxhiu) dhe argati i Serbisë (Hashim Thaçi), sipas Sali Berishës.

Sali Berisha një kohë të gjatë ka mbetur pa pushtet e që po reflekton në sjelljet që i bënë. Përpjekja për ta ricikluar veten përmes riinkarnimit të Saliut të vdekur politikisht në personalitetin e xerox Saliut, Lul Bashës, nuk po ecën sipas planit; as me dinamikën e dëshiruar e as që po i ka efektet e projektuara dhe të pritura. E keqja e Sali Berishës qëndron në faktin se në humbjen e potencës politike i ka rënë edhe niveli i testosteronit andaj po i bënë këto reagime. Përfundimisht, mungesa e testosteronit ka ndikuar dhe po ndikon që të gjitha problemet e Shqipërisë, Kosovës dhe mbarë Shqiptarisë, sipas Sali Berishës, burimin e kanë te treshja: Zografi bis, Baton Stanishiqi dhe argati i Serbisë në kohën kur për vete po mendon se e ka ruajtur virgjërinë e ndershmërisë të Shën Mërisë dhe se nuk mund të ngarkohet me asnjë mëkat, qiellor dhe tokësor qoftë ai! Tash, caku i të gjitha sulmeve të Sali Berishës është presidenti i Kosovës, Shkëlqesia e Tij, zotni Hashim Thaçi, ndaj të cilit nuk po zgjedhë fjalë. Besoj se fjalori që e përdor Sali Berisha është autentik dhe se ai vetë i shkruan këto, pa pasur nevojë për ndihmë nga ndonjë këshilltar.

Hashim Thaçi po e rëndon tepër Sali Berishën duke e bërë thuaja pjesë aktive të Tigrave të Arkanit e që, në rrethana normale dhe nëse nuk jeni pacient i Skender Boshnjakut, nuk do ta besoni. Edhe Hashim Thaçi, ndonëse me moshë është më i ri se Sali Berisha, e ka një përvojë të gjatë në politikë, thuaja se po i mbushë 30 vjet të aktivitetit politik, para edhe pas përfundimit të luftës. Është i rryer dhe shumë dinak, hakmarrës i pashpresë i ambalazhuar me një durim prej demokrati dhe stoiku. Çdokush që e njeh Hashim Thaçin, qoftë nëse e ka takuar (kush e ka pasur një fat të tillë) apo edhe vetëm e ka parë përmes medieve, e ka të qartë se një njeri me aq ndjeshmëri, kulturë prej eruditi, me një veshje me shumë delikatesë, nuk është në gjendje të përdorë atë fjalor. Njeri për të cilin janë shkruar libra me vlerë historike, bibliografike, politike, etike dhe që janë promovuar në qendrat më të mëdha kulturore të botës nga njohës të jashtëzakonshëm, asnjëherë nuk do ta përdorë një fjalor të tillë. Njeriu që bartë kollare Hermes, që ka shije për verërat e Shampanjës, të prodhuara nga priftërinjtë francezë dhe që kallamarin e ka ushqimin kryesor në menynë impozante, nuk do të shkruante kështu për Berishën, edhe po të ishte e vërtetë e që unë nuk e besoj. Realisht Hashimin po e mashtrojnë disa këshilltarë që i ka afër dhe që, si puna ime, nuk e dinë çka është kallamari, por se e mbushin barkun me fasule, për të gjeneruar pordhë të pandërprera, si shenjë identifikuese të statusit politik, shoqëror, material dhe moral. Se Hashim Thaçi qenka argat i Serbisë kurrë nuk e kam besuar dhe as që e besoj sa që nuk e besoj se Sali Berisha ka qenë pjesë e Tigrave të Arkanit. Fjalori i Sali Berishës është denoncues, pa fakte, hakmarrës, por se arsyetohet me moshën që e ka dhe, sidomos, me mungesën e testosteronit. Mungesa e testosteronit, përveç impotencës seksuale, prodhon edhe pafuqi intelektuale. Hashimi është djalë i mirë apo, sipas Edit, çun për së mbari, por se këshilltarët e Hashimit po e marrin në qafë duke luajtur koçe me reputacionin dhe besueshmërinë e lartë që e gëzon Hashim Thaçi. Kotilla këshillëdhënëse e Hashim Thaçit përbëhet nga trashëgimtarë të Jugosllavisë dhe Serbisë si dhe “patriotë”, denoncues të ish të burgosurve politikë që e fituan këtë status falë angazhimeve patriotike sllave të baballarëve dhe majkave të disa këshilltarëve të kotillës këshillëdhënëse të Hashimit. Hashim Thaçi dhe Sali Berisha duhet t’i vënë kapak gojës jo për shkak të tyre, por për shkak të higjienës mentale dhe mjedisore. Hashim Thaçit, si një mik, shok dhe vëllam i një njeriu të jashtëzakonshëm, i pajisur me të gjitha vlerat hyjnore, mbitokësore e sidomos nëntokësore siç është puna e Behgjet Pacollit, nuk duhet ta pranojë autorësinë e postimeve kundër Sali Berishës e që ia bëjnë të tjerët. Çdo miqësi ka çmim, prandaj shumë kujdes. Po shihet qartë se Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli janë të gatshëm të vdesin për Kosovën, Shqipërinë dhe mbarë shqiptarinë. Së bashku me Oso Kukën e Lazaratit, Edi Ramën dhe analistin farmakologjik, Batonin.

Sali Berisha nuk ka pse të vdesë, moti ka vdekur dhe nuk paraqet rrezik përveç se i bënë disa delikte verbale me të cilat nuk merret ligji, as në Shqipëri e as në Kosovë! Edi Rama ka vdekur klinikisht! Lëreni Hashimin ta bashkojë Luginën e Preshevës me Kosovën, si hap i parë e pastaj, së bashku me Shumadinë ia bashkëngjitim Shqipërisë! Më m.t nuk bëhet! Hajt Behxhet, he “Burdush”!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas vitit 2017 kënga e parë e Justin Bieberit është…