Kur dhembja e individit bëhet frymë e qëndresës kombëtare
Prof. dr. Emin Kabashi
Një vepër studimore që e nderon shkencën e albanologjisë – (Vebi Bexheti, “Magjia e fjalës poetike”, Tetovë, 2018)
Studiuesi, prof. dr. Vebi Bexheti, në veprën studimore “Magjia e fjalës poetike”, duke u marrë me tema dhe motive të veçanta të poezisë shqipe, lëndë që e njeh prej vitesh, që e ka ligjëruar para shumë brezave të studentëve shqiptarë, ka qëmtuar specifikat e dhembjes në poezinë e vëllimit “Lum Lumi” të Ali Podrimës. Por, brenda kësaj dhembje, ka shpaluar edhe frymën e madhe të qëndresës shqiptare, jo vetëm kundër robërisë, jo vetëm kundër pushtimit, por ruajtjen e idealit për tërësinë e atdheut, pra të bashkimit kombëtar.
Ky përkufizimi, më thotë mendja u shkon për shtati edhe studimeve të tjera të Vebi Bexhetit të përfshira në këtë vepër. Secili nga studimet e tij, qoftë ai që i kushtohet poezisë së Azem Shkrelit, “Pesha e fjalës poetike e Azem Shkrelit”, ku ka gjetur aspekte specifike të poezisë së tij, duke e cilësuar drejtë dhe saktë, se poezinë e tij e karakterizon pesha e fjalës, pra Fjala poetike, e thënë aq me kursim, e në të njëjtën kohë me aq peshë kuptimore. Figurat, kryesisht figura të mendimit, që janë veçori e poezisë moderne, edhe asaj shqiptare, janë një çështje tjetër të cilat i ka marrë në shqyrtim studiuesi Vebi Bexheti, në këtë studim për poezinë e Azem Shkrelit.
Po ashtu, edhe kur ka shqyrtuar e analizuar anë të veçanta të poezisë së poeti Din Mehmeti, studiuesi ka gjetur një të përbashkët të poezisë së tij, qoftë edhe duke huazuar ndonjë varg nga krijimtaria e poetit. Jo, rastësisht, andaj shqyrtimin për poezinë e tij e ka përkufizuar: “Din Mehmeti, poeti që i armatos vargjet poetike”. Qoftë erdhe vetëm përkufizimi i këtillë, flet qartë për interesimin e studiuesit, për aspektet që ka analizuar, për vargjet që i kanë lënë më shumë mbresa dhe i kanë zgjuar meditime, për cilësinë e vargut poetik, por edhe për sakrifikimin e kësaj cilësie, në shërbim të lirisë së atdheut.
Të gjitha këto plane shqyrtimi për poezinë e Din Mehmetit, janë artikuluar edhe me vargje nga krijimtaria e tij, edhe me ilustrime, për ta mbështetur edhe mendimin, edhe ndjeshmërinë e tij, për akëcilin aspekt të poezisë së Din Mehmetit, por që në taban e ka armën për lirinë e kësaj pjese të atdheut.
Poetit Din Mehmeti, sipas studiuesit, i është dashur vetëm përdorimi në shumës i Komandantit Legjendar Adem Jashari, për të përgjithësuar, jo vetëm sakrificën e tij, por edhe për të shpaluar përmasën kombëtare të sakrificës kolektive, duke filluar nga Komandanti, nga familje e deri të atdheu. Titulli i poezisë “Adem Jasharët”, dëshmon saktë shtresimin e figurës poetike, që shkon nga e veçanta te e përgjithshmja. Ky është tabani, ku i ka armatosur vargjet Din Mehmeti, andaj studiuesi ka shpaluar këtë aspekt të poezisë së tij, si një temë dhe motiv shumë i veçantë në tërë poezinë shqipe.
Në këtë hulli është trajtuar edhe poezia e Murat Isakut, një krijues tjetër i poezisë shqipe, nga një krah tjetër i zhvillimit të kësaj letërsie, në kushte robërie dhe pushtim tragjik. Andaj, studiuesi ka gjetur të qëlluar përkufizimin kur fletë për poezinë e Murat Isakut: “Poezia e vendlindjes dhe e fatit të fisit e Murat Isakut”.
Studiuesi Vebi Bexheti, fillimisht, duke shqyrtuar veprën letrare, sidomos veprën poetike të Murat Isakut, ka prekur edhe rrethanat historike në të cilat është zhvilluar edhe letërsia shqipe, sidomos poezia shqipe, edhe në pjesët e pushtuar të atdheut. Konstatimi i tij se kjo letërsi, pra letërsia shqipe ka pasur zhvillim të ndryshëm në Shqipëri, andaj edhe në Kosovë e në Maqedoni, si dhe në mërgatën shqiptare, sa ndonjëherë as që e kanë njohur krijimtarinë e njëri-tjetrit, qoftë edhe krijuesit e të njëjtit brez.
Poeti Murat Isaku, duke u marrë me vendlindjen, doemos është marrë edhe me udhën e madhe të historisë së fisit, pra të popullit, që nga lashtësia e këndej. Kjo histori e lashtë, e cila herë vinte e përgjysmuar në kujtesën tonë, herë e shtrembëruar, herë tjetër e ngarkuar nga ideologji të ndryshme, poeti Murat Isaku, ka prekur anë të ndryshme të kësaj kujtese historike, duke ruajtur përherë gjuhën figurative të poezisë, pra të artit të fjalës, sidomos duke i dhënë hapësirë mungesës së madhe të gjurmëve të historisë, që të tjerët, pushtues të ndryshëm kishin bërë përpjekje për ta zhdukur, në mënyrë që brezat e tjerë të fisit të poetit të rriteshin pa këtë anë të vetëdijes së tyre kombëtare. Andaj, në poezinë “Në asnjë breg”, poeti ka shpaluar fuqishëm këtë mungesë, këtë dhembje dhe këtë stërkeqe të historisë: “Në asnjë breg / s’e gjeta gojë [dhënën për të afërmit/ dhe hirin prej rrënjësh në vatrën e të parëve…/ Në asnjë sirtar s’më ranë sy / çelësat e portës së madhe / dhe në asnjë cak nuk e gjeta emblemën e fisit”/. (Cit. V. Berxheti, 248).
Në studimin e tij, “Magjia e fjalës poetike”, Vebi Bexheti ka marrë në shqyrtim, edhe çështje të tjera, nga krijues të ndryshëm. Ka analizuar vetëm tri poema të poetit dhe shkrimtarit, po ashtu të njohur, Abdylazis Islamit. Të tri poemat që studiuesi ka marrë në shqyrtim, “Pella(z)gonia”, “Pollogu” dhe “Iliriada”, i kushtohen lashtësisë, që nga koha para ilire e deri në ditët e kësaj Maqedonie, që përgjysmonte pjesën e popullit shqiptar, me të gjitha mjetet e mundshme, ligjore e joligjore, vetëm që ata të ishin zot në ato toka, edhe pse e dinin se Qendrat e vendosjes evropiane ju kishin dhënë, pasi kishin copëtuar gjeografinë e shtetit shqiptar të 1912-s.
Një studim krejt i veçantë, për një krijuese, po ashtu shumë të veçantë, Vebi Bexheti ia ka kushtuar poezisë së poeteshës Lindita Ahmeti. Poezia e saj është e veçantë, edhe për faktin se motivet që trajton, temat që merr për frymëzim në poezinë e saj, në punë të ndërtimit poetik, kanë veçori karakteristike, ku shpërfaqet dhembja dhe brenga, sidomos për fatin e femrës, veçmas për fatin e femrës në trevën ku jeton poetesha, veshur me vellon e njohurive nga lashtësia. Do të thotë, aspektet që ka shqyrtuar studiuesi në poezinë e Lindita Ahmetit, janë tema që në thadrimin poetik, marrin theksime filozofike, sidomos kur trajton, anë të ndryshme të jetës, të dashurisë, të bukurisë, të trishtimit, të vuajtjes dhe të mallëngjimit, siç ka hetuar edhe autori i këtij studimi. (273).
“Poezi me aromën e lules ‘Iris Illyrica’ të poetes Lindita Ahmeti”, e ka përkufizuar studimin e tij, prof. Vebi Bexheti. Studiuesi vëren se një veçori e theksuar e poezisë së poeteshës, është frymëzimi nga kujtesa historike për lashtësinë tonë, pra të popullit dhe kombit tonë, por edhe njohja që ajo ka shpaluar nga filologjia klasike greke, ku mbisundojnë gjurmët e trashëgimisë iliro-shqiptare. Qoftë, edhe vetëm për këtë përkufizim karakteristik, studimi i Vebi Bexhetit për poezinë e poeteshës Lindita Ahmeti, katërçipërisht shpalon vlerat themelore të kësaj poezie dhe i bën nder artit të krijueses, në njërën anë, por edhe mendimit kritik të autorit, në anën tjetër.
Përfundim
Studimin “Magjia e fjalës poetike”, studiuesi prof. dr. Vebi Bexheti e përmbyll, të thuash me tri nekrologji, që në këtë vepër, janë edhe studime me vete. Janë të tillë, sepse ka trajtuar aspekte të krijimtarisë shkencore të akademikut Jorgo Bulo, ka folur për ikjen e poetit të madh të poezisë shqipe, Dritëro Agolli, si dhe ka marrë në përsiatje, vdekjen thuajse biblike, larg tokës së tij, të poetit Ali Podrimja.
Studimi i Vebi Bexhetit, “Magjia e fjalës poetike”, dëshmon për përkushtimin e autorit, jo vetëm në planin e kërkimit të temave për shqyrtim, por edhe për informacionin e duhur shkencor, si dhe për kujdesin në punë të metodologjisë së hulumtimit shkencor, që studimet e tij të jenë bazë e mirë për rrugën e studimeve të ardhshme për poezinë shqipe.
Duke u marrë me krijues të veçantë dhe të ndryshëm, po ashtu duke u marrë, me tema të veçanta, krejt specifike, që janë trajtuar edhe në këtë shkrim analizues, studiuesi Vebi Bexheti, ka dëshmuar njohjen e thellë që ka për poezinë shqipe, të të gjitha periudhave kohore, që ka marrë në shqyrtim, e sidomos artin e poezisë shqipe të krijuar nga arbëreshët tanë.
Qoftë, vetëm për këto dhe ndonjë karakteristikë tjetër, të studimit të tij, mund të thuhet se vepra studimore “Magjia e fjalës poetike”, të studiuesit Vebi Bexheti, i bën nder autorit, i bën nder dijes universitare shqiptare, në fund të fundit, u bën nder studimeve albanologjike.
(Shënim: Pjesë nga ky shkrim janë lexuar më 10 prill 2018 në Institutin Albanologjik të Prishtinës, me rastin e përurimit të kësaj vepre studimore. Fund)