KUR DO TË KRIJOHET SHTRESA E HASANISTËVE TË VËRTETË?

15 gusht 2019 | 14:48

“Vetëm atëherë kur të krijohet shtresa e Hasanistëve te vertetë do të fitojmë Shqiperinë” (Adem Demaçi)

Nga Mehmet PRISHTINA

Teksa po bëhesha gati të shkruaja diçka mbi reflektimet e frymës hasaniste në rrjedhat e aktualitetit të shqiptarisë sonë, mu kujtua një thënie e Hasan Prishtinës, e cila sikur i përgjigjet pikërisht kontekstit të tanishëm shoqëror e politik.

“Na luftojmë e ndoshta nuk e gëzojmë (lirinë), por ata që vinë mbas nesh, kanë me i gjet shejet tona”, thoshte Hasan Prishtina.

Dhe sigurisht vargu i idealistëve e atdhetarëve që erdhën pas Hasan Prishtinës nuk është i shkurtër, kurse frymëzimi për të thelluar hullinë e shqiptarizmës që kishte nisur ky kolos i madh i kombit, mbeti gurrë e pashtershme për gjenerata të tëra. “Unë jam një ushtar i devotshëm i pa përkulshëm i Hasan Prishtinës dhe aty ku e la Hasani aty do ta vazhdojmë. Vetëm atëherë kur të krijohet shtresa e Hasanistëve te vertetë do të fitojmë Shqipërinë. Rroftë populli shqiptar. Rroftë Shqipëria!”, do të deklarojë më 5 prill 2009, Adem Demaçi, në një akademi solemne në Vushtrri.

Pra, bota shqiptare gjithmonë pati si pikë referimi porositë dhe idetë largpamëse të Hasan Prishtinës, kurse figurat markante, si Adem Demaçi e patriotë të tjerë, ishin të bindur se “vetëm atëherë kur të krijohet shtresa e hasanistëve te vërtetë do të fitojmë Shqipërinë”.

Në fakt ky është edhe thelbi i konceptit mendor e ideologjik që do të duhej të vinte në shprehje nga ana e politikëbërësve tanë dhe institucioneve që merren me shtetndërtimin dhe ngritjen e kapaciteteve ligjzbatuese.

Por kjo nuk është rrugë e lehtë dhe një sfidë e vogël. Përkundrazi tundimi i pushtetit herë-herë është treguar më dominues kundrejt dëshirës dhe vullnetit për të drejtuar shtetin pa hile.

Edhe në kohën kur veproi Hasan Prishtina pati mjaft individë e grupe që punonin për t’i minuar përpjekjet e tij shumë të sinqerta, kurse jo rrallë pati edhe prej atyre që nuk ngurronin të shpifnin në llogari të tij. Në gazetën “Ora e Shqipnisë”, që dilte në Vjenë, më 22 maj 1928, në shkrimin “Deri në vdekje”, Hasan Prishtina, ndër të tjera shkruante: “Rrugën e tradhtisë as nuk e kam shkelë as nuk do ta shkeli kurrë edhe pse disave sot po u kanda me më quajt publikisht tradhtor! Në kjoftë se këta kanë ngulë syet në personin t’eme tue kujtue se unë trembem prej shpifjeve të tyne e do të ndrroj rrugë, u diftoj kjartas se kanë gabue adresë. Nderin t’em si njeri e si shqiptar e çmoj, e them me kreni, nuk e le të përlyhet me llumin e shpifjeve. Para se gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos e harroni atë kur të jepni mendimin tuaj!. Mue n’idenë teme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të mujë me më shtrue ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë armiqve! Ka me më shtrue vetëm vdekja!”.

Se historia jonë pati dy anë të medaljes, që u dëshmua edhe përmes fjalëve të mësipërme të Hasan Prishtinës, tregon se shqiptaria kaloi nëpër flakën e kalitjes së idealeve të përjetshme, por jo rralloi kaloi edhe nëpër mjegulla, që u prodhua gjoja në emër të politikave delikate.

Aktualisht edhe treni politik i Kosovës po kalon nëpër mjegulla të tilla dhe askush nuk e di me saktësi se cili do të jetë stacioni i këtij treni. Madje as ata që kanë hipur në këtë tren, kryesisht një tufë politikanësh, nuk e kanë idenë se ku shkon lokomotiva e tyre e lodhur dhe e rraskapitur nga mungesa e ideve kreative.

Nuk ka politikë pa dështime, por në shoqëritë me demokraci të zhvilluar dështimet trajtohen me kurën e një ‘konsiliumi’ të zgjedhur politikanësh, intelektualësh e njerëzish të dijes e kulturës. Ndërkaq në shoqëritë me deficit demokratik, si kjo e jona, dështimeve jo rrallë iu jepen ‘terapi’ nga lavdia historike, duke zënë në gojë figura të mëdha kombëtare, të cilat përdoren si amortizues të pakënaqësive.
Këtyre ditëve, teksa kujtohej 86 vjetori i rënies së Hasan Prishtinës, patëm rastin të ndeshemi në këtë ‘terapi’ që politikanë të caktuar e përdorën me doza të tepruara, si një ngushëllim për objektivat e paarritura.

Në gjithë këtë ‘infuzion’ të marrë nga historia e jonë lavdishme, pati edhe diçka pozitive: Më në fund klasa jonë politike e kuptoi në nëndije se vetëdijësimi politik e shoqëror mund të ndodhë vetëm nëse përvetësohet drejt doktrina e ideve largpamëse të kolosit tonë Hasan Prishtina.
Ky fakt nxjerr në pah edhe domosdoshmërinë e rishikimit të rolit dhe kontributit të Hasan Prishtinës në mendimin dhe veprimin tonë politik, por pa e keqpërdorur figurën e tij.

Për ta përmbyllur këtë përsiatje timen mbi reflektimet e frymës hasaniste në rrjedhat e aktualitetit të shqiptarisë sonë, po i referohem një mendimi të Luigj Gurakuqi për Hasan Prishtinën: “Istoria e kombit t’onë me shkronja t’arta, me shkronja të shkelqyera do të shkruajë ndër faqet e’ saj shërbimet e mëdha, punët e shënuara, që qëndrojnë sipas çdo lavdimi, të cilat asht tue bâmun deputeti i adhurueshëm ndër deputetet t’onë Hasan be Prishtina në fushë atdhesie. . . brez pas brezi, ati dhe bir pas pas biri zembrat e djegura t’atdhetarëvet emënin t’uaj kânë me bekuar, dhe një shtat i shkëlqyeshmë, një shtat i mermertë që do të ngrehet për ju, pasi moti të kalojnë, ka me leçitun për para botës së qytetënueme, që një komb i gjithë ju ka detyrë”, sipas gazetës “Bashkimi i Kombit”, nr. 25, 25 fror 1910.

Ndërlidhja e figurës së Hasan Prishtinës me realitetin tonë, përpos që kërkon vullnet plebishitar për të zbatuar këto porosi të Luigj Gurakuqit, kërkon edhe zgjuarsi dhe nerv për të detektuar kërkesat e kohës, ndërkohë që thënia e Adem Demaçit “vetëm atëherë kur të krijohet shtresa e hasanistëve te vërtetë do të fitojmë Shqipërinë” tingëllon aktuale me porosi programatike për gjeneratën e politikanëve që do të shumëfishojnë shpirtin dhe mendjen e Hasan Prishtinës në aksionin e ndryshimeve të mëdha politike që duhet të ndodhin në të ardhmen.

Qoftë e bekuar ajo politikë që do të shkruhet me alfabetin e porosive vizionare të kolosit Hasan Prishtina.

Prishtinë, gusht 2019

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është një fortesë 200 vjeçare që nga jashtë nuk të…