Kur e vesha uniformën e UÇK-së m’u duk se po fluturoja

30 dhjetor 2022 | 15:11

Shkruar nga Teuta Haxhimusa-Çerkini, sipas rrëfimit të Avdi Ibishit, Veteran i UÇK-së

​Isha mbi pesëmbëdhjetë vjeç, kur gjithçka ishte bërë ngulfatëse në Kosovë. Babai im kishte shkuar në Gjermani të punonte, sepse ndryshe ishte e pamundur të mbijetohej në atë varfëri e papunësi të madhe. Isha rritur disi para kohe, kisha hedhur shtat, kujdesesha për shëndetin dhe ushtroja kik boks; ndërsa shkollat-shtëpi s’më tërhiqnin aspak. Me shokët e lagjes tuboheshim, pothuajse çdo ditë, dhe i diskutonim ngjarjet, luftimet, masakrat e Drenicës. I observonim zhvillimet e asaj kohe, se si shqiptarët kudo maltretoheshin, ndaloheshin, e as nuk lejoheshin të lëviznin lirshëm. E ndjenim robërinë në palcë. Sporti, kik boksi ishte oaza ime e shpëtimit.

Doja të bëhesha i fuqishëm në gjithë atë pafuqi kolektive që na ngufaste. Gjatë bisedave me shokë, për herë të parë dëgjova për UÇK-në. Ato tri shkronja shpresëdhënëse, gjithë rrugës për shtëpi, atë ditë, e pastaj edhe netëve të shumta, u bënë fija ime e shpresës ku kapeshin mendimet e mija. Netëve të vona, sapo mbyllja sytë më shfaqej imazhi i një ushtari të fuqishëm të UÇK-së. Gradualisht, atë imazh e shndërrova në një portret konkret, me fytyrën time. Fillova ta shoh veten të veshur me uniformën e ushtarit të UÇK-së, të gatshëm për t’u nisur shtigjeve drejt lirisë. Një ditë gushti të 1998-ës, së bashku me shokët, Xhavit Gashin dhe Isabedin Avdylin, vendosëm të shkonim në UÇK. Morëm udhën në këmbë për Pjetërshticë, ku, siç ishim informuar, ndodhej shtabi i asaj zone. Sapo hymë në fshat, takuam një ushtar dhe një ushtare, të cilët na përcollën deri te shtëpia (apo vendi) ku ishte vendosur shtabi. Zemra më rrihte fort nga ngazëllimi kur i pashë ushtarët për herë të parë, e më pastaj nga dëshpërimi kur vetëm na i morën emrat dhe na kthyen, sepse nuk kishte armatim.

​Iku vera, vjeshta dhe dimri 1998-ës, e unë isha ende në pritje se mos më vinte thirrja. Erdhi edhe pranvera e 1999-ës dhe në mars filluan bombardimet e NATO-s. Atëherë më nuk mund të rrija duarkryq. Sërish, bashkë me shokët, Xhavit Gashin dhe Isabedin Avdylin, vendosëm bashkërisht të nisemi vetë të gjenim armatim dhe t’i bashkohemi UÇK-së. Iu ngjitëm majës së Lypetenit. Ecëm nëpër borë, desh u bëmë copa-copa kur u lëshuam një tatëpjete të rrezikshme, pasi dëgjuam disa zëra të flisnin serbisht. Ramë poshtë një lumi, u zhytëm dhe e kaluam disi. Të lagur qull u strukëm shkurreve, derisa vërtetuam se targat e veturave ishin të Tetovës. Kishim dalë në Maqedoni, pa e ditur mirë se ku ishim. Një kalimtar na vuri re. Fatmirësisht rastisi të ishte shqiptar nga Tetova.

Na mori në shtëpinë e tij, na ofroi bukë, kripë dhe zemër, na dha rroba të terura, derisa rrobat tona u thanë. E kam shumë merak që nuk e pyeta se kush ishte ai njeri që na ndihmoi aq shumë; të nesërmen, ai na e pagoi taksinë dhe na nisi për në Shkup, ashtu siç i kishim kërkuar. Qëllimi ynë ishte të shkonim në Shqipëri për armatim dhe t’i bashkoheshim luftës. Bashkë, ne të tre shokët, duke pyetur në Shkup, arritëm t’i gjejmë grupet e vullnetarëve të UÇK-së që niseshin nga Maqedonia për në Shqipëri. U nisëm me autobus dhe e kaluam kufirin maqedono-shqiptar në këmbë, në mënyrë të rregullt, pa asnjë pengesë. Matanë kufirit, në mënyrë të organizuar me kombi-busë na transportuan fillimisht në Kukës, e pastaj na dërguan në Burrel. Na i dhanë uniformat e UÇK-së, na armatosën, na trajnuan disa javë se si t’i përdornim armët. Ishin diku afër 2000 ushtarë vullnetarë, në atë kamp.

​Kur e vesha uniformën, mu duk se po fluturoja, mu duk sikur ajo ndjenja e pafuqisë që më kishte shoqëruar aq gjatë, u tret diku, u largua. Ato tri shkronja në krah, në ballë, e në zemër më dhanë ndjesinë e papërshkrueshme të një ndjenje lirie, përmbushjeje. Ato tri shkronja më dhanë një ndjesi sipërore, shenjtërie e fuqie të paprovuar ndonjëherë. Mu duk se isha aq i fuqishëm sa që asgjë dhe askush nuk do të mund të më ndalonte që ta mbroja popullin tim, aq të përvuajtur. Në mesin e atyre mijëra vëllezërve shqiptarë, që kishin ardhur nga të gjitha vendet e botës, ndjehesha aq i fortë, krenar, i lumtur që nuk kisha qëndruar duarkryq, por bashkë me gjithë të tjerët, isha një ushtar më shumë në shërbim të luftës së popullit tim për çlirim. Duke kënduar këngë patriotike, të trajnuar e të përgatitur, me kallashë në dorë, u futëm në vijën e frontit, diku në prill të 1999-ës. Na ndanë në dy grupe, njëri do luftonte në Pashtrik, e tjetri në Koshare.

Togu im u caktua të hynte në vijën e frontit të Koshares. Kufiri ishte thyer para nesh, ndërsa serbët granatonin pa ia nda. Ishin tërbuar. Por, ne të gjithë vendosmërisht e trimërisht mbanim pozicionet në istikamet tona, ditë e natë. Ushqimi e furnizimi nuk mungonte. Kishte raste kur nuk hanim me orë të tëra, për shkak të ritmit të luftimeve. Kur shokët plagoseshin, e vdisnin, ishin momentet më të rënda, por intervenimet, ndihma ishte shumë e shpejtë. Dhimbja ishte shumë e madhe, por neve, që ishim më të rinj, nuk na linin afër këtyre ngjarjeve. Sa herë shokët vriteshin, gjithë dhimbjen, ne e shndërronim në forcë për të luftuar dyfish më shumë, edhe për shokët e vrarë.

​Kosharja po gjëmonte nga granatimet edhe në qershor të vitit 1999. Ishte diku java e parë e qershorit kur një ditë me diell, shpërthimi i një granate afër istikamit, më plagosi në gjoks, krah dhe dorë të djathtë. Midis tymit e pluhurit, në istikam, po humbisja shumë gjak, dorën e djathtë nuk po e ndjeja fare, as gishtërinjtë nuk po i lëvizja dot. Shokët aty afër mi lidhën plagët fillimisht dhe kërkuan ndihmë. Deshën të më bartin në lese deri te pizgaueri, por nuk pranova të shtrihem në lese. E ndjeja se mund të eci, kisha ende forcë, nuk doja t’i mundoja shokët që të më bartnin. Doktoresha, Time Kadrijaj më ofroi ndihmën e parë, m’i lidhi fashat mirë dhe më dha një injeksion. Më pastaj më transportuan në Bajram Curr. Nga aty, na hipën në helikopter mua dhe një ushtar tjetër të plagosur; që të dyve na dërguan shpejt në spitalin e Tiranës. Kisha dhimbje të mëdha. Mjekët ishin grumbulluar si bleta rreth meje. Largoheshin pak e bisedonin kokë me kokë, pastaj shpejt ktheheshin tek unë. Më kujtohet se ju thashë mjekëve të bënin si të donin vetëm të m’i ndalnin dhimbjet.

Më futën në operacion, nuk e di sa zgjati, por kur erdha në vete kishte rënë nata, e unë kisha etje të tmerrshme, po u kërkoja shokëve të dhomës ujë. Njëri nga ata, mu afrua afër shtratit. I pashë patericat e tij, i kishte që të dy këmbët e plagosura. Shoku i dhomës më lagu pak buzët e thara e më tha se nuk guxonte të më jepte ujë. Sakaq, në sytë e tij lexova dhembshurinë për gjendjen time. Atëherë, fillova të bëhem i vetëdijshëm për veten, për trupin tim. Ngrita krahun e djathtë, e pashë të lidhur krejtësisht me fasha. E kuptova dhe e ndjeva thellë se diçka po mungonte në gjymtyrë, dorën e djathtë ma kishin amputuar. Nuk më kujtohet nëse lëshova ndonjë lot, por ajo çfarë kujtoj është një ndjenjë e ngrirjes, heshtjes, mbylljes në vete e cila më zgjati disa ditë. Nuk doja të flisja me askënd për ditë të tëra, ndërsa mendja më shkonte se si të kthehesha sërish në front. Një ditë, njëri nga ushtarët e plagosur aty, më tha: “Çka po rri mazun o Avdi djali, a në koçak të pulave e ke vra dorën a”. Kjo batutë e tij sikur më shkundi e më nxori nga ajo ngrirje. E kuptova se edhe shokët e tjerë kanë nevojë për mua. U ngrita nga shtrati dhe fillova të shkoj nga dhomë në dhomë që t’i vizitoja e të flisja me ata. Aty e shihja se nuk isha i vetmuar në fatkeqësinë time, shihja raste që ishin edhe më keq.

​Në spitalin e Tiranës qëndrova gati një muaj e gjysmë. Ishte ditë e nxehtë korriku, e paharruar për mua, kur më erdhën vizitorë të papritur. Nëna ime bashkë me shokun tim, Xhavitin, u shfaqën në derën e dhomës. Kur pashë fytyrën e brengosur të nënës, kur takova sytë e saj, e kuptova sa shumë isha përmalluar për atë fytyrë, por në të njëjtën kohë e kuptova dhimbjen e madhe që i kisha shkaktuar asaj. Ajo kishte menduar se unë jam vrarë. Qamë të dy të përqafuar për një kohë, të mbështetur në cepat e krevatit tim, aty në spital, por nëna ime si grua e fortë më ngushëlloi dhe më tha: – “Jam krenare gjithë jetën me ty biri im” – kjo fjali e nënës goditi në shënjestër.

Aty, në përqafimin e saj, e kuptova se përjetësisht do ta kem një borxh të madh ndaj nënës sime. Mbase gjithë jetën, ajo do të mbetej pika ime e dobët. E ndjeja se tërë vitet në vazhdim, do të mundohesha ta kuptoj peshën e dhimbjes që i kam shkaktuar nënës sime, në atë moment kur e ka parë të birin, ende pa i mbushur të shtatëmbëdhjetat, me dorë të amputuar. Aty, në përqafimin e saj e kuptova se nuk më dhimbsej fare dora ime, e as jeta ime nuk do të më dhimbsej qe besa, nëse do ta dhuroja për lirinë e vendit tim, por, më dhembte shpirti për nënën që e kisha lënduar, edhe pse njëkohësisht e kisha bërë edhe krenare.

​Nuk prita të më sillnin në shtëpi me helikopter deri sa të më vinte radha. Unë ndjehesha mirë. Andaj po atë ditë mora lejen nga spitali dhe u ktheva në Kosovë me nënën dhe Xhavitin.

​Ferizaj po gëlonte nga gjallëria. Gjithandej, po vinte erë lirie. Ah, për atë diell që po e ngrohte vendlindjen time, për atë fllad lirie, do t’i jepja të gjitha gjymtyrët. Trupat e NATO-s ishin vendosur në qytet, ndërsa shtabi i UÇK-së te Shtëpia e Armatës. Shokët e tjerë që nuk e dinin se kisha qenë në front, e që më takonin në rrugë, në fillim befasoheshin, por gradualisht u mësuan me pamjen time të re. Më donin dhe më respektonin të gjithë, pa dallim. Në shtëpi gjendja vazhdonte të ishte e vështirë, ashtu sikurse më parë. Babai ishte kthyer nga Gjermania pas përfundimit të luftës. Përveç që jetonim në skamje, të gjithë sapo kishim nisur t’i mbledhim copëzat e shkërmoqura të jetës, për të rinisur fillet e saja. Nuk kisha para për të blerë as cigare, por shija e lirisë i eklipsonte të gjitha vështirësitë.

​Në këto rrethana, te një dyqan në afërsi të Shtabit të UÇK-së, zemra ime shtatëmbëdhjetëvjeçare takoi një shpirt të bukur, Jasminën. U dashuruam të dy sinqerisht. Tek e shihja veten time, rrethanat dhe gjendjen në të cilën ndodhesha, i thashë Jasminës vetë, me gojën time, atë që shpirti nuk denjonte t’ia thoshte: – “Unë do të jem kështu gjithë jetën, ti je ende shumë e re, prandaj mendoje mirë para se të marrësh vendimin që  të lidhesh me mua”. Jasmina, ndonëse e re në moshë, kishte vendosmëri dhe karakter të fortë. Asaj nuk i pengoi asnjëherë mungesa e gjymtyrës sime. Përkundrazi, ajo ishte krenare me mua.

Familja e saj e përkrahën Jasminën dhe mua, jashtëzakonisht shumë, që nga fillimi i lidhjes sonë e deri më sot. Ne u martuam në vitin 2001 dhe në 2003-ën për herë të parë u bëmë prindër me djalin e madh, e pas disa vitesh dhe me të dytin. Jasmina kurrë nuk u ndal duke punuar për familjen. I jam mirënjohës gjithë jetën për dashurinë dhe familjen e mrekullueshme që më dhuroi.

​Një herë djali i madh, siç ndodh me çdo fëmijë, u rrëzua dhe lëndoi krahun. Zemra më rrahu shumë nga meraku. Një gërvishtje e fëmijës sa shumë arrin ta tronditë prindin! Doemos, mendja më shkoi fluturimthi te nëna ime, shpresoj të ma bëj hallall për dhimbjen e madhe që i kam shkaktuar, o Zot!!

​Sikur të kisha një shkop magjik, vendin tim do ta zhvilloja, do ta veshja në ar. Do të punoja shumë me rininë. Do të punoja shumë për ta mbajtur vendin tonë të pastër, pa mbeturina. Unë dhe shokët e mi kemi luftuar që vendi ynë të jetë i bukur, të lulëzojë gjithandej. Sakrifica ime ia vlejti! Por kurdo që atdheu ka nevojë për mua, unë jam gjithherë i gatshëm t’ia dhuroj edhe gjymtyrët e tjera, e pse jo, ta flijoj edhe jetën.

Biografi e shkurtër:

Avdi Ibishi u lind me 21.11. 1982 në Ferizaj. Ishte 16 vjeçar kur iu bashkua UÇK-së në prill të vitit 1999. Gjatë luftimeve në frontin e Koshares, u plagos rëndë dhe mjekët u detyruan t’ia amputonin dorën e djathtë. Punon në ndërmarrjen “Ambienti”, si grumbullues i tiketave të parkingut. Avdiu e mban statusin e invalidit të luftës së UÇK-së. Është i martuar me Jasminën, dhe ka 2 dy djem, Adonisin dhe Altinin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot, Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, dhe Sekretari…