Kur flet profesor Hysaj dëgjojmë me vëmendje

13 dhjetor 2024 | 21:18

Sot në ditën e tretë të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania” Prishtinë, në qendrën “Libart”, është organizuar bashkëbisedim me profesorin dhe regjisorin Fadil Hysaj.

Drejtoresha e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, poetja Naime Beqiraj, e cila ishte e pranishme në këtë aktivitet letrar, në llogarinë në Facebook të kësaj biblioteka, ka shprehur përshtypjet për bashkëbisedimin e Hysajt me studentë, studiues, dramaturgë, aktorë, artistë.

Ajo ka shkruar: “Ne të tjerët heshtnim dhe ishim kthyer në përqendrim. Secila fjalë e profesorit ishte thelbësore. Secili mendim, kreativ; secila shprehje, maksimë; secili shembull, i papërsëritshëm. Ta kishte ënda ta dëgjoje duke u kthyer në mendim, në poezi, në dramë, në përvoja të pajetuara herë-herë si stalaktite e stalagmite. Këta njerëz të rrallë si Fadil Hysaj i kemi në Prishtinën tonë, i takojmë herë të heshtur deri në zakonshmëri e herë me sharmin unik. Paska qenë dashur të zhvillohet edicioni i ri i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë e të Përdorur që të dëgjojmë një bashkëbisedim të gjallë, të rrallë e të panjohur për publikun.

Profesori Hysaj, që i ngjan një biblioteke me libra të rrallë, mu në ambientet e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” fliste plot elokuencë për krijimtarinë e tij, fillimit aq të panjohur për lexuesit dhe publikun, duke na bërë të ndihemi të privilegjuar që kishim mundësi ta dëgjonim në bashkëbisedimin e mesditës së të premtes. Ai është regjisori, dramaturgu dhe profesori i cili ka dhënë kontribut të pazëvendësueshëm në fushën e teatrit dhe artit skenik në Kosovë.

Larg të folurit në vetën e parë, të meritokratit e të diturit, me elokuencë e sharmë të rrallë prej profesori e krijuesi, herë si kritikues, por jo kritizer i realitetit artistik të Kosovës, që nga trajtimi i aktorit dhe shfaqjeve që hiqen pas pak reprizave në Teatrin Kombëtar të Kosovës e deri te punësimet pa kriter në Fakultetin e Arteve, ky bashkëbisedim nuk ishte aspak i lehtë për gazetaren dhe moderatoren Alketa Gashi Fazliu që t’i printe Fadil Hysajt, por ajo ia doli.

Në rrëfimin e tij të fillimeve artistike, profesori përmendi poezinë dhe pikturën të cilat më vonë nuk i zhvilloi si veprimtari artistike, ndërsa me elegancën e një të riu ai argumentoi se pse nuk i zhvilloi të dyja deri në fund. Profesori zhvilloi paralelisht veprimtarinë e regjisorit, të dramaturgut dhe të mësimdhënësit, duke trajtuar në veprat e veta tema universale, por duke qenë edhe njohës i mirë i traditave dhe etnosit shqiptar e sëndërtoi festivalin, ndër të rrallët në botë, “Etno Fest”, si pjesë e vyer e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Në fund profesori iu përgjigj pyetjeve të pjesëmarrësve, edhe atyre të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili shprehu fjalë miradije dhe e quajti profesorin Hysaj mendimtar të artit. “Bota shqiptare i ka shumë të rrallë mendimtarët e artit. Tash e mbas duhet ta vjedh kohën time prej politikës për të pirë kafe në mënyrë të qetë për të folur për këto tema me profesorin”. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, Slsot në Fushë Kosovë,…